Format ngatërruese me qëllim të caktuar, kinse “naive”, rafinesa të radhës dhe degjeneruese të luftës hibride!

Opinione

Format ngatërruese me qëllim të caktuar, kinse “naive”, rafinesa të radhës dhe degjeneruese të luftës hibride!

Nga: Sabahate Byci Më: 11 mars 2026 Në ora: 08:20
Autorja Sabahate Byci

Si sot më kujtohet kur isha në shkollë fillore në qytetin tim të lindjes, në Gjakovë, kur gjenerata jonë, falë organizimeve të qëlluara, përpos tensioneve të shumta dhe permanente të regjimit (çetnik) serbo-shovinist – të udhëheqësve të arsimit të Kosovës së kohës në fjalë – me kurrikulën didaktike (që do të thotë koncepti qendror i pedagogjisë që merret me planifikimin, strukturën dhe zbatimin e proceseve të mësimdhënies) për gjeneratat në vazhdim, përpiloi aplikimin e gjuhëve të huaja sipas dëshirës së nxënësve, jo si në gjeneratat e mëparshme që e kishin obligim gjuhën ruse, madje edhe atë serbokroate.

Me këtë rast, nga fillimi i gjeneratës sonë shkollore na u dha mundësia që të zgjedhim gjuhën e huaj, atë në mes të rusishtes dhe anglishtes, ndërsa gjuha serbe mbeti vullnet i dëshirës dhe jo obligim, taktikë e regjimit të ish-(serbo)Jugosllavisë me qëllim që ne shqiptarët, në aspektin e zotimit të njohjes së gjuhëve të huaja, të mos civilizohemi.

E unë, në të kundërtën, përpos parashikimeve jo të këndshme dhe sugjestive të shoqeve e shokëve të mi nxënës, përveç gjuhës angleze – e jo ruse – vendosa ta mësoj edhe gjuhën serbishte (që quhej gjuhë serbokroate), me pretendimin tim si përgjigje adekuate për ta, domethënë për shokët dhe shoqet e mia:

Gjuhën e okupatorit të të parëve tanë ilirë, rusishten, kurrë s’do ta mësoj; por gjuhën e hasmit tonë shekullor, serbishten, do ta mësoj, ani pse nuk e kemi obligim, sepse duke e ditur gjuhën armike të tyre çetnike fashistoide nuk do ta anashkaloj mundësinë e kuptimit të planeve të tyre, herëdokur që do të jetë nevoja.

Dhe ja!

Para tri ditësh – (sot jemi më 10.03.2026) – në portalin KoSSev në veri të qytetit tonë, Mitrovicë, u publikua intervista e ministrit për Komunitete dhe Kthim, përkatësisht në kanalin radiofonik serb në truallin e shtetit tonë të shenjtë, Kosovën Dardani, titulli i të cilit veçse tregon se si serbët e konsiderojnë dhe e respektojnë shtetin tonë, Kosovën Dardani.

Shikoni titullin e portalit, që në vete metaforikisht kishte dy kuptime:

KoSovo SeRbia večno = KoSSev

Që në gjuhën tonë mbretëreshë, shqipe, do të thotë:

Kosova Serbi përgjithmonë.

Ose:

KoSovo Sev(er) = KoSSev

Që do të thotë:

Veriu i Kosovës.

Pikërisht për këtë kam bërë shumë mirë që e kam mësuar këtë gjuhë barbare, të cilën e kam nën pushtet e nën shtet.

Dhe tani po i kthehem esencës së këtij shkrimi, apo opinionit tim të radhës, për leximin e të cilit çdo lexuesi të këtij portali fenomenal Bota Sot, përzemërsisht i falënderohem.

Momentalisht, në kohët e sotme, pothuajse kur gati i gjithë njerëzimi në çdo cep të rruzullit tokësor po mundohet ta gjejë veten sa më shpejt drejt një civilizimi sa më efikas të inteligjencës artificiale, madje me një vrapim “maratonik” dhe me çdo çmim, në të shumtën e rasteve duke u bazuar në faktet e formateve të kombinuara të forcave ushtarake me metoda të fshehta jo-ushtarake, automatikisht na jep të kuptojmë se lufta hibride veçse ka hyrë thellë në palcën kurrizore të shumicës së qenieve njerëzore, duke i çnjerëzuar ato pa iu shpallur luftë të hapur.

Kryesisht, aktorët e luftërave hibride janë si fantoma, të paidentifikuar dhe me një vështirësi të paparë e bëjnë të pamundur çdo përgjigje të drejtpërdrejtë.

Dhe pikërisht kjo pjesë e njerëzimit, domethënë protagonistë të caktuar, po i aplikojnë taktikat rafinuese e ngatërruese “naive”, si turbullimi i vijave ndarëse në mes të luftës dhe paqes, për të destabilizuar kundërshtarët me metoda të ndryshme kibernetike, me dezinformata – që të mos them me gënjeshtra – me presione ekonomike dhe me sabotazhe të llojeve të ndryshme, të specifikuara konform karakterit të tyre.

Po kështu ndodhi edhe me intervistën në radion në veri të Mitrovicës sonë, të shtetit tonë Kosovë Dardani, me ministrin e lartpërmendur, intervistë të cilën në kanalin YouTube e shikova dhe e dëgjova. Po ashtu, me vëmendje vërejta se si i njëjti, pas asaj interviste, publikisht deklaroi se ishte ngatërruar; me ç’rast, në një formë totalisht të rafinuar, kinse naive e ngatërruese, ai në mënyrë eksplicite kishte përdorur metodën, përkatësisht “luftën hibride”, e cila në formë rapide saora e turbulloi – madje shumë – një masë të opozitës së Kosovës, duke e “gjuajtur gurin e duke fshehur dorën”.

P.S.

Sipas mendimit tim, protagonistët kryesorë të luftës hibride janë personat të cilët, përveçse e “gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën”, ndërgjegjen e kanë shtëpi të veprave të tyre.

Sabahate Byci – Autore

10.03.2026, e martë, 21:18

Gjermani

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat