Arsimi në Kosovë historikisht ka kaluar nëpër faza të vështira. Pas Luftës së Dytë Botërore, arsimit në Kosovë i është kushtuar pak rëndësi për dy shkaqe: për shkak të vetëdijes së ultë të popullatës për t'i shkolluar fëmijët e tyre dhe kushtet e rënda ekonomike, si dhe mungesa e infrastrukturës shkollore.
Edhe influenca e religjionit islamik tek shqiptarët ka ndikuar negativisht në zhvillimin e arsimit në Kosovë. Në këtë periudhë, sipas normave religjioze islame, thuhej se shkollimi i femrave është mëkat.
Pra, sfidat nëpër të cilat ka kaluar zhvillimi i arsimit të shqiptarëve në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore kanë qenë të shumta. Por gradualisht, këto sfida janë tejkaluar me kontributin dhe sakrificën e mësuesve shqiptarë, të cilët kanë pasur rol të shumëfishtë në edukimin e gjeneratave dhe në bindjen e familjeve shqiptare se shkollimi i fëmijëve të tyre është në interes të tyre dhe në interesin më të mirë të shoqërisë dhe kombit.
Më vonë, arsimi në Kosovë ka marrë zhvillim të hovshëm, veçanërisht me arritjen e Autonomisë së Kosovës. Rrjeti i shkollave është përhapur edhe në ato vendbanime ku dikur nuk mund të shkohej as në këmbë për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore.
Për t'i mos elaboruar vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar arsimi në Kosovë në këtë periudhë, po përmendim se, megjithë ato vështirësi të shumta, suksesi në procesin edukativo-arsimor nuk ka munguar. Dikujt mund t'i dukej iluzion, por vërtetë kjo është periudha që ka dhënë akademikë dhe shkencëtarë shqiptarë, të cilët më vonë kanë themeluar fakultete dhe Universitetin Publik të Prishtinës, siç ishin Akademik Dr. Prof. Feriz Krasniqi, Akademik Dr. Prof. Dervish Rezhaja e shumë të tjerë.