Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Hisen Berisha, i ka kërkuar së fundmi kryeministrit Albin Kurti, që ta përmbyll dialogun me Serbinë me marrëveshje.
Ai ka thënë se Hashim Thaçi e solli pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar edhe nga Kurti që të bëjë "diçka të madhe që të mbetet në memorien e historisë për vlera".
“Mbylle problemin me Serbinë kryeministër ashtu siç e solli Hashim Thaçi pavarësinë, ndërto shkolla ose avancoje sistemin arsimor sepse pa një bazë të fortë arsimore nuk ka as edukim patriotik për ta dashur vendin. Bëjë diçka të madhe kryeministër që të mbetesh në memorien e historisë për vlera. Kryeministër prej 2014 kur PDK nuk udhëheq më Qeverinë dhe stërkeqes që i keni bërë ju si opozitar, Kosova përparim nuk ka bërë më“, ka deklaruar Hisen Berisha në një nga seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës.
Lidhur me këtë deklaratë të deputetit të PDK-së, ka komentuar publicisti i njohur Idriz Zeqiraj.
Ai ka thënë për gazetën "Bota sot", se gjenerali i Koshares ka befasuar me hyrjen e tij në PDK. Sipas tij, Berisha po përpiqet të përmirësojë imazhin e kësaj partie, të rënë përtoke.
"Komandanti markant i Kosharës heroike, gjeneral Hisen Berisha, rishtar i organizuar në PDK, ka befasuar skajshëm, me përzgjedhjen e tij partiake. Ndonëse i pakonsumuar, energjik dhe gojëtar i zhdërvjelltë, ka paraqitje të shpeshta publike, në veçanti, mediale. Shumë aktiv në agjitimin partiak, në përpjekje për ta përmirësuar imazhin e përtokur të PDK-së, fort të përfolur për krime seriale dhe hajni industriale zyrtare", ka thënë njohësi i zhvillimeve politike.
Duke vlerësuar angazhimin e tij ushtarak për lirinë e Kosovës, Zeqiraj ka treguar se si ishte takuar nëntorin e kaluar me Berishën, në një rast morti.
Ai thotë se gjatë takimit, i ishin kujtuar dida komandantë, të cilët, sipas tij, "në mënyrën më të vrazhdët e bizare e keqpërdorën, deri në përdhosje luftën".
"Dihet angazhim luftarak për çlirim dhe liri i Gjeneralit. Si pinjoll i Familjes luftarake e fisnike të Agës së Rashkocit, tradita vazhdon. Por, liria pa demokraci, është e mangët. Kosova u përgjak nga bijtë e saj bastardë, gjatë dhe pasluftës, nga bijtë e saj bastardë, duke ua ngrirë buzëqeshjen shqiptarëve të kudondodhur.
Në nëntorin e vjetmë, u takuam në Koshare, kur po i jipnim lamturmirën një djalit tonë, ish-ushtar në luftën e Kosharës - Gjeneral Berisha, preferoni t`ju quajmë Komandant apo Gjeneral, - e pyeta unë? - Ju, modestisht, u gjegjet: "Si të dëshironi".
Nuk e zgjata më tej, sepse ishte rast i rëndë morti. Mendja më shkoi tek disa komandantë, të cilët, në mënyrën më të vrazhdët e bizare e keqpërdorën, deri në përdhosje këtë emërtesë shumë domëthënëse. Dëshmi të krimeve janë varret, bustet, pllakat përkujtimore e deri shtatoret e kolegëve tuaj FARK-istë; kuadro dhe veprimtarë të LDK-së; si dhe viktimat, brenda llojit, kuadro të hershme të LPK-së", është shprehur publicisti për gazetën.
Zeqiraj tutje ka përmendur edhe deklaratën e ish-kryeministrit në ekzil Bujar Bukoshi, për vrasjet e "shqiptarëve të kryera nga shqiptarët", duke thënë se ajo ishtë bërë lajm nga mediat më prestigjioze botërore.
"Tashmë, soldateska serbo-sllave ishte përzënë nga Kosova, nga NATO-pakti, vrasja e shqiptarëve bëhej nga shqiptarët. Për këto krime, kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, alarmoi botën, përmes mediave më prestigjioze botërore, si "Nju Jork Times" amerikane, "Der Spiegel" gjermane dhe të tjera.
"Der Spiegel"- citon kryeministrin Bujar Bukoshin: "Pas luftës u bënë spastrimet më mizore, në mesin e shqiptarëve, me pretekstin se ishin "bashkëpunëtorë të serbëve", krerët e UÇK-së likuiduan kundërshtarët e tyre politikë. Numri i viktimave është mbi 1.000". E gjithë akuza ishte në adresë të Hashim Thaçit.
Gazeta amerikane "Nju Jork Times", intervistoi kryeministrin Bukoshi: "Të gjithë në Kosovë e dinë, por askush nuk guxon të flasë për këtë, krimet. Hashim Thaçi, Rugovën, Bukoshin dhe Komandantin e FARK-ut, Rrustem Berishën, i ka cilësuar "tradhtarë që së shpejti do të dënohen"!", ka thënë publicisti.
Zeqiraj ka nxjerr në pah dy "huqje" të gjeneralit Berisha. E para lidhet me SHIIK-un.
"Huqja e parë e Gjeneral Hisen Berishës, është përpjekja e legalizimit dhe e rehabilitimit të Organizatës ilegale SHIK. Është e saktë se kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, i kërkoi bashkëpunim Presidentit Rugova. Por, ishte tepër vonë, sepse krimet makabre, tashmë, kishin ndodhur.
"Me ty do të kryejmë punë shumë shpejt",- i tha Hashim Thaçi, me telefon, Kolonel Ahmet Krasniqit. Dhe, pas pak javësh, koloneli u vra! A vritet Ministri i Luftës, në vlugun e luftës?! Dhe, kjo ka mjaftuar që Dr. Rugova të refuzojë çfarëdo bashkëpunimi me SHIK-un, njëjtë siç veproi dhe refuzoi Qeverinë e Përkohshme të Hashim Thaçit", ka thënë Zeqiraj.
Ndërsa, "huqje e dytë e madhe" e Berishës, siç ka vlerësuar publicisti, është deklarata e tij se "Thaçi e solli pavarësinë".
"Huqja e dytë e madhe e Gjeneral Hisen Berishës, është deklarata në seancën e Kuvendit: "Albin, përmbylle problemin me Serbinë, ashtu siç e solli Hashim Thaçi pavarësinë"!? Thënë troç, Thaçi nuk e ka sjellur pavarësinë. Përkundër, me arrivizmin, karrierizmin e tij të shfrenuar, bëri atë që nuk i takonte, lexoi, dhunshëm, Deklaratën e Pavarësisë, me mendjen e tij fyçkë, se do të hynte në histori, si Ismail Qemali!
Më 17 shkurt 2008, nuk po pavarësohej Qeveria, por, Shteti i Kosovës. Atëherë, pse duhej ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë kryeministri, kur në sallë ishte shefi i shtetit, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi?! E pakta që mund të bënte presidenti Sejdiu dhe deputetët e LDK-së, duhej të kundërshtonin dhe reagonin, deri në lëshimin e sallës kuvendore. Pikërisht, ambicia karrieriste e shpuri Hashimin në krime", ka theksuar njohësi i çështjeve politike në Gjermani./Botasot