Rama, “luftë të hapur” kundër Kosovës, ka një tra mes dy vendeve - analistët “reagojnë” për mungesën e mbledhjeve Kosovë- Shqipëri

Politika

Rama, “luftë të hapur” kundër Kosovës, ka një tra mes dy vendeve - analistët “reagojnë” për mungesën e mbledhjeve Kosovë- Shqipëri

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 nëntor 2024 Në ora: 08:23
Edi Rama

Shqipëria sot feston 112 vjetorin e Pavarësisë së saj dhe raportet në mes Kosovës dhe Shqipërisë, sipas analistëve konsiderohen më të ftohura se kurrë. Ata e drejtojnë “gishtin” karshi kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për këto raporte, gjersa shtojnë se ai nuk ka qenë i pari që ka punuar kundër kombit.

Ata “fajin” ia lënë Ramës edhe për mos mbajtjen e mbledhjeve qeveritare Kosovë- Shqipëri.

Vata: Ky përvjetor na gjen më të ndarë se kurrë, ashtu si na do hasmi?

Image
Ilir Vata

Analisti politik nga Shqipëria, Ilir Vata, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se ky përvjetor e gjen Shqipërinë dhe Kosovën më të ndarë se kurrë.

Ai përmend faktorët që kanë ndikuar në ftohjen e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

“Pavarësia e gjen Kosovë-Shqipëri më të ndarë se kurrë, ashtu siç e do hasmi? Ky përvjetor, i 112, e gjen Shqipërinë dhe Kosovë më të ndarë se kurrë sepse faktorë të jashtëm kanë ndikuar në ftohjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. E para; ka qenë faktori i investimeve ruse dhe kineze në rajon për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor si një plagë të hapur, gangrenë për Evropën, dhe këto investime kanë qenë në forma të ndryshme më të mëdha se të BE/SHBA. Në politikë, media, biznese, OJQ dhe forma të tjera të paligjshme. Pra, ndikimi financiar dhe politik ka qenë ati-perëndimor, e po ashtu dhe propaganda, financimet në parti politikë për të ngjizur bolshevizmin rus në rajon, dhe ky kanal investimesh e ka patur të lehtë, sepse në rajon janë ende në pushte mbetjet e Stalinit, bolshevizmit dhe të diktatorit Hoxha, persekutorët e rajonit”, shprehet Vata.

Kemi një tra mes dy vendeve, kemi një pagesë kur kalon rrugën e kombit, shprehet Vata, gjersa shton se fakti se Albin Kurti do vazhdojë të jetë lider i Kosovës, Rama do jetë më i vogël, marrëdhëniet do jenë më të ftohta.

“Shqipëria dhe Kosova në këtë dekadë janë më larg se kurrë, gati në armiqësi që i do hasmi, sepse ky ka qenë parimi i Serbisë, të mbjelli konflikt mes dy vendeve duke sjellë këtë situatë që kemi. Kemi një tra mes dy vendeve, kemi një pagesë kur kalon rrugën e kombit, kemi dasi mes dy vendeve, bashkëpunimi mungon, kosovarët paguajnë taksa kur hyjnë në kombin e tyre sepse qeveria shqiptare ka më shumë marrëveshje me Serbinë se Kosovën. Kjo është politika sllave, që kur erdhën ata në Ballkan na kanë gjetur këtu, e që atëherë ne nuk kemi paqe. Linja sllave shkatërroi Ballkanin dhe mbete rrezik edhe për Evropën Perëndimin. Rama, është një nga trashëgimtarët e bolshevizmit, e megjithëse ai është ndryshe, trendi me nuanca perëndimore, kohët e fundit po bënë Enver Hoxhën, diktatorin mizor të shqiptarëve që shiti Kosovën, interesat kombëtare për të mbajtur pushtetin. Fakti se Albin Kurti do vazhdojë të jetë lider i Kosovës, Rama do jetë më i vogël, marrëdhëniet do jenë më të ftohta, por askush nuk e shuan zjarrin e shqiptarëve për një komb të vetëm të shqiptarëve në Ballkan. Mendojë se këto janë rrekjet e fundit të bolshevizmit në rajon për t’i parë shqiptarët të ndarë, të armiqësuar, në konflikt, kur hasmi, Serbia dhe mëma e saj Rusia planifikojnë t’i heqin pjesë Kosovës. Hamzaj është në anë e Shqipërisë jo të Kosovës?! Albin Kurti është me pikëpamje të majta, marksiste madje, por tradhtarë i interesave të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është. Nëse 2 milionë shqiptarë do firmosnin kundër kombit, Albin Kurti nuk do e bënte kurrë, as para vdekjes. Ajo që Kurti duhet të bëjë është të njësojë lëvizjet me BE/SHBA, miq e shqiptarëve, ata që po zgjojnë kombin tone”, shprehet Vata.

Sipas tij, Rama ka lajthitje politike, sepse është ndarë në dyzimin e tij mes perëndimit dhe lindjes.

Ndërsa, Shqipëria sipas Vatës është në kufijtë më të errët të diplomacisë me Kosovën.

“Ky përvjetor na gjen më të ndarë se kurrë, ashtu si na do hasmi? Nuk ka më mbledhje qeverish, derisa në 12 vite qeverisje të Ramës ka tra mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka pagesë në rrugë kur kalon në detin Adriatik, kosovari i Mitrovicës. Rama, ka lajthitje politike sepse është në dyzimin e tij mes perëndimit dhe lindjes, por kombi i shqiptarëve i përket perëndimit, BE-së dhe SHBA-së, kjo është linja e shtetformimit të ri të shqiptarëve në të ardhmen dhe liderit largpamës duhet të shquajnë këtë dritë. Rama është verbuar në këtë drejtim dhe ky përvjetorë tregon se dasia është bërë hendek fatkeqësisht, por me fitoren e Donal Trump, politika perëndimore do ndrizi më shumë në rajon, dhe hijet e së shkuarës që vijnë nga bolshevozmi, komunizmi dhe diktaturat do marrin fund. Ky është përvjetori më i ftohët mes dy vendeve, Kosovë-Shqipëri, madje mund të thuhet se Shqipëria është në kufijtë më të errët të diplomacisë me Kosovës, si me asnjë vend tjetër, pra hasmi e ka bërë punë e vet, tani i mbetë ndryshimeve të mëdha politike që të rivendosen marrëdhënien e një kombi, dhe nuk do jetë e largët dita. Ajo që mbetet mes shqiptarëve është se të gjithë urojmë njëri tjetri gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë, me një flamur të vetëm dhe dy shtete. Pra në jemi një shqipe dy koka, dy shtete, një komb”, përfundoi Vata.

Në përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, është rikthyer në vëmendje edhe mungesa e mbledhjeve të qeverisë shqiptare me atë të Kosovës. Që nga bojkotimi i mbledhjes së fundit në vitin 2023 në mënyrë të njëanshme nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Kosova ka mbajtur ditët e kaluara mbledhje me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe gjatë konferencës me kryeministrit maqedonas, kryeministri Kurti është pyetur edhe për mbledhje me Shqipërinë.

Ai ka thënë se është i gatshëm, i vullnetshëm dhe i interesuar që që sa më parë të mbajmë edhe një mbledhje me Shqipërinë, gjersa ka treguar sa marrëveshje janë nënshkruar e zbatuar.

 “Me Shqipërinë i kemi mbajtur dy mbledhje tashmë, jemi barazuar sepse mbajtëm të dytën edhe me Maqedoninë e Veriut. Jam shumë i gatshëm, i vullnetshëm dhe i interesuar që sa më parë të mbajmë edhe një mbledhje me Shqipërinë. Përndryshe, 58 marrëveshje i kemi bërë me Shqipërinë në ato dy mbledhje dhe zbatimi i tyre pavarësisht se nuk kemi mbledhje të tretë këtë mandat ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe më mirë se sa në të gjitha mandatet e mëhershme”, kishte thënë Kurti.

Qarri: Bindja se populli shqiptar është një dhe i pandarë po pëson lëkundje

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri thotë se mjerisht edhe në një përvjetor tjetër të shënuar mbarëkombëtar, si ky i 112 vjetorit të pavarësisë, përkundër interesave madhore që kanë shqiptarët si populli i ndarë, për unitet, raportet në mes të dy shteteve shqiptare, mbeten shumë dëshpëruese.

Sipas tij, Edi Rama me sjelljet e tij në vend që të punojë për unitet të shqiptarëve tradhton hapur interesat kombëtare dhe ai nuk është i pari për këtë.

 “Ishte Edi Rama ai i cili i pari i vendosi sanksione Kosovës dhe anuloi takimin e dy qeverive vetëm një ditë para mbajtjes, kogjabashi që edhe sot, pa asnjë nevojë as obligim, bënë luftë të hapur për formimin e asociacionit një etnik serb në Kosovë, si dhe keqpërdor çdo takim dhe mundësi për nxitjen e presioneve ndërkombëtare kundër Kosovës, duke sjellë ftohjen e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë deri në këtë gjendje katastrofale dhe vepruar si zëdhënës besnik i Aleksandër Vuçiqit e ithtari më i flakët i Serbisë hegjemoniste, për realizimin e pretendimeve të saj, të hapura territoriale, ndaj tokave të Kosovës. Ishte po ashtu Edvin Kristaq Rama ai që në kundërshtim me planin e BE-së, të njohur si plani franko-gjerman dhe qëndrimet e ditura të SHBA-ve, pas pretendimeve për formimin e “asociacionit” një etnik serb,me porosi të Vuçiqit, kërkojë edhe "konferencë ndërkombëtare për Kosovën, që çështja e Kosovës, të rikthehej serish, në fillim të saj, ku sipas idesë serbo-ruse të Edi Ramës, do të rishqyrtohej edhe statusi i Kosovës gjë që dëshmon botërisht se Rama përveçse luan me idiotësi banale lojën e Serbisë, ai ka hy në aleancë të thella konjukturale me Vuçiqin edhe kundër interesave kombëtare dhe bënë luftë të hapur kundër vazhdimësisë së shtetit të pavarur të Kosovës! Kështu që, mjerisht edhe në një përvjetor tjetër të shënuar mbarëkombëtar, si ky i 112 vjetorit të pavarësisë, përkundër interesave madhore që kanë shqiptarët si populli i ndarë, për unitet, raportet në mes të dy shteteve shqiptare, mbeten shumë dëshpëruese edhe me këtë 28 nëntor, akt që interesi jetik i shqiptarëve, kërkon të tejkalohet”.

“Në fakt Edvin Kristaq Rama, me sjelljet e tij, nuk është udhëheqësi i parë as i vetëm i Shqipërisë, që në vend se të punojë për unitet të shqiptarëve, tradhton hapur interesat kombëtare, duke nisur nga Ahmet Zogu e Enver Hoxhën dhe pasuar prej tij, të cilët të vetmen luftë, që kanë arritur ta zhvillojnë me "sukses" dhe kanë tentuar ta çojnë me çdo mjet deri në fund, ka qenë bashkëpunimi me Serbinë, kundër Kosovës dhe përçarjen e kombit shqiptar, për interesa të huaja. Kështu që edhe ky 28 Nëntor, për kurorëzimin me pavarësi, të të cilit, barrën kryesore me zhvillimin e luftërave përfundimtare në terren, për çlirimin e Shqipërisë dhe trojeve etnike shqiptare, e ka bartur Kosova, për habi , lufta kundër Kosovës nga udhëheqësit narkomafioz shqiptar, në kooketim me Serbinë, që nga Ahmet Zogu e Nikollë Pashiqi e deri te Edi Rama e Aleksandër Vuçiqi, vazhdon pamëshirshëm edhe sot! Madje në vend se Shqipëria të ndihmojë, që shqiptarët të bashkohen dhe të tregojnë qëndrime të përbashkëta, sa i takon politikës së jashtme kombëtare, Kosova, jo vetëm se u tradhtua në vijimësi nga udhëheqësit pro serb shqipfolës, duke qëndruar në krah dhe prapa interesave të Serbisë, por 112 vjetori i pavarësisë kombëtare, për të cilën Kosova ka dhënë kontributin më të madh, shkaku i udhëheqësve të dëshmuar pro-serb në Shqipëri, si Edvin Kristaq Rama, po i gjen më të ndarë se asnjëherë më pare”.

Sipas tij, përçarja vjen nga Edi Rama, që së bashku me Vuçiqin angazhohet në projektet të përbashkëta për ta denigruar dhe atakuar sa më rënd dhe kudo Kosovën.

 “Udhëheqës të tillë konspirativ si Edi Rama, në vend të koordinimit me akte konkrete dhe veprime të përbashkëta strategjike, si një mekanizëm i njëjtësuar kombëtar, në mes të dy shteteve shqiptare, me qëndrimet anti-Kosovë kanë bërë që edhe bindja se populli shqiptar është një dhe i pandarë, e cila në të gjitha trevat tona etnike, shprehje të veçantë gjente veçanërisht ditën e “Festave të Flamurit", 112 vite pas pavarësisë kombëtare, po pëson lëkundje, gjë që është shumë e rrezikshme, për të gjithë shqiptarët në trojet tona etnike kudo. Gjithë kjo përçarje është nxitur dhe zgjeruar nga Edi Rama, i cili bashkë me Vuçiqin angazhohet në projekte të përbashkëta për ta denigruar dhe atakuar, sa më rëndë dhe kudo Kosovën, duke filluar nga idetë ruso-serbe të të ashtuquajturit "ballkan i hapur" e deri te ndërmarrjet e përbashkëta sportive me Serbinë dhe anashkaluar Kosovën dhe shqiptarët në FYROM, e të mos flasim për shqiptarët në Mal të Zi dhe veçanërisht për shqiptarët në Kosovën Lindore, për të cilët Edi Rama nuk ka treguar kurrë interesim as minimal, megjithëse ka vite që atyre, u mungon edhe abetarja dhe në mënyrë sistematike, po u pasivizohen edhe adresat nga Serbia në shtëpitë, pasuritë dhe tokat e tyre autoktone. Anulimi i njëanshëm i takimit të dy qeverive, ishte takimi i parë bilateral që mohohej në mënyrë të njëanshme nga ana e Edi Ramës, akt makaber i cili bëri që të mos mund të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja të përgatitura kohë më parë dhe në vend të Kosovës Edi Rama zgjodhi Serbinë, si partner strategjik për projekte të përbashkëta me Aleksandër Vuçiqin, kundër Kosovës, si i ashtuquajturi "minishengen" e më vonë "ballkani i hapur" që nga ministri i jashtëm rus Lavrov, u dëshmua si nismë e Rusisë dhe projekt ruso-serb për krijimin e një mini-jugosllavie me Serbinë në krye”, nënvizon analisti.

Rama nuk ka interesim as për mbledhje simbolike mes dy qeverive, thotë Qarri, gjersa shton se do të gjendet një rrugëdalje dhe këto do t’i takojnë të kaluarës dhe se e ardhmja do të jetë e shqiptarëve.

 “Një protagonizëm megaloman dhe ambicie e sëmurë personale e argatit të Vuçiqit, Edvin Kristaq Ramës, i cili dëshmoi botërisht, se për atë personalisht e ndoshta jo vetëm, Serbia është e para, ndërsa bashkëpunimi ndërshqiptar, mbetet tejet i parëndësishëm, përkundër faktit se shumica e shqiptarëve, kanë pritur dhe shpresuar, që prioritet të kenë raportet ndërshqiptare dhe ato të Shqipërisë me Kosovën. Madje edhe pse , kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në takim me homologun maqedonas,përkundër të gjithave sa bën Edi Rama kundër Kosovës, deklaroi se është i gatshëm, i interesuar, dhe i vullnetshëm për takim të ri, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë tha që nuk e di datën se kur do të ketë një takim të ri!?.. Andaj vet “përgjigja” absurde e ambasadorit, tregon më së miri se edhe në këto ditë kur Shqipëria feston 112 vjetorin e pavarësisë, sa keq janë raportet Kosovë- Shqiperi, si dhe shpjegon arsyen se Edvin Kritaq Rama nuk ka interesim, as edhe për një mbledhje simbolike të të dy qeverive, pas bojkotimit që pa fije turpi, Rama i bëri Kosovës në vitin 2023, i cili me politikën e tij destruktive ndaj Kosovës dhe qëndrimin e hapur pro-Serbisë, po ndikon me të madhe, në largimin e dy vendeve në distanca të paparamenduara! Por edhe përkundër të gjitha veprimeve anti-Kosovë të Edi Ramës, njëjtë si ato të Ahmet Zogut e Enver Hoxhës, jemi të bindur se nuk ka rrugëdalje tjetër, përveçse të gjitha këto paudhësi, do ti takojnë të kaluarës së hidhur të serisë së tradhtive të hapura kombëtare dhe me gjithë gjendjen e raporteve Shqipëri-Kosovë në të cilat na ka sjellë argati i Serbisë, Edvin Kristaq Rama, e ardhmja është dhe do të jetë e shqiptarëve”, pohon Qarri.

Në fund, ai shton se shqiptarët do të bashkohen.

 “ Dhe jemi plotësisht të sigurt, që një ditë shqiptarët do të bashkohen, qoftë edhe nën pullazin e Bashkimit Evropian dhe integrimin euroatlantik, deshi apo jo Vuçiqi dhe Edi Rama, i cili në kulmin e acarimit të gjendjes Kosovë-Serbi, mbajti anën e Serbisë dhe përveçse anulo mbledhjen e dy qeverive e doli në krah të Vuçiqit, Edvin Kristaq Rama, në kundërshtim me planin e BE-së, të njohur si plani franko-gjerman dhe qëndrimet e SHBA-ve, me porosi të Vuçiqit kërkojë edhe "konferencë ndërkombëtare për Kosovën, që çështja e Kosovës, të rikthehej edhe njëherë në fillim të saj, ku sipas idesë serbo-ruse të Edi Ramës, do të rishqyrtohej edhe statusi i Kosovës. Krejt këto lojëra konspirative, dëshmojnë botërisht se Edvin Kristaq Rama përveçse luan me idiotësi banale skenarët e Serbisë, ai ka hy në aleancë të thellë me Vuçiqin edhe kundër interesave kombëtare dhe bënë luftë të hapur kundër vazhdimësisë së shtetit të pavarur të Kosovës, gjë që ia prish shijen edhe festës më madhore kombëtare, si Dita e Flamurit dhe 112 vjetori i shpalljes së Pavarësisë!”, përfundon Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat