Mungesa e strategjisë për zhvillimin ekonomik: Qytetarët po e paguajnë fakturën!

Opinione

Mungesa e strategjisë për zhvillimin ekonomik: Qytetarët po e paguajnë fakturën!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 5 shkurt 2026 Në ora: 18:40
Ismail Muçiqi

Që nga përfundimi i luftës, të gjitha qeveritë që kanë qenë në pushtet kanë dështuar katërcipërisht në studimin, hartimin dhe zbatimin e një plani strategjik afatmesëm dhe afatgjatë për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Në vend të vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, qytetarëve u janë ofruar vetëm premtime boshe gjatë fushatave zgjedhore, duke i mashtruar se zhvillimi ekonomik do të përshpejtohej përmes ndërtimit të kapaciteteve të reja dhe shfrytëzimit racional të resurseve natyrore që posedon Kosova. Në realitet, përmes procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe resurseve strategjike shtetërore, qeveritë jo vetëm që nuk e ngritën ekonominë e vendit, por e varfëruan dhe e kriminalizuan atë. Është e pajustifikueshme që Republika e Kosovës, edhe pas 26 vitesh liri, të përballet me mungesë të energjisë elektrike dhe reduktime të gjata, ndërkohë që posedon miliarda tonelata rezerva natyrore të thëngjillit dhe pasuri të tjera pa të cilat nuk mund të zhvillohet industria dhe ekonomia e një shteti. Këto dështime strukturore kanë prodhuar pasoja të rënda për qytetarët, të cilët sot përballen me gjendje të vështirë ekonomike, inflacion të lartë dhe rritje të vazhdueshme të çmimeve. Reagimet e ditëve të fundit lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike janë dëshmi e qartë e pakënaqësisë së akumuluar sociale. Se Kosova ka dështuar në të gjitha segmentet e planifikimit strategjik zhvillimor nuk ka nevojë për koment shtesë. Pas luftës u themeluan të ashtuquajtura institute dhe mekanizma këshillëdhënës për zhvillim ekonomik, por shumica e tyre mbetën vetëm në letër. Debatet televizive dhe tryezat e shumta shërbyen më shumë si farsë dhe retorikë boshe për një grup “ekspertësh” të vetëshpallur, pa ofruar asnjë elaborat konkret për ndryshimin e gjendjes ekonomike. Si pasojë e këtyre dështimeve, sot qytetarët po e paguajnë faturën e shtrenjtimit të energjisë elektrike, në një sistem energjetik që u privatizua – ose më saktë u falimentua – për vetëm 26 milionë euro. I njëjti skenar u përsërit edhe me privatizimin e fabrikave të vajit, të cilave iu ndryshua destinimi në interes të pronarëve privatë, duke dëmtuar interesin publik. Kjo politikë e gabuar u reflektua edhe në shkatërrimin e tokave pjellore, të cilat dikur ishin burim kryesor i prodhimit të drithërave dhe kulturave të tjera bujqësore. Këto toka u tjetërsuan nga mafia e egër e ndërtimit, e cila u shndërrua në shkatërruesen më të madhe të planit hapësinor të Republikës së Kosovës. Duhet theksuar se ish tokat e ndërmarrjeve shoqërore që ishin asete të popullit të Kosovës u privatizuan nga komandantët dhe oligarkët e tyre. Të gjitha këto dukuri negative e goditën rëndë qytetarin e zakonshëm, veçanërisht gjeneratën e re, e cila u detyrua ta lëshojë atdheun për të migruar drejt vendeve të Evropës. Siç kemi theksuar edhe më herët, njerëzit e politikës që u vendosën në institucionet e shtetit janë ata që e sollën popullin në këtë gjendje të rëndë socio-ekonomike, duke u pasuruar për veten dhe familjen e tyre e në anën tjetër duke krijuar klasa të varfëra në shoqërinë Kosovare. Këtë realitet e dëshmojnë faturat mujore të energjisë elektrike, të ujit dhe mbeturinave, tatimet komunale, shpenzimet për barna, ushqim, ngrohje dhe lëndë djegëse. Të gjitha këto janë bërë barrë e papërballueshme për pjesën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, të cilët me të ardhurat mujore apo me pensionet që marrin nga shteti nuk mund të sigurojnë një jetë normale dhe dinjitoze për vitet e tyre të mbetura. Andaj në fund të këtij vështrimi më thotë mendja se qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës prioritet mbi prioritete të zhvillimit ekonomikë duhet ta ketë ndërtimin e kapaciteteve të reja përkatësisht ndërtimin e një termocentrali së paku me një kapacitet prej një mijë megavatësh, këtë e kërkon koha dhe momenti për ti hapë rrugë nismës së mbarë të zhvillimit ekonomiko-shoqërorë të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat