Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në qorrsokak.
Serbia është shteti agresor i cili nuk po zbaton marrëveshjet, e po kërkon thememlim të Ascoacionit.
Presidentja Vjosa Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës ka folur për dialogun dhe asociacionin.
“Dialogu me Serbinë i udhëhequr nga BE-ja, fatkeqësisht ka qenë komplet i pabalansuar me një trajtim të padrejtë ndaj Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm të Serbisë. Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj”, tha mes tjerash ajo.
“Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-në, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse, kam besuar se një draft statut ku mbrohet kushtetuta, mbrohet sovraniteti, mbrohen kufijtë tanë dhe mbrohet funksionaliteti i shtetit, më mirë hartohet nga vet ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa “ekspertë të jashtëm”, që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë”, tha Osmani në adresimin vjetor.
Ahmeti: BE-ja e ka luajtur rolin e një "diktati" ndaj vendimeve të Kosovës, të cilat ishin brenda kushtetutes dhe ligjeve
Analisti Hidajet Ahmeti në një përgjijge për “Bota sot”, ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja ka vepruar me standarde të dyfishta ndaj Kosovës.
Më tej, ai thotë se BE ka luajtur rolin e një "diktati" ndaj vendimeve të Kosovës, të cilat ishin brenda kushtetutes dhe ligjeve.
Duke vazhduar tutje, Ahmeti shprehet se BE-ja ka pasur qasje të gabuar në dialog, duke e sanksionuar Kosovën.
“BE-ja ka vepruar në standard të dyfishtë në procesin dialogues, duke ledhatuar Serbinë e duke sanksionuar Kosovën. Kjo logjikë dialoguese e ka përcjellë Kosovën që nga fillimi i dialogut. BE-ja ka kritikur shumëherë, kur qeveria e Kosovës ka qenë këmbëngulëse në vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore. Rrjedhimisht, BE-ja e ka luajtur rolin e një "diktati" ndaj vendimeve të Kosovës, të cilat ishin brenda kushtetutes dhe ligjeve.
BE-ja ka diskriminuar Kosovën në dialog dhe rezultatet në dialog nuk janë shkaku i dështimit të qeverisë tonë, por shkaku i qasjes se gabuar të BE-së në dialog. Është imperativ i kohës që të ndryshojë qasja e BE-së, ndryshe s’do të ketë rezultate në normalizim të raporteve”, thekson ai.
Maraj: Ishte një fjalim përmbajtësor mjaft i argumentuar
Analisti politik, Milazim Maraj në një përgjigje për “Bota sot”, vlerëson se fjalimi i presidentes ishte përmbajtësor.
Sipas tij, edhe pse ky dialog u quajt i lehtësuar nga BE, por që fatkeqësisht u vështirësua nga përfaqësuesit që përfaqësuan BE-në.
“Presidentja e Kosovës mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës. Ishte një fjalim përmbajtësor mjaft i argumentuar. Sa i përket dialogut me Serbinë i cili tani u bë dialog i stërzgjatur dhe pa rezultate konkrete, ajo shpjegoi qartë, se dialogu për këtë mandat ishte i udhëhequr nga dy përfaqësues që vinin nga shtetet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ky dialog me fjalorin ndërkombëtarëve u quajt, i lehtësuar nga BE, por se ky pikërisht u vështirësua nga përfaqësuesit që përfaqësuan BE-në. Ata ishin të njëanshëm dhe gjatë terë kohës përkrahen shtetin që bëri agresion në Kosovë, që bëri qindra masakra, plaçkiti dhe dogji shtëpitë dhe pasuritë e shqiptarëve, që dhunoj mbi 20.000 femra shqiptare.
Këta përfaqësues jo vetëm që nuk ishin të balancuar por dëmtuan Kosovën me krejt mundësitë që patën në këtë ndërmjetësim. Këta dy përfaqësues ishin në anën e krimit dhe pastrimit etnik të Kosovës. Borrell dhe Lajçak ndikuan që Kosova të sanksionohej pa të drejt në vend që të sanksionohej Serbia për krimet e bëra dhe lojën që bënë me trupat e pa jetë të shqiptarëve që i vrau në këtë luftë”, shprehet ai.
Tutje, ai thotë se ndërmjetësuesit e dialogut ishin të njëanshëm, duke thënë se edhe qëllimi i Lajçak dhe Borrell me këtë Asociacion me këto kompetenca duan të bëjnë ndarjen e Kosovës.
“Në këtë tavolinë të bisedimeve përfaqësuesit e BE të përmendur më lartë nuk ishin fare të balancuar, ata u vuan në anën e krimit dhe sanksionuan shtetin viktimë dhe përkrahën agresorin. Qëndrimi i tyre i njëanshëm bëri që Serbia të avancoj me politikën e vetë kriminale dhe agresive ndaj Kosovës, madje të shtojë kërkesat e tyre me pretendime territoriale për Republikat tjera si Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Këta joshën shtetin e udhëhequr nga kriminelët që do të duhej të ishin prapa grilave. Bëri që edhe të filloj një agresion të ri i cili dështoj në veriun e Mitrovicës. Përsëri heshtje, nga BE dhe nga shtetet demokratike. Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë toke për të lëshuar, tha Presidentja e Kosovës; ndërsa qëllimi i Lajçak dhe Borrell me këtë Asociacion me këto kompetenca duan të bëjnë ndarjen e Kosovës. Janë dyzet marrëveshje të nënshkruara nga Serbia dhe që asnjë nuk e ka zbatuar deri tani, përfaqësuesit të BE nuk i bënë aspak presion shtetit kriminel që të respektoj marrëveshjeve të nënshkruara”, përfundon ai.