Kjo pyetje prek një debat të madh në filozofinë politike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. A thua fundi i Luftës së Ftohtë ishte fitore përfundimtare e demokracisë liberale, apo Frensis Fukujama këtë ngjarje e interpretoi në mënyrë shumë optimiste? Muri i Berlinit ra më 9 nëntor 1989. Kjo ngjarje e simbolizoi dobësimin e regjimeve komuniste në Evropën Lindore dhe fundin e ndarjes së Evropës në dy blloqe rivale. Fukujama rënien e tij e interpretoi si fitoren përfundimtare të demokracisë liberale, si dhe si fundin e konfliktit ideologjik.
Kjo, siç duket, nuk është edhe aq përfundimtare sa u përpoq t’i shpjegonte i njëjti ndodhitë e asaj kohe. Për faktin se, viteve të fundit, ngjarjet në skenën ndërkombëtare morën kahje tjetër, duke i pasur parasysh të njëjtat, tani parashtrohet pyetja shumë logjike: a thua vallë Fukujama ishte shumë optimist me teorinë e tij për “Fundin e Historisë”?
Jo, Francis Fukujama nuk bëri ndonjë gabim, por teza e tij është keqkuptuar. Kur e botoi librin e tij të famshëm “Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit” në vitin 1992, Fukujama nuk tha se nuk do të ndodhte më asgjë në botë, si luftërat, krizat ose zgjedhjet. Ndërsa ngjarjet e fundit gjeopolitike, si lufta në Lindjen e Mesme, ajo në Ukrainë apo ngritja e Kinës, mund të duken se e kundërshtojnë atë në shikim të parë, por është shumë e rëndësishme të kuptohet se çfarë nënkuptonte ai në të vërtetë me “Fundin e Historisë”.
Çfarë tha në të vërtetë Fukujama?
Për Fukujamën, historia i referohet evolucionit të sistemeve kryesore ideologjike të njerëzimit (monarkia, fashizmi dhe komunizmi). Pasi ra Muri i Berlinit dhe u shemb BRSS-ja, ai pohoi se demokracia liberale dhe kapitalizmi e përfaqësonin kulmin e këtij evolucioni ideologjik. Sipas tij, asnjë model tjetër superior ose më i qëndrueshëm nuk mund ta konkurronte të njëjtin në shkallë globale.
Çfarë u keqinterpretua?
Shumë komentues menduan se ai po parashikonte një botë paqësore, të qëndrueshme dhe pa konflikte. Megjithatë, vetë Fukujama kishte paralajmëruar që në fillim se tranzicioni do të ishte i dhunshëm, se luftërat lokale do të vazhdonin dhe se modeli demokratik mund të ngecte ose të pësonte regres të përkohshëm në rajone të caktuara.
Si qëndron teza e tij sot?
Edhe pse ai menjëherë e pranoi se i ka nënvlerësuar disa vështirësi, veçanërisht rëndësinë thelbësore të qeverisjes së mirë dhe shkatërrimet e populizmit, qëndrimi i tij themelor mbetet i pandryshuar. Regjimet autoritare si Kina dhe Rusia e sfidojnë Perëndimin, por ato nuk ofrojnë një ideologji të përgjithshme që njerëzit në mbarë botën do ta përqafojnë në mënyrë aktive.
Sipas tij, demokracia liberale mbetet i vetmi horizont politik që thellësisht e plotëson nevojën e qenieve njerëzore për njohje dhe liri.
Në fund, Fukujama nuk gaboi në lidhje me faktet të cilat vazhdojnë të grumbullohen, por formulimi shumë provokues i librit të tij i shtyu komentuesit që t’i interpretonin tezat e tij tepër gjerë.