Kosovës nuk i duhet një tjetër cikël krizash

Opinione

Kosovës nuk i duhet një tjetër cikël krizash

Nga: Nijazi Halili Më: 2 shtator 2026 Në ora: 11:18
Nijazi Halili

Politika duhet të dalë nga mentaliteti i vjetër dhe ta vendosë interesin e shtetit mbi kalkulimet partiake.

Kosovës nuk i duhet një tjetër cikël krizash politike dhe institucionale. Pas një periudhe të gjatë përplasjesh, kalkulimesh partiake dhe pasigurie institucionale, vendi ka nevojë për stabilitet, përgjegjësi dhe një orientim të qartë shtetëror.

Politika kosovare duhet të kuptojë se Kosova ka ndryshuar, por mentaliteti politik nuk ka ndryshuar sa duhet. Ende shpesh mendohet me logjikën e interesit partiak dhe të pushtetit të radhës, në vend që të mendohet për interesin afatgjatë të shtetit.

Në këtë kuptim, marrëveshja LVV - LDK për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President duhet të jetë më shumë se një kompromis politik. Kjo duhet të jetë një mundësi për të dalë nga rrethi vicioz i krizave dhe për të dëshmuar se politika mund ta vendosë interesin shtetëror mbi kalkulimet partiake.

Profili akademik, diplomatik dhe kushtetues i Bekim Sejdiut e bën këtë kandidaturë një moment të rëndësishëm për reflektim politik. Por përgjegjësia për stabilitetin institucional nuk i takon vetëm kandidatit. Kjo u takon të gjitha partive politike dhe deputetëve të Kuvendit.

Kosova ka nevojë për një mentalitet të ri politik, nuk mund të ndërtojmë shtet të fortë me mentalitet të vjetër politik.  Nuk mund të kërkojmë integrim evropian, zhvillim ekonomik dhe forcim të partneriteteve strategjike, ndëri sa vazhdojmë të prodhojmë kriza të njëpasnjëshme.

Pushtetet janë të përkohshme, partitë ndryshojnë dhe liderët kalojnë. Shteti mbetet. Prandaj, sot politika kosovare duhet të bëjë një zgjedhje të qartë a, të vazhdojë me kalkulimet partiake apo të mendojë më në fund si shtet.

Kosovës nuk i duhet një tjetër cikël krizash. I duhet një kapitull i ri politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat