Zhvillimet e fundit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara nuk janë episod i rastësishëm diplomatik, por rezultat i një pune të gjatë, të koordinuar dhe të strukturuar nga Shaip Kamberi, Partia për Veprim Demokratik (PVD) dhe Ardita Sinani. Rezoluta e depozituar dhe diskutimi zyrtar në Nënkomitetin për Evropë përbëjnë kulmin e një strategjie të ndërkombëtarizimit të çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Për herë të parë, diskriminimi institucional, pasivizimi i adresave, margjinalizimi ekonomik dhe presioni administrativ ndaj shqiptarëve u trajtuan në mënyrë të hapur në zemër të demokracisë amerikane. Kjo nuk ndodh pa argument, pa dokumentacion dhe pa lobim sistematik.
Kontributi konkret i PVD-së, Shaip Kamberit dhe Ardita Sinanit
Është e rëndësishme të theksohet qartë: hyrja e çështjes së Luginës në agjendën e Kongresit amerikan nuk është produkt i retorikës spontane, por i një pune sistematike shumëvjeçare.
Shaip Kamberi, si deputet në Parlamentin e Serbisë, ka ngritur vazhdimisht çështjen e diskriminimit në forumet shtetërore, duke krijuar bazën politike dhe dokumentare për ndërkombëtarizim. Çdo debat parlamentar, çdo interpelancë dhe çdo reagim publik ka shërbyer si material referimi për partnerët ndërkombëtarë.
Ardita Sinani, në rolin e saj institucional si kryetare e Komunës së Preshevës dhe kryetare e degës së PVD-së, ka përfaqësuar dimensionin lokal të kësaj kauze, duke ofruar të dhëna konkrete mbi pasivizimin e adresave, mungesën e investimeve dhe diskriminimin strukturor.
Vizitat në Washington, New York, Dallas, Bruksel, Berlin, Strasburg dhe në qendra të tjera vendimmarrëse nuk kanë qenë "turistike", por thellësisht politike dhe takime intensive me kongresmenë, senatorë, staf diplomatik dhe organizata me ndikim. Dosje të përgatitura me argumente juridike dhe statistika zyrtare janë prezantuar në mënyrë të strukturuar.
Pikërisht ky kombinim – presion institucional brenda Serbisë dhe lobim i organizuar jashtë saj – krijoi terrenin për depozitimin e rezolutës në Kongres.
Rezoluta nuk lindi në vakum. Ajo është produkt i:
• Përfshirjes së Luginës në raportet e Komisionit Evropian;
• Referencave në dokumentet e Departamentit të Shtetit Amerikan;
• Raporteve të Këshillit të Evropës;
• Koordinimit me Këshillin Kombëtar Shqiptar;
• Bashkëpunimit me Ligën Qytetaro-Amerikane të Joe DioGuardi-t;
• Angazhimit të diasporës shqiptare, veçanërisht në Dallas;
• Mbështetjes institucionale nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Por është e padrejtë të relativizohet roli udhëheqës i PVD-së dhe Kamberit e Sinanit në këtë proces. Ata kanë qenë iniciatorët politikë dhe artikuluesit kryesorë të çështjes.
Moment historik dhe domethënia strategjike
Deklarimet e kongresistit Keith Self dhe anëtarëve të Nënkomitetit për Evropë, si dhe qëndrimet e tre ekspertëve të pavarur në dëgjimin zyrtar, përbëjnë precedent politik. Për herë të parë, një forum kongresional amerikan artikulon në mënyrë të unifikuar shqetësimin për trajtimin e pozitës diskriminuese të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Kjo e zhvendos çështjen nga periferia rajonale në agjendë transatlantike. Në diplomaci, kjo është arritje substanciale.
Nëse dikush e minimizon këtë zhvillim, ose nuk kupton dinamikën e politikës ndërkombëtare, ose zgjedh me vetëdije ta relativizojë suksesin për arsye rivaliteti lokal.
Oponentët politikë midis "pragmatizmit" dhe mungesës së rezultateve
Është e domosdoshme të thuhet qartë: ndërsa PVD dhe Shaip Kamberi e ngrinin çështjen e Luginës në Washington, disa aktorë politikë lokalë ishin të zënë me kalkulime koalicionesh në Beograd.
Bashkëpunimi me qeveritë serbe nuk është problem në vetvete. Problemi lind kur ai bashkëpunim nuk prodhon asnjë avancim real në të drejtat kolektive dhe kur heshtet përballë pasivizimit të adresave, diskriminimit në punësim publik dhe zbatimit selektiv të ligjit.
Të sulmosh sot PVD-në për “radikalizëm” apo “ekspozim të tepruar ndërkombëtar” është jo vetëm hipokrizi, por mungesë vizioni strategjik. Sepse po të mos ishte për këtë linjë politike këmbëngulëse, çështja e Luginës nuk do të trajtohej në Kongresin amerikan.
Opozita që nuk prodhon alternativa, por vetëm kritika personale, nuk i shërben kauzës kolektive. Heshtja përballë padrejtësisë nuk është maturi politike; është dorëzim i butë.
Një kapitull i ri
Reagimi i Shaip Kamberit pas seancës në Kongres – “Kapitulli i ri për Luginën sapo ka filluar” – nuk është slogan, por përkufizim realist i një faze të re politike.
Nga një çështje e trajtuar si problem lokal administrativ, Lugina e Preshevës po shndërrohet në temë diskutimi në forume ndërkombëtare me ndikim real në politikën e jashtme amerikane.
Ky është rezultat i një filozofie politike që kombinon:
• Identitetin kombëtar;
• Përdorimin e instrumenteve demokratike;
• Dokumentimin juridik të diskriminimit;
• Diplomacinë aktive dhe të vazhdueshme.
Në histori, momentet kyçe nuk krijohen nga ata që presin, por nga ata që veprojnë. Në këtë fazë të zhvillimeve, është e qartë se PVD, Shaip Kamberi dhe Ardita Sinani kanë qenë faktorë aktivë në krijimin e këtij momenti.
Puna nuk përfundon me një rezolutë dhe Ligj kundër diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Por, ato janë dëshmi se strategjia po funksionon!
Dhe për herë të parë pas dekadash, Lugina e Preshevës nuk po flet vetëm në periferi – ajo po dëgjohet në qendër.