Kur sakrifica kolektive privatizohet, vetvetiu cenohet dinjiteti i popullit

Opinione

Kur sakrifica kolektive privatizohet, vetvetiu cenohet dinjiteti i popullit

Nga: Lirim Gashi Më: 9 prill 2026 Në ora: 12:32
Lirim Gashi

Rezistenca e UÇK-së për liri, pavarësi dhe dinjitet nuk ka nevojë për komisione amatore që marrin guximin t’ia matin vlerën – aq më pak kur ato përbëhen nga individë, autoriteti profesional dhe moral i të cilëve është jo vetëm i diskutueshëm, por edhe i dyshimtë.

Si mund të përcaktohet vlera e një veprimi që, në thelbin e tij, përbën tashmë një vlerë sublime kombëtare – të njohur dhe të mbështetur jo vetëm nga fuqitë më të mëdha politike, ekonomike dhe ushtarake të kohës, por edhe nga parimet universale të Iluminizmit dhe nga konventat ndërkombëtare që burojnë prej tyre?

Problemi ynë nuk qëndron në mungesën e njohjes së vlerave të luftës çlirimtare.

Problemi ynë qëndron te disa komandantë që e marrin guximin t’i monopolizojnë meritat e luftës, për ta nxjerrë prej tyre një të drejtë të rrejshme mbi përvetësimin e pasurisë së popullit dhe të shtetit.

Por ky nuk është thjesht një devijim moral individual – është një krizë e thellë e ndërgjegjes kolektive dhe e rendit institucional.

Nga këndvështrimi etik, përvetësimi i meritave të përbashkëta është forma më e rafinuar e padrejtësisë.

Sepse lufta çlirimtare, si akt kolektiv, nuk mund të reduktohet në kapital marramendës të individëve të veçantë.

Ajo është një sakrificë e shpërndarë në qindra mijëra jetë, në dhimbje të panumërta dhe në një vullnet të përbashkët që nuk njeh pronar.

Ta shndërrosh këtë dhimbje kolektive në pronë private do të thotë ta cenosh vetë themelin moral mbi të cilin ajo është ndërtuar.

Nga këndvështrimi politik, kjo sjellje prodhon deformim të demokracisë.

Sepse kur meritat e luftës keqpërdoren si monedhë për pushtet, krijohet një kastë e paprekshme që e sheh shtetin si vazhdim të luftës me mjete të tjera primitive – këtë herë për përfitime personale.

Kjo e zëvendëson legjitimitetin demokratik me një legjitimitet të vetëshpallur dhe e zhvendos sovranitetin nga qytetari i zakonshëm tek individët e privilegjuar dhe të glorifikuar.

Nga këndvështrimi juridik, përvetësimi i pasurisë publike në emër të meritave të luftës përbën shkelje të drejtpërdrejtë të parimit të shtetit ligjor.

Sepse shteti nuk mund të funksionojë mbi bazën e meritave historike, por mbi bazën e barazisë para ligjit.

Prandaj çdo përpjekje për ta justifikuar përvetësimin përmes së kaluarës është, në thelb, një tentativë për ta vendosur një rend paralel përkrah atij kushtetues.

Nga këndvështrimi sociologjik, ky fenomen krijon një kulturë të rrezikshme, ku suksesi nuk matet me kontributin aktual, por me kapitalin e trashëguar nga e kaluara.

Kjo sjellje mercenare i demotivon brezat e rinj, e nxit hipokrizinë dhe cinizmin e tyre dhe e dobëson besimin e tyre në drejtësi dhe meritokraci.

Sepse shoqëria fillon të strukturohet jo mbi baza vlerash, por mbi baza privilegjesh të pamerituara.

Nga këndvështrimi historik, çdo shoqëri që ka lejuar privatizimin e lavdisë kolektive ka përfunduar duke e deformuar kujtesën e saj historike.

Sepse kur kujtesa historike kolektive deformohet, ajo shndërrohet në një narrativë të kontrolluar nga përfituesit e saj të cilët paraprakisht e zhveshin nga e vërteta dhe e shndërrojnë nê instrument pushteti.

Prandaj, kjo çështje nuk është vetëm morale apo politike – është çështje ekzistenciale për vetë shoqërinë dhe shtetin.

Sepse në momentin kur sakrifica kolektive privatizohet, liria pushon së qeni një e drejtë e përbashkët shoqërore dhe shndërrohet në një pronë të uzurpuar nga pak njerëz.

Dhe pikërisht aty fillon fundi i dinjitetit të një populli.

Është pothuajse e pamundur për mua të bëhem bashkëautor i një vetëdijesimi kolektiv në një shoqëri që jo vetëm nuk e njeh profesionalizmin si vlerë, por që e përqesh atë me një vetëdëmtim të habitshëm, vetëm e vetëm që të mbetet e marrë peng nga politikanët kriminalë, lakmitarë dhe të pabesë, të cilët e përfaqësojnë pikërisht në atë nivel mjeran që ajo vetë e ka pranuar si normë.

Në një realitet të tillë të përmbysur, individi që guxon t'i zbulojë të vërtetat nuk është thjesht i padëshiruar – ai shndërrohet në kërcënim. Jo për shkak të asaj që është, por për shkak të asaj që zbulon.

Sepse në një sistem të ndërtuar mbi mashtrimin dhe vetëmashtrimin, e vërteta nuk shihet si virtyt – shihet si sabotim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat