Sot janë mbushur 24 vite që nga vrasja e Xhemail Mustafës, njëri ndër njerëzit më të ngushtë të presidentit historik, Ibrahim Rugova, si dhe bashkëpunëtorit të gazetës “Bota sot”.
Mustafa u vra mizorisht në Prishtinë në hyrje të apartamentit të tij, ku u qëllua për vdekje nga dy persona.
Vrasja e tij tronditi Kosovën e pas luftës dhe mbetet një nga çështjet e pa zgjidhura dhe më misterioze që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë, duke shënuar edhe dështimin e madh të drejtësisë në Kosovë që të zbardh këtë vrasje dhe vrasjet tjera politike që kanë ndodhur në Kosovë, e ku viktima ishin anëtarët e LDK-së dhe bashkëpunëtorët e Ibrahim Rugovës.
E kur kanë kaluar 24 vite që nga kjo vrasje, analistë dhe njohës të zhvillimeve politike në vend, si shpresë të vetme për zbardhjen e vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë, e shohin Gjykatën Speciale.
Vrasje me skenar
Ish kryetari i LDK-së në Gjermani dhe ish pjesëtari i grupit të armatosur të dhjetorit 1991, të prirë nga heroi Sali Çekaj, Osman Ferizi, për gazetën “Bota sot” thotë se vrasja e Xhemail Mustafës ishte me skenar të përgatitur.
“Sot është përvjetori i 24-të i dhimbjes dhe kujtimit për gazetarin, bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit Rugova, burrin e urtë - Xhemal Mustafa, i cili u vra nga një dorë e zezë kriminale e përgatitur hartuar nga skenarët e krimit politik të stillit bolshevik Enverist, si platformë e ringjalljes së totalitarizmit duke përdor metodat e komprometimit, frikësimit, kërcënimit, shantazhit dhe eliminimit fizik të kundërshtarëve politik më qëllim të marrjes së pushtetit më dhunë”, thotë Ferizi.
Sipas tij, përgjegjës kryesor për vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë është SHIK-u.
“Kjo ADN-ja e Krimit Politik, kjo ideologji vrastare kishte krijuar platformë dhe struktura të zbatimit (SHIK), logjistik, denoncim publik në media, shtyp të shkruar, tubime publike dhe dosje mbi 500-faqe për ta realizuar platformën Stalino-Enveriste më akte dhe atentate makabre ndaj krahut politik LDK-së dhe kundër Liderit historik, themeluesit dhe projektuesit të Dardanisë dr. I. Rugova, bartës politik të kësaj platforme ishte LPK-së e cila u transferua për tu maskuar në PDK në krye me Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, Kadri Veselin, Azem Sylen, Rexhep Selimin, Ilmi Reçicen…”, shprehet Ferizi.
“Vrasja makabre e qyqare ndaj Xhemal Mustafës ndodhi në vazhdën e vrasjeve politike, ku partitë e krimit (partitë e luftës) pas zgjedhjeve lokale të 28.tetorit 2000, morën një goditje dhe ndëshkim nga votuesit, ku LDK-së në këto zgjedhje doli bindshëm e para, filluan shkrimet në rrugët e Prishtinës: “ Prishtina zemra ime, haram të qoftë gjaku im, zgjedhjet 2000, Turp””, shton Ferizi për “Bota sot”.
Siç thotë ai, njerëz të etur për pushtet dëmtuan imazhin dhe njollosen misionin e UÇK-së.
“Kjo nxitje për urrejtje dhe hakmarrje kundër votës së lirë dhe fjalës së lirë, ëndrrave dhe idealeve të lirisë që erdhi më shumë vuajtje, sakrifica e gjak, falë mbështetjes nga miqtë dhe aleatët tanë, nga të ashtuquajtur “çlirimtar” , patriot të rremë, të etur për pushtet e përfitime, dëmtuan imazhin dhe shijen e lirisë, shkelen mbi gjakun dhe amanetin e dëshmorëve duke denigruar emrin dhe misionin e UÇK-së, duke e monopolizuar edhe lirin, duke dashtë që historia të shkruhet ashtu siç dojnë ata i bënë shërbimin më të keq vendit që më sjelljet dhe veprimet e tyre e njollosen UÇK-së, duke u bërë pjesë e ndëshkimit nga drejtësia ndërkombëtare – GJND”, nënvizon Ferizi.
Ai thotë se dëshmitë që po jepen në Speciale, padyshim po demaskojnë veprimet kriminale që kanë ndodhur në Kosovë.
“Dëshmitë dhe dëshmitarët e guximshëm që po i demaskojnë veprimet kriminale të “drejtuesve” kamikaz që kanë uzurpuar dhe kanë bërë puq mbi luftën çlirimtare, që shumë nga dëshmitarët janë vrarë, blerë apo frikësuar i bëjnë shërbimin më të madh viktimave të terrorit të familjeve të të vrarëve, i bëjnë shërbim pastrimit të UÇK—së nga sekti kriminal i LPK-së, i bëjnë shërbim shtetit të pa zot ligjor të Kosovës, që të hiqet ajo njollë e zeze ndaj UÇK-së së vërtetë dhe përgjegjësia të jetë individuale, kjo drejtësi e aleatëve (SHBA, BE) të i shërbejnë paqes dhe pajtimit që populli Shqiptar dhe gjeneratat mos të rriten më ndjenjën e urrejtjes dhe hakmarrjes por këtë ta bëjë Drejtësia e vonuar për 25-vite”, përfundon Osman Ferizi për “Bota sot”.
Shpresat te Specialja
Kurse, analisti Faton Mehmeti pret që deri në prillin e vitit të ardhshëm të zbardhet vrasja e Xhemail Mustafës.
“Rastin e Xhemail Mustafës besoj që është 24 vjetori i fundit që shënohet pa u gjendur urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e ish bashkëpunëtorit më të ngushtë të Ibrahim Rugovës. Tashmë në Hagë veç pritet të fillojë zbardhja e vrasjeve të pasluftës, pra këta 5 muaj do të jenë shumë të nxehtë, deri në prill kur pritet të përfundojë procesi gjyqësor ndaj katërshes së madhe që gjenden në Hagë. Pra, pritet që edhe vrasjet e pasluftës të zbardhen në këtë 5 mujorshin që i ka mbetur gjykimit në Speciale”, thekson Mehmeti.
Siç thotë ai, struktura e njëjtë qëndron prapa gjitha vrasjeve politike që ndodhën në Kosovë.
“Unë besoj që edhe rasti i Xhemail Mustafes do të trajtohet atje, dhe pritet që të zbardhet ky rast dhe rastet tjera, pasi besoj që dora e njëjtë, strukturë apo organizatë e njëjtë është ajo që i ka kryer vrasjet dhe atentatet që kanë ndodhur në Kosovë. Krejt këto besoj që do të zbardhen deri në muajin prill”, shprehet Mehmeti.
Për fund, Mehmeti thotë se më vrasjen e Xhemail Mustafës, iu dërgua edhe një mesazh Ibrahim Rugovës.
“Xhemail Mustafa ishte krahu i djathtë i Ibrahim Rugovës, dhe me vrasjen e tij është menduar që t’i jepej edhe një mesazh doktor Rugovës që tek ai do të arrijnë, që më pas ishte vet Rugova cak i një atentati. Ato që i kanë bërë këto vrasje duhet të japin përgjegjësi, askush nuk mund të fshihet prapa petkut të UÇK-së, sepse qëllimi i UÇK-së nuk ishte vrasja e shqiptarëve, por luftimi dhe largimi i ushtrisë serbe nga Kosova”, përfundon analisti Faton Mehmeti.