“Kosova Lindore po serbizohet”, analistët i japin alarm Kosovës e Shqipërisë

Politika

“Kosova Lindore po serbizohet”, analistët i japin alarm Kosovës e Shqipërisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 nëntor 2024 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese Serbisë ka refuzuar të mërkurën ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës së tij.

 Kështu ka njoftuar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, duke shtuar se institucioni më i lartë i Drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave. Lutfiu shtoi se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, hap rrugën për trajtimin e rastit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

“Edhe Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës, që do të thotë edhe institucioni më i lartë i Drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave. Safetit i është hapur rruga për në Strasburg dhe ai do ta ndjekë atë. Ky spastrim etnik duhet të ketë verdikt ndërkombëtar, prandaj i ofroj mbështetjen time të plotë Safet Demirit”, thuhet në njoftimin e Lutfiu.

Ndaj këtij veprimi kanë reaguar nga Kosova, por edhe nga BE.  Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia sqarime se çfarë po ndodhë me shqetësimet e shqiptarëve mbi pasivizimin e adresave.

Zëdhënësja për zgjerim në Komisionin Evropian, Ana Pisonero, ka thënë sot se janë duke e përcjellë këtë situatë.

“Kjo është një çështje të cilën e kemi përfshirë në raportin tonë për zgjerimin. I kemi marrë shënimet e të gjitha shqetësimeve mbi pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Serbinë jugore. Po e përcjellim situatën në dritë të përkushtimeve të marra nga Serbia… në veçanti për ato për të drejtat që u takojnë pakicave kombëtare”, ka thënë Pisonero.

Ajo e bëri të qartë se autoriteteve në Serbi u është kërkuar të japin sqarime të mira për këtë çështje.

“E kemi bërë të qartë se ekziston nevoja që autoritetet e Serbisë të sqarojnë më mirë për publikun se si po bëhen kontrollet e statusit të rezidencës që po rezultojnë në pazivizimin e adresave të caktuara dhe nëse Serbia jugore është e targetuar specifikisht në këtë aspekt”, ka deklaruar zëdhënësja e KE-së, Pisonero.

Në anën tjetër analistët thonë se Kosova Lindore po serbizohet dhe për këtë ata kërkojnë që Prishtina dhe Tirana të marrin përgjegjësitë kombëtare. Sipas tyre, edhe BE duhet të mos ketë dy standarde në një rast të mbështesin pakicën serbe në Kosovë dhe të  harrojnë shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Kelmendi: Mendohet se brenda dy decenieve është asimiluar qyteti i Medvegjës

Analisti Muhamet Kelmendi, thotë gjendja e shqiptarëve të tre komunave në Luginën e Preshevës është keqësuar shumë.

Sipas tij, nëpërmjet  zhdukjes së adresave, papunësisë, masave diskriminuese dhe presionit shtetëror kemi një zvogëlim të dukshëm të shqiptarëve.

“Lugina e Preshevës ( Kosova Lindore) po serbizohet! Gjendja e shqiptarëve të tri komunave në Luginën e Preshevës është keqësuar shumë. Presioni debues ka marrë dimensione të zhdukjes si komb në ato vise historike shqiptare. Prej 128 mije shqiptarëve sa kishin para dy decenieve në Luginën e Preshevës kanë mbetur më pak se 60 mijë veta. Nëpërmjet zhdukjes së adresave, papunësisë, masave diskriminuese dhe presionit shtetëror kemi një zvogëlim të dukshëm të shqiptarëve. Mendohet se brenda dy decenieve është asimiluar qyteti i Medvegjës. Kanë mbetur disa fshatra në kufi me Kosovën. Një gjendje të tillë asimiluese dhe serbizuese po zotëron edhe në komunën e Bujanovcit. Deri në 40% veç është serbizuar kjo komune tipike shqiptare. As më mirë nuk është gjendja në Preshevë”, shprehet Kelmendi.

Sipas tij, Serbia me adresa po detyron shqiptarët të emigrojnë nga trojet e veta etnike.

“Serbia po e zhvillon politikën serbizuese. Mjetet dhe metodat janë të njohura dhe janë tipike raciste. Kjo veç del nga programi i qeverisë. Tash me adresa po detyrohen shqiptarët të emigrojnë nga trojet e veta etnike. Tërë pasuria po iu mbetet në trojet etnike të pushtuara nga Serbia. Edhe dokumentet personale me adresa po ua marrin . Po mbesin dhe janë mbetur shume shqiptarë nga Lugina me shtetësi dhe nëpër rrugë. Kuptohet se kjo është gjendje alarmante. Shqiptarët kërkohet të veprojnë si një trup i vetëm”, pohon Kelmendi.

Sipas tij, Tirana dhe Shqipëria nuk po marrin përgjegjësi kombëtare kundruall çdo pjese të kombit jashtë dhe për këtë ata kanë mbetur vetëm për këtë ballafaqim.

 UE dhe SHBA e kanë lënë këtë pjesë të kombit shqiptar nën racizmin serbomadh, thotë Kelmendi, gjersa shton se informatat mbi serbizimin e kësaj pjese historike shqiptare ka mjaft.

“Tirana dhe Prishtina kërkohet të marrin përgjegjësitë kombëtare që i kanë kundruall çdo pjese të kombit jashtë. Në kushtetutën e Shqipërisë qëndron taksativisht mbrojtja e kombit shqiptar kudo rreth shtetit dhe në botë. Këtë detyrë nuk po e kryen as Shqipëria dhe as Kosova. Duket se kanë mbetur vetëm për vetëm për t’u ballafaquar me pushtetin neoracist serbomadh të kriminelit të luftës Vuçiq. Këtej kërkohet të vazhdohet me protesta dhe me manifestime shqiptarëve. Ato duhet të shpeshtohen dhe të bëhen me popullore pa këto manifestime nuk vjen ndihma nga jashtë. UE dhe SHBA e kanë lënë këtë pjesë të kombit shqiptar nën racizmin serbomadh. Faktori ndërkombëtar e dinë se kjo pjesë jeton nën racizëm. Informatat mbi serbizimin e kësaj pjese historike shqiptare ka mjaftë. Anomali! Kërkohet shtet për minoritetin serb prej 20 mijë vetave në Kosovë dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës as që diskutohet. Populli thotë: Kur vetë je faktor të tjerët nuk të mbrojnë". Shqiptarët kërkohet të bëhen një në me të gjitha pjesët e kombit tonë. Për Tiranën dhe Prishtinën është kjo detyrë mbi detyrat”, shprehet analisti.

Image
Muhamet Kelmendi

Për çështjen e e Safet Demirit ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës. Zëvendësministri Bisnik Bislimi ka thënë se “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për Safet Demirin legjitimon praktikën sistematike diskriminuese të pasivizimit të adresave që ka për cak shqiptarët. Ai vendim cenon të drejtat themelore të njeriut, dëshmon pse shqiptarët nuk i besojnë sistemit dhe ngurrojnë të nisin proceset gjyqësore”.

Ndërsa, një reagim nuk ka pasur nga Shqipëria.

Hasani: Duhet një rezolutë  mbi spastrimin etnik-diskriminimin në Preshevë

Analisti shqiptar në Preshevë, Refik Hasani thotë se Kosova dhe Shqipëria e kanë obligim moral, kombëtar e kushtetues të ngrisin dhe të mbrojnë çështjen e shqiptarëve jashtë kufijve administrativë të Kosovës dhe Shqipërisë, duke përfshirë edhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Sipas tij, parlamentet duhet të diskutojnë përmes një pike të rendit të punës dhe të miratojnë “Rezolutë mbi spastrimin etnik- diskriminimin në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc përmes pasivimit të adresave”.

“Kosova dhe Shqipëria bashkërisht  kanë obligim moral, Kombëtarë e kushtetues, të ngrisin dhe mbrojnë çështjen e shqiptarëve jashtë kufijve administrativë të Kosovës dhe Shqipërisë, duke përfshirë edhe Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc. Po ashtu në takimet e radhës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Shqipërisë, një pikë e rendit të ditës do të duhej të jetë  spastrimin etnik-diskriminimin në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc përmes pasivizimit të adresave. Parlamenti i Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Shqipërisë, të diskutojnë përmes një pike të rendit të punës dhe të miratojnë Rezolutë  mbi spastrimin etnik-diskriminimin në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc përmes pasivizimit të adresave”, thotë Hasani.

Image
Refik Hasani

Ai kërkon që administrimi të bëhet edhe në BE dhe në instancat më të larta të OKB-së.

Madje, sipas tij, Shqipëria do të duhej ta paraqes këtë përmes ambasadorit që përfaqëson shtetin shqiptar.

“Dy Parlamentet, dy Kryeministrat dhe dy Presidentët, të adresojnë BE-ës dhe instancave më të lartë të OKB-ës.  Shqipëria  do të duhej të paraqesin përmes Ambasadorit që e përfaqëson shtetin shqiptar një raport dhe të deponon edhe me shkrim lidhur me diskriminimin që ju bëhet   këtyre tri komunave në Këshillin  e Sigurimit të OKB-ës dhe të kërkojë që në këto tri Komuna të vendoset një mision mbikëqyrës. Po ashtu Parlamenti i Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Shqipërisë, të themelojnë një  Komision Parlamentar mikst për shqiptarët jashtë kufijve administrativë të Kosovës dhe Shqipërisë”, shprehet analisti.

Ai pyet pse BE nuk e trajton këtë padrejtësi ndaj shqiptarëve, gjersa shton se ata nuk duhet të mbështesin dy standarde, në një rast mbështesin pakicën serbe në Kosovë, por po harrojnë shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Po BE-ja si do të duhej ta trajtonte këtë padrejtësi ndaj shqiptarëve marrë parasysh reagimet e vazhdueshme të saj në përkrahje të serbëve në Kosovë qoftë edhe për ndonjë ekses krejt minimal?

Gjithë të ngarkuarit e BE-së, nuk kanë trajtuar Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc, dhe sikur po harrojnë  luftën e UÇPMB-ës dhe Marrëveshjen e Konçulit, pasi që Shqiptarët në Republikën e Serbisë, kanë mbajtur dhe organizuar  Referendumin e datës 1 e 2 Mars 1992 - 1 e 2 Mars 2022.

BE-ja, përkundër protestës paqësore, gjithë popullore, me moton për “IDENTITET e DINJITET” në Bujanoc më datën 12 gusht 2024 , në Preshevë më datën 23 shtator 2024,dhe protestës paqësore, gjithë popullore, me moton ‘’KTHEMA ADRESËN’’, në Medvegjë më 3 nëntor 2024, asgjë nuk ka përmirësim. Shtetet e Quint-it dhe gjithë mekanizma e instanca të BE-së, do të duhej të mos mbështesin me dy standarde në këtë rast mbështesin pakicën serbe në Kosovë, por po harrojnë shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc”, deklaron Hasani.

Në fund, Hasani pyet pse thua  shqiptarët shumicë në Krahinën që përfshin  Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk mund të gëzojnë   të drejtën  e ulëseve të rezervuara në Parlamentin e Serbisë, gjersa kërkon se shqiptarët shumicë në krahinën që përfshin  Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të vetmen shpresë e kanë adresimin në në instanca dhe mekanizma të Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 “BE-ja, nuk është duke e  trajtuar diskriminimin, pasivizimin   dhe  pastrimin etnik, nuk e kanë trajtuar  mungesën e një  Universiteti në gjuhën Shqipe, rregullimi me Ligj përdorimin i Simbolit tonë Kombëtar shqiptar, Flamurit dhe përfaqësimi në instanca dhe mekanizma të nivelit lokal dhe Qendror. BE-ja, të ndal ndjekjen e dy standardeve për dy pakica, shqiptarët janë të diskriminuar, kurse pakica serbe në Kosovës është pakica që në asnjë shtet të BE-së, nuk gëzojnë këto të drejta.  BE-ja, të trajtojë nëse pakica serbe në Kosovës  gëzon të drejtën  e ulëseve të rezervuara në Parlamentin e Kosovës, pse a thua  shqiptarët shumicë në Krahinën që përfshin  Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk mund të gëzojnë   të drejtën  e ulëseve të rezervuara në Parlamentin e Serbisë. BE-ja, të trajtojë dhe të shtojë prezencë në këtë Krahinë Shqiptare të instalohen forca mbikëqyrëse me mision civil dhe ushtarak edhe në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, duke menduar edhe që të hapet zyra ndërkombëtare civile në këto tri komuna. Shqiptarët shumicë në krahinën që përfshin  Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të vetmen shpresë është të adresohet në instanca dhe Mekanizma të Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, përfundon Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat