Dështimi i tre grushteve politike të shtetit të opozitës në Kosovë

Opinione

Dështimi i tre grushteve politike të shtetit të opozitës në Kosovë

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 10 prill 2026 Në ora: 09:26
Skënder Sadri Kapiti

Grushtet parlamentare të opozitës në Kosovë. Opozita politike në Kosovë sillet dhe vepron politikisht kundër shtetit, legjitimitetit demokratik dhe Kushtetutës. Kjo veprimtari e saj nuk është vetëm sot, kur grushti presidencial i Vjosa Osmanit me opozitën politike tentuan një grusht parlamentar që kulmoi me nxjerrjen e dekretit presidencial për shpërndarjen e parlamentit.

Mos të harrojmë edhe turpin e madh të kësaj opozite me grushtin parlamentar, atë puç komplotues, kur opozita e atëhershme që është edhe kjo e sotmja rrëzoi qeverinë dhe legjitimitetin demokratik të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019. Mocioni i Isa Mustafës ishte kulmi i një amoraliteti politik, kulmi i degradimit të një partie politike si LDK-ja, e cila në vazhdimësi vetëm sa është tkurrur në rënie të lirë, si një parti satelite e PDK-së. Puçistët e grushtit parlamentar në Kosovë, në mënyrë të paligjshme dhe në kushtet e pandemisë globale të koronavirusit, duke e shfrytëzuar atë si aventurierë politikë, të pabesë e frikacakë që janë, gjetën këtë moment aspak normal pandemie për realizimin e komplotit të tyre, pasi e dinin se nuk do të reagonte populli për shkak të kërcënimit ku ndodhej atëherë njerëzimi dhe bota prej pandemisë. Ky ka shënuar kulmin e një amoraliteti politik të pashëmbullt të opozitës në Kosovë, atë të shkaktimit të një krize politike kur bota dhe njerëzimi ishin në krizën e koronavirusit.

Opozita politike në Kosovë shkaktoi edhe një krizë tjetër parlamentare më pas, atë të moszgjedhjes së kryeparlamentarit të Kosovës, duke goditur përsëri legjitimitetin demokratik, besimin dhe votimin që buron nga verdikti popullor i zgjedhjeve të 9 Shkurtit 2025, kur verdikti demokratik popullor ia dha fitoren përsëri Kurtit dhe LVV-së, gjë që e çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme më 28 Dhjetor 2025, ku Kurti fitoi edhe më thellë, mbi 50%.

Tani së fundmi, opozita politike, së cilës iu bashkua edhe ish-presidentja Osmani, tentoi të bënte një grusht tjetër institucional kundër legjitimitetit demokratik të zgjedhjeve të 28 Dhjetorit 2025, ku stafetën e këtij puçi e mori Vjosa Osmani, tashmë ish-presidente, e cila nxori një dekret antiligjor e antikushtetues për zgjedhje të jashtëzakonshme me qëllim të rrëzimit të qeverisë legjitime Kurti. Por opozita politike në Kosovë duhet ta dijë se ajo tashmë është tërësisht e lexueshme dhe e kuptueshme, e dështuar dhe e pabesueshme, dhe përditë, po të mbahen zgjedhje parlamentare, ajo e ka të sigurt humbjen dhe gjithnjë e më të thellë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat