Zgjedhjet e Serbisë për të u mbajtur në Kosovë janë një nga temat më aktuale në vend.
Lejimi i tyre në Kosovë sipas kryeministrit Kurti nuk do të ndodhë, përcjell “Bota sot”.
Mirëpo padyshim që kjo ka ngjallur reagime si në vend edhe ashtu tek ndërkombëtarët.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisi politik Leon Duhanaj, i cili u shpreh se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë është shkelje e një shteti sovran dhe nuk duhet të lejohet.

“Çështja e organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nga njëra anë është temë tejet komplekse, pasi që Serbia me ketë prezanton para publikut të vetë të brendshëm se kanë një formë të sovranitetit mbi Kosovën. Po ashtu në baza parimore e Kushtetuese është në kundërshtim të plotë me rregullat dhe traditat në marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi që konsiderohet shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të një shteti sovran. Zgjedhje të lejueshme, të ligjshme do të konsideroheshin mundësia e organizimit të tyre në përfaqësitë e shtetit fqinjë në Kosovë, në ketë rast zyra ndërlidhëse”, u shpreh ai.
Më tej, Duhanaj thotë që kemi pasur praktika të mëhershme ku Kosova në koordinim me faktorin ndërkombëtar janë lejuar mbajtja e zgjedhjeve në territorin e saj mirëpo së fundmi nga Kosova është refuzuar një gjë e tillë.
“Nga ana tjetër, kemi edhe praktikat e mëhershme ku Kosova në bazë të koordinimit të saj me faktorin ndërkombëtar si shenjë e vullnetit të mirë ka mundësuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e saj, proces i cili në rastet e kaluara është organizuar nga OSBE. Para pak muajsh e kishim rastin e referendumit serb, mbajtjave e i cilit u refuzua nga Kosova. Një referendum nuk kishte qenë praktikë e mëhershme dhe kështu edhe patëm konsensus të plotë kundër tij”, theksoi ai.
Sipas analisti kryeministri Kurti duhet të jetë më i përgjegjshëm në raportimin e tij tek opinoni publik.
“Kryeministri sipas gjasave ka kohë që është duke e negociuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, por nuk paraqitet as transparent e as kooperues qoftë kundrejt opinionit, qoftë kundrejt opozitës, duke e çuar situatën të pazgjidhur deri në momentet e fundit, në mënyrë që në fund edhe ta shpërndajë përgjegjësinë duke involvuar opozitën siç e bëri me Rezolutën kundër mbajtjes së referendumit dhe në anën tjetër t'ua plotësojë apetitet përkrahësve të vetë militant”, u shpreh Duhanaj.
Ndër të tjera, ai shton se nëse këto zgjedhje kërkohen të mbahen nga QUINT atëhere ne duhet ta zbatojmë atë dhe të i lejojmë.
“Edhe nëse në bazë të ndonjë kërkese të tillë u lejohet mbajtja e zgjedhjeve, duhet të jetë në koordinim të plotë me QUINT, përkatësisht SHBA-të sepse nëse ata na e kërkojnë një gjë të tillë, duhet ta marrim parasysh pasi që vetë ekzistenca jonë është e varur prej tyre. Për ndryshe thjeshtë Kryeministri ti zbatoj ligjet dhe Kushtetutën e vendit e të mos bëj politikë të brendshme në kurriz të politikës së jashtme, sepse po e dëmton rëndë Kosovën duke ndikuar që vendi të mbetet në izolim”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.