Gazmend Halilaj tregon dështimin më të madh të Serbisë: Ajo që ka ndodhur në veri gjatë një viti është...

Politika

Gazmend Halilaj tregon dështimin më të madh të Serbisë: Ajo që ka ndodhur në veri gjatë një viti është...

Nga: M. Lakna Më: 27 shtator 2024 Në ora: 22:05
Veriu i Kosoves

Ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se aktakuza që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e sulmit në Banjskë, është “e vonshme dhe e paplotë”.

Kjo pasi sipas ministrit, aktakuza nuk përfshin disa komandantë të ushtrisë serbe, të cilët, siç thotë, “e kanë mundësuar trajnimin e grupit terrorist, por edhe e kanë furnizuar atë me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë”.

“Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë”, ka deklaruar Sveçla për Rel.

Ndërkohë, të mërkurën ka nisur procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për rastin Banjska, ku të pranishëm në seancën ishin vetëm tre të akuzuar nga 45 prej tyre.

Deklaratën e Ministrit Sveçla e ka konsideruar si të drejtë avokati Gazmend Halilaj.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, avokati Halilaj ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se aktakuza lidhur me rastin e quajtur "Banjksa" është e paplotë.

“I akuzuari Radoiçiç nuk është forcuar brenda ditës; ai erdhi deri në atë stad me përkrahjen e institucioneve të Kosovës për më shumë se 10 vite.

Atij i’u mundësuan tenderë, tregti e papenguar, fuqi absolute, duke i krijuar bindjen policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese se Radoiçiç është vetë ligji.

Andaj, mos përfshirja në hetime dhe aktakuzë edhe të të gjithë atyre që e forcuan atë deri në këtë stad, e bën aktakuzën gjysmake në aspektin subjektiv”, ka thënë ai.

Ndërsa,  sa i përket aspektit objektiv, Halilaj ka vlerësuar se aktakuza deri diku i plotëson kriteret ligjore siç parashihet me nenin 235 të KPRK-së.

Kjo, ngase koha, vendi, mënyra e kryerjes së veprave, mjetet e përdorura, qëllimi, pasojat, kualifikimi juridik, si dhe mënyra e sigurimit të provave, gjërat e sekuestruara, masat e fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, pastaj gjërat që duhet të sekuestrohen përkohësisht dhe ato që duhet të konfiskohen, propozimi për dëgjimin e dëshmitarëve, tregojnë se në mënyrë strikte ligjore janë më të cekura.

“Kjo do të thotë se, në raste të tilla, Gjykata thuajse ndodhet para aktit të kryer dhe aktakuza, me të gjitha pretendimet e saj, me sukses duhet të kalojë në të gjitha nivelet e Gjykatave”, është shprehur avokati.

Sa i përket përfshirjes dhe organizimit të drejtpërdrejtë të shtetit serb, Halilaj ka thënë se kjo çështje tani është provuar në çdo aspekt, por kjo pjesë ka të bëjë me aspektin politik në rrafshin diplomatik.

“Qeveria, me mekanizmat e saj, normalisht duhet të bëjë presion ndërkombëtar që shteti serb të paguajë çmimin e agresionit të cekur më lart, megjithëse një gjë e tillë është duke ndodhur, por duhet kuptuar edhe mundësitë e kufizuara që Qeveria i ka në këtë aspekt, ngase nuk ka ndonjë mekanizëm që mund të detyrojë cilindo shtet apo instrument ndërkombëtar që të marrë masa”, ka thënë ai.

Për avokatin Halilaj, ajo që është më e rëndësishme është fakti që sovraniteti është shtrirë në gjithë Republikën e Kosovës.

“Plani i shtetit serb përmes këtij grupi terrorist ka dështuar, nga goditjet e njëpasnjëshme që kanë marrë nga Qeveria e Kosovës, përfshirë këtu ndalimin e përdorimit të dinarit si monedhë serbe, çështjen e targave, etj. Mbi të gjitha, ajo që ka ndodhur vitin e fundit në pjesën veriore është një mrekulli në çdo aspekt, ku tani pjesa veriore e Kosovës nuk shërben më si vend ku strehohen kriminelët dhe ku bëhen plane për sabotimin e shtetit tonë, por tani shihet si një vend ku funksionimi i rendit dhe ligjit është çdo ditë në rritje”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat