A e kapërceu Kosova sfidën e integrimeve euro-atlantike?!

Opinione

A e kapërceu Kosova sfidën e integrimeve euro-atlantike?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 9 tetor 2026 Në ora: 10:00
Fotoilustrim

Periudha nga 9 shkurti i vitit 2025 e deri më 6 tetor 2026 do të kujtohet në historinë e Kosovës si kohë krize institucionale e shkaktuar nga inatet politike dhe personale politikanëve të saj. Zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar nuk prodhuan një mazhorancë të konsoliduar as për formimin e qeverisë dhe të kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Albin Kurti u detyrua të hiqte dorë nga posti i kryeministrit dhe këtë detyre t’ia kalonte Glauk Konjufcës, por as kjo lëvizje asokohe nuk e bindi opozitën që ta votojë ose të bëjë marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen. Prandaj Kosova erdhi te zgjedhjet e 28 dhjetprit të atij viti. Në këto zgjedhje Vetëvendosja dhe deputetët e pakicave joserbe formuan shumicën absolute në parlament, gjë që vlente për krijimin e qeverisë dhe kryesisë së parlamentit, por jo edhe për zgjedhjen e kreut të shtetit, mandati i së cilës (Vjosa Osmanit) mbaronte pak javë më vonë, më 6 prill 2026.

Procesi i votimit dhe dështimit të zgjedhjes së presidentit të vendit i zhvilluar në pranverën e këtij viti ishte dramatik. Inate, ambicie, akuza, kundërakuza, intriga, kërcënime, shkelje me këmbë e kundërshtarit, çfarë nuk pamë në atë proces diskutimesh, takimesh dhe debatesh. Kryeministri i vendit u bë tabelë qitjeje si “njeriu që nuk dëshiron të krijojë institucionet”, si “pesoni që dëshiron t’i kapë vetë të gjitha institucionet” gjithashtu e plot akuza të tjera si këto. Karakteristikë e përbashkët e të gjitha këtyre akuzave ishte se ato u artikuluan gjithnjë në kohën e ardhshme e në mënyrën dëshirore. Analistët përkrahës të opozitës dhe opsioneve serbe për Kosovën “kishin hyrë në trurin e kryeministrit” dhe kishin mësuar se ai “dëshiron të bëhet diktator”, se ai “kishte ndërmend ta kishte postin e presidentit për veten e tij”, se Albin Kurti “ishte madje spiun i Serbisë” e shumë fantazi të tjera.

Kësisoj procesi i zgjedhjes së presidentit të vendit dështoi sërishmi. Si për ironi të fatit emri i dështuar për këtë post ishte sërishmi ai i Glauk Konjufcës, por në fund edhe i një personazhi tjetër të shoqërisë civile. Kosova shkoi kështu në zgjedhje të reja të parakohshme, të cilat u zhvilluan më 7 qershor të këtij viti. Zgjedhjet e 7 qershorit prodhuan thuajse të njëjtin parlament si edhe zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Me pak ndryshime. Edhe në këto zgjedhje mazhoranca ishte solide dhe mund ta zgjidhte pa nevojën e një koalicioni qeverinë si edhe kryesinë e kuvendit, gjë që ndodhi pa vështirësi brenda afatevekushtetuese. Problemi ishte përsëri zgjedhja e presidentit.

U duk se një marrëveshje midis Albin Kurtit të Vetëvendosjes dhe Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike do a zgjidhte ngërçin dhe kriza institucionale do të përfundonte. Por fatkeqësisht në LDK dolën kundër gjithsej gjashtë deputetë. Paradoksi është se këta deputetë qëndruan në sallë kur më 6 tetor u zgjodh presidente Justina Shiroka – Pula, ndërkohë që patën kundërshtuar me forcë zgjedhjen e një presidenti të afërt me Lidhjen Demokratike, zotin Bekim Sejdiu. Nuk e di se si mund të shpjegohet ky fenomen. Të kundërshtosh kandidaturën e partisë tënde për kreun e snhtetit dhe ta pranosh kandidaturën e një partie tjetër opozitare, përkatësisht të Partisë Demokratike, sigurisht duke qëndruar në sallë, është një risi që kërkon hulumtim dhe kërkim shkencor në psikologjinë politike. Më së shumti duhet besuar se këta gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike kokën e kanë në PDK dhe trupin në LDK.

Por ama me 6 tetor nga oxhaku i Parlamentit të Kosovës doli tym i bardhë. Tymi i bardhë doli në fakt disa minuta pas datës 6 tetor. Megjithatë unë besoj se kjo nuk përbën as problem kushteteus, as problem ligjor, sepse koha e tejkaluar ishte vazhdim i procesit që kishte nisur në kohën ligjore. Ishte si të thuash koha shtesë e një loje futbolli. Dhe si e tillë duhet kuptuar dhe interpretuar. Tymi i bardhë i 6 tetorit ose më saktë i minutave të parë të 7 tetorit, erdhi pas kompromisit midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për të votuar ligjin për disa ndryshime në funksionimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Albin Kurti ia arriti që miratimin e këtij ligji ta çojë në limitet e kohës dhe ta detyronte opozitën kryesore ta votonte kandidaturën e zonjës Shiroka-Pula si kryetare të shtetit.

Me këtë akt kryeministri Kurti jo vetëm i dha fund krizës institucionale, por shvleftësoi të gjitha akuzat që përmenda më lart të parashikuara për kohën e ardhshme dhe në mënyrën dëshirore të analistëve dhe kundërshtarëve politikë të tij. Dmth u provoi shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës se vendi nuk ka një kryeministër autokrat, se kreu i ekzekutivit nuk ka për qëllim të përqëndrojë pushtetin dhe të gjitha pushtetet në duart e tij etj. Kështu që opozita e konsumoi përfundimisht veten e saj me akuza të tilla. Që do të thotë se ajo në të ardhmen do të duhet të gjejë narrativa dhe akuza të tjera, të reja kundër Kurtit dhe qeverisë së tij.

Pavarësisht kësaj Kosova gjendet para sfidave të mëdha. Shumë thonë se sfidë është dialogu me Serbinë. Unë besoj se kjo sfidë është kapërcyer. Serbia e njeh më shpejt Kosovën, nëse nuk bisedohet me të dhe nëse ajo i dëshmon Beogradit se shteti i Kosovës ekziston dhe konsolidohet pavarësisht vullnetit të Serbisë. Prandaj vlerësoj se sfida kryesore janë përpjekjet e Kosovës dhe lidershipit e institucioneve të saj për ta çuar vendin në Aleancën Atlantike dhe në BE. Kjo është sfida kryesore. Integrimi në BE do të pengohet sërishmi tashmë prej ligjit që u miratua më 6 tetor për disa ndryshime në funksionimin e Gjykatës me seli në Hagë. Europianët nuk do të pajtohen me këtë ligj, i cili më së shumti ka për qëllim të pengojë arreste të tjera nga ana e kësaj gjykate dhe prokurorisë Speciale, sesa kthimin mbrapsht të vendimit që u mor më 16 shtator për dënimin e katërshes së ish-komandantëve të luftës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat