Fjalimi i presidentes Osmani/ Komentohet deklarata për pritshmëritë e Trump në dialogun Kosovë – Serbi: Ja çfarë paralajmërohet!

Politika

Fjalimi i presidentes Osmani/ Komentohet deklarata për pritshmëritë e Trump në dialogun Kosovë – Serbi: Ja çfarë paralajmërohet!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 nëntor 2024 Në ora: 14:01
Vjosa Osmani

 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, të enjten ka mbajtur fjalimin vjetor të saj para deputetëve.

Ajo ka thënë se edhe këtë vit është munduar të punojë në forcimin e shtetësisë së Kosovës, ruajtjes së paqes, fuqizimit të aleancave dhe përpjekjes për ta fuqizuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sipas Osmanit, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, avancimi për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO, duhet të jenë suksese në vitin 2025 për Kosovën.

Presidentja Osmani, duke folur rreth temave më të diskutuara gjatë këtij viti, ka thënë se ka kërkuar që drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë të diskutohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), sepse nuk ka dashur që “ai t’i lihet në dorë njerëzve që vijnë nga shtete mosnjohëse e nuk besojnë pavarësinë e Kosovës”.

Ndër të tjera presidentja Osmani vazhdoi fjalimin e saj duke u shprehur se ka kërkuar gjithmonë dy gjëra: “e para - zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe e dyta - si alternative, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes (gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan), atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë nëpërmjet BSA si dhe kampanjë të re të njohjeve. Thënë troq, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi I Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”.

E në lidhje me këtë fjalim të presidentes Osmani njohësitë e fushave kryesore kanë folur për pritshmëritë që Amerika tashmë me administratën Trump të jetë më e përkushtuar ndaj Kosovës dhe raportit të saj me Serbinë

Shabani: SHBA mund të sjellë marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë

Image
Amir Shabani

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se edhe pse ka angazhim të gjatë në dialogun Kosovë – Serbi, ngecjet në normalizim të raporteve po vazhdojnë të jenë prezent

Sipas Shabanit, mos shkëputja e raporteve të Serbisë me Rusinë dhe Kinën nuk po arrinë të sjellë një marrëveshje finale.

“Udhëheqja e dialogut Kosovë-Serbi nga ana e SHBA-së konsiderohet vendim apo qëndrim i duhur për faktin se dihet ndër vite se diplomacia amerikane ka derdhur angazhim të gjatë në ruajtjen e rendin, paqes dhe stabilitetit të Kosovës. Kështu që, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga koha e luftës, Prishtina dhe Beogradi zyrtar kanë ngecje në marrëveshjet e tyre për normalizim dhe fqinjësi të mirë, ndonëse Kosova po punon drejt asaj të jetë një shtet që funksionon demokracia, ligji dhe shteti i së drejtës, Serbia nuk i shkëput aleancat me Rusinë dhe Kinën të cilat lidershipe konsiderohen komuniste dhe uzurpuese”, u shpreh ai.

Më tej, njohësi thekson që në mandatin e Trump mund të arrihet një marrëveshje konkrete duke u bazuar në metodologjitë e kaluara të politikave të tij rreth konflikteve fqinjësore mes shteteve.

“Sa i përket administratës së re të Shtëpisë së Bardhë në krye me Donald Trump rreth Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe çështjes së dialogut Kosovë-Serbi në veçanti, mund të arrihet një marrëveshje konkrete duke u bazuar në metodologjitë e kaluara të politikave të Trumpit rreth konflikteve fqinjësore mes shteteve”, foli Shabani për “Bota sot”.

Burjani: Kosova gjithmonë ka pas qëndrim që duhet të përkrahet gjithçka që vjen nga SHBA

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që SHBA është aleati kryesor i Kosovës dhe se presidentja Osmani në fjalimin e saj dëshiroi të tregojë që bashkëpunimi me ta është i patjetërsueshëm.

“Kuptohet e SHBA nuk i thuhet jo e as nuk dyshohet në atë çfarë thotë SHBA për Kosovën si aleat kryesor, më shumë se nënshkrimi është qëndrimi i SHBA. Pra garancioni që ka SHBA për Kosovën e pavarur, siç e dini Kosova gjithmonë ka pas qëndrim që duhet të përkrahet gjithçka që vjen nga SHBA për çështjen e Kosovës, fjalimi i saj në këtë temë është kërkesë për rikthim në lojalitet me aleatat për bashkëpunim dhe dëgjim të pakusht me aleatët. Pra, këtu mungon partneritet dhe jo servilitet ndaj politikes, SHBA nuk iu vyen serviliteti por partneriteti me ta për tema të mëdha”, shpjegon juristi

Nga ana tjetër, juristi përmend Asociacionin duke krahasur kërkesat e SHBA dhe BE ndaj Kosovës.

“E vërteta është se SHBA e dëshiron pa kushte të Kosovës Asociacionin e komunave serbe që nuk prek Kushtetutën, BE shkon me larg dhe kërkon arbitrazh të kombinuar që Kosova nuk mund të nxjerrë asnjë vendim pa arbitrazh. Pra kur s’ka pajtim Asociacioni duhet arbitrazh e kjo është e papranushme për të gjithë Kosovën, partitë politike”, foli ai.

Në fund juristi nënvizon që, Trump mund të ndryshojë diçka nga Statuti i Asociaicionit të hartuar nga BE.

“Për Trump nuk është dhe nuk do të jetë prioritet Kosova e Serbia, normalizimi ndodhë vetëm me deklarim të dy palëve me qëndrim të prerë të Trump, të themelohet Asociacioni nga Kosova me draftin e BE e SHBA presin një lloj Asociacioni të themelohet, Trump mund të ndryshojë diçka nga Statuti i Asociaicionit të hartuar nga BE”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat