Zbulohet prapavija e deklaratës së fundit të Grenell – këto janë qëllimet e tij!

Politika

Zbulohet prapavija e deklaratës së fundit të Grenell – këto janë qëllimet e tij!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 shtator 2024 Në ora: 10:31
Richard Grenell

Raporti mes Richard Grenell dhe Aleksandar Vuçiqit tash e një kohë dihet që është shumë i ngushtë.

E së fundi, mori vëmendjen një deklaratë e Grenellit për Serbinë.

I dërguari amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se e ardhmja e Serbisë është pranë Shteteve të Bashkuara, dhe jo pranë Kinës dhe Rusisë.

Ai beson se mes SHBA-së dhe Serbisë ekziston një miqësi e sinqertë, pavarësisht se kush është në pushtet.

“Unë flas rregullisht me presidentin e [Serbisë, Aleksandar) Vuçiq dhe i them se duhet të shkëputet nga Rusia dhe Kina dhe të afrohet me Perëndimin dhe SHBA-në. Si një amerikan, shpesh jap këshilla të tilla dhe nuk hezitoj të promovoj vlerat e Perëndimit”, tha Grenell.

Kujtojmë se Grenell ishte ndër të ftuarit në pritjen “Serbia përtej së ardhmes”, të cilën Misioni i Përhershëm i Serbisë në OKB e organizoi në Nju Jork

Gjithashtu, ai ka mbetur i afërt me përfaqësuesit e pushtetit në Serbi edhe pas largimit nga detyra.

Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës “jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë”.

Mirëpo, si mund të kuptohet kjo deklaratë e fundit e Grenell, a mund të ketë ndonjë prapavijë?

Si është e mundur që një mik i ngushtë i Thaçit të ketë raporte kaq të mira me Serbinë?

Agusholli: Grenell nuk na paralajmëron neve për ardhjen në pushtet të Trumpit

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV, Gramos Agusholli.

Ai thotë se SHBA mban raporte korrekte me të gjitha shtetet edhe nëse ato janë kundërshtarë.

Image
Gramos Agusholli.

Ndërsa, sa i përket ardhjes së Trump në pushtet, deputeti thotë që gjasat janë minimale.

“Së pari, unë nuk besoj që Shtetet e Bashkuara dhe Serbia mund të kenë ndonjëherë një miqësi të sinqertë, aq sa mund të kenë Shtetet e Bashkuara me Rusinë ose Kinen.

Historia dhe qëndrimet e dy vendeve janë të ndryshme, dhe nuk shoh ndonjë bazë për një miqësi të thellë mes tyre. Pastaj, duhet të kuptojmë që Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie korrekte me shumicën e vendeve në botë, përfshirë edhe ato që mund t'i konsiderojnë kundërshtarë. Kjo nuk do të thotë që ekziston ndonjë miqësi e mirëfilltë. Të kesh marrëdhënie diplomatike nuk është e njëjtë me të qenit miq.

Grenell nuk na paralajmëron neve për ardhjen në pushtet të Trumpit. Sondazhet aktuale tregojnë një epërsi të lehtë të Trump-it kundrejt Kamala Harris”, u shpreh ai.

Më tej ai thekson që as Trump e as Harris nuk do të ndjekin politikën pro-ruse.

Sipas tij, detyra e Grenellit është të tërheqë sa më shumë shtete afër Amerikës, dhe kjo është ajo që ai po përpiqet të bëjë.

“Ne, si shtet, historikisht kemi pasur marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara, pa marrë parasysh nëse në pushtet kanë qenë Republikanët apo Demokratët. Nuk ka vend për frikë nëse fiton Trump apo Kamala. Unë besoj se asnjëri prej tyre nuk do të ndjekë politika pro-ruse, dhe as që do të jenë pro atyre vendeve që kanë partneritete me Rusinë dhe Kinën. Unë nuk e di nëse Grenell po vepron me ndonjë axhendë të fshehtë, por ajo që mund të them është se ai, si i dërguar amerikan në Ballkan, po e kryen punën e tij si diplomat.

Detyra e tij është të tërheqë sa më shumë shtete afër Amerikës, dhe kjo është ajo që ai po përpiqet të bëjë. Sa i përket çështjes së miqësisë me Presidentin Thaçi, nuk do të preferoja të jap një përgjigje, për shkak të situatës së padrejtë me të cilën ai po përballet tash e pesë vjet. Kjo është një çështje që ka nevojë për trajtim më të drejtë dhe më të kujdesshëm”, foli Agusholli për “Bota sot”.

Mehazi: Nuk ka ndikim Grenell në SHBA

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e Grenell është e porositur të bëhet nga Bërnabiq.

Image
Sulejman Mehazi

SIpas tij, ndikimi i Grenell në SHBA është i vogël.

“Deklaratat e ish të dërguarit amerikan të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, në lidhje me miqësinë e Serbisë me SHBA-të janë të porositura nga mikja e tij serbe të së njëjtës ndjenjë dashurore, Ana Brnabiqit, nuk janë deklarata zyrtare amerikane, janë deklarata private pa farë influence amerikane, asfarë ndikimi ky farë proserbi amerikan nuk mund të ketë te presidenti i SHBA-ve, Biden, po sikur edhe Trumpi të fitonte gjatë zgjedhjeve presidenciale përsëri ky far ashiku i Ana Brnabiqit nuk do ndikonte, i vockël është para urdhërave të presidentit dhe zyrtarëve tjerë amerikanë”, thotë ai.

Në fund, profesori nënvizon që deklarata e Grenell është më shumë deklaratë individuale ndaj Kurtit.

“Deklarata e Grenellit është më shumë opinioniste dhe joargumentuese, pasi më shumë kuptohet si revoltë armiqësore individuale ndaj kryeministrit të Kosovës, Kurtit, në anën tjetër shpreh ndjenjë dashurie ndaj spikeres së parlamentit të Serbisë, Brnabiq, qartë vërehet se është deklaratë dëshire sesa zyrtare amerikane. Dëshirat individuale të Grenellit janë zero para strategjisë politike qindvjeçare globale amerikane. Opinioni i Grenellit është në frymën e një të qeshure të hollë: "se e ardhmja e Serbisë është pranë Shteteve të Bashkuara, dhe jo pranë Kinës dhe Rusisë.", përkundrazi, pa Rusi nuk do egzistonte shteti i Serbisë, kurrë Serbia nuk largohet prej Rusisë”, përfundoi profesori Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat