22 vjet nga sulmi me granatë ruse ndaj gazetës “Bota sot”/ Kosova të ndjekë shembullin e Zvicrës në drejtësi, kështu duhet t’i trajtojë vrasjet politike!

Politika

22 vjet nga sulmi me granatë ruse ndaj gazetës “Bota sot”/ Kosova të ndjekë shembullin e Zvicrës në drejtësi, kështu duhet t’i trajtojë vrasjet politike!

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 27 shtator 2024 Në ora: 08:15
Jeton Lleshi

Sot (27 shtator) mbushen 22 vjet nga sulmi me granatë ruse në adresë të gazetës kombëtare “Bota sot” në Cyrih të Zvicrës. Ndërkaq, më 29 shtator të vitit 2017, Jeton Lleshi, shtetas zviceran, shqiptar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut u dënua me 10 vite burg në lidhje me rastin.

Ai akuzohej nga Prokuroria për “vrasje të shumëfishtë të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ndonëse urdhërdhënësit nuk u zbuluan, megjithatë drejtësia e tha fjalën e saj.

Duke u lidhur me këtë rast, pse nuk u ndoq shembulli i Zvicrës për hetimin, gjykimin dhe dënimin e personave që kryen vrasje me motive politike në Kosovë, duke qenë se asnjëra prej tyre nuk është zbardhur deri me sot?

A e forcon ky rast bindjen se themelimi i Gjykatës Speciale ishte veprim i duhur, pasi kemi një drejtësi të dështuar e të korruptuar vendore që nuk arriti t'i zbardhë këto raste?

Lidhur me këtë ҫështje, ‘Bota sot’ ka kontaktur avokatin Ardian Bajraktarin.

Ai thotë se shteti i Zvicrës, është jashtzakonisht i avancuar dhe si i tillë ia vlenë të merret model në shumë fusha, posaçërisht në fushën e drejtësisë.

Bajraktari: Çdo vrasje e aq më tepër kur ato dyshohet të jenë të motivuara politikisht, duhet të zbardhen

“Sa i përket vrasjeve politike, mos zbardhja e tyre është njollë për sistemin e drejtësisë të çdo shteti, me theks të veçantë në Kosovë, për atë ndërkombëtare e cila për kohë të gjatë ka funksionuar në Kosovë dhe këto raste i ka pasur kompetencë. Çdo vrasje e aq më tepër kur ato dyshohet të jenë të motivuara politikisht, duhet të zbardhen. E vërteta duhet të dalë në shesh. Kërkesat e familjarëve të të vrarëve dhe jo vetem, janë shumë legjitime, për të kërkuar drejtësi”, thekson Bajraktari.

Image
Ardian Bajraktari

Ai thotë po ashtu se, themelimi i Gjykatës Speciale ka qenë një e keqe e domosdoshme për Kosovën dhe institucionet e saj, për t'i zbardhur pretendimet e llahtarshme që buronin nga i ashtuquajturi "Raporti i Dik Martit".

“Pres dhe jam i bindur që procesi i cili po zhvillohet në Hagë, do ta rikonfirmojë pastërtinë e luftës së popullit të Kosovës për liri, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si kurorëzim i përpjekjeve shekullore të popullit tonë. Por, kërkesat për zbardhjen e vrasjve të pasluftës, nuk duhet të ndalen, duke mos harruar se me çfarë armiku kemi pasur të bëjmë. Rast tipik ilustrativ është rasti "Panda", megjthatë "armiku" më i madh i zbulimit të këtyre vrasjeve dhe jo vetëm është koha”, thotë avokati Bajraktari.

Burjani: Roli i gjyqësisë është edhe të parandaloj të gjithë rastet që mund të ndodhin në të ardhmen

Ndërkaq, profesori universitar dhe juristi, Blerim Burjani thekson se tash ka mbetur që Gjykata Speciale të merret me këto tema, rastet duhet trajtohen dhe të zbardhen.

“Pra është e domosdoshme të ndodhë procesi gjyqësor dhe verdikti për të gjithë që kanë kryer akte dhune dhe vrasje në periudha të ndryshme kohore. Kjo për shkak të preventives që në të ardhmen mos të lejohen krime të kësaj natyre, pra roli i gjyqësisë është edhe të parandalojë të gjithë rastet që mund të ndodhin në të ardhmen”, vlerëson profesor Burjani.

Image
Blerim Burjani

Mehmeti: Me këtë drejtësi të kalbur, kurrë asnjë vrasje nuk zbardhet, për këtë edhe është formuar Gjykata Speciale

Gjithashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe analisti politik, Faton Mehmeti.

Ai thotë për ‘Bota sot’ se, drejtësia në Zvicër nuk mund të krahasohet me atë në Kosovë, kjo për shkakun se nëse do të kishte drejtësi nuk do të formohej kurrë Gjykata Speciale.

“Nuk mund të krahasohet sistemi i drejtësisë në Zvicër me atë në Kosovë. Në Zvicër udhëheq drejtësia, kurse në Kosovë ka udhëhequr pronto-mafia. Nëse do të kishte drejtësi kurrë s’do të ishte formuar Gjykata Speciale e cila është shkak pasojë e kapjes së shtetit”, thotë ai.

Image
Faton Mehmeti

Ai thotë ndër të tjera se, me këtë drejtësi të kalbur, kurrë asnjë vrasje nuk zbardhet, për këtë edhe është formuar Gjykata Speciale.

“Rasti i Jeton Lleshit në Zvicër dëshmon forcën e ligjit dhe drejtësisë, si model se si funksionon shteti. Kosova, përkatësisht, drejtësia është e kapur ende nga mbetjet e klanit “Pronto””, vlerëson Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat