Së fundi, është raportuar për një përçarje brenda listës ‘Guxo’.
Këto raportime erdhën pasi u vu në pah edhe përçarja mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.
Mirëpo, një gjë të tillë, e mohoi anëtari i Listës ‘Guxo’, Luan Gacaferi.
Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se nuk ka përçarje brenda kësaj partie, por ka disa persona që janë të pakënaqur, për arsyjet e tyre personale.
Gacaferi tha se ‘Guxo’ po ‘sulmohet’, pasi përmes saj dëshirojnë ta godasin dhe ta dobësojnë edhe LVV-në.
“Në Guxo nuk ka përçarje dhe për këtë ua garantoj unë me gjithë autoritetin tim personal, por ka dy apo tre veta, që mund të jenë të dëshpëruar për arsyet e tyre personale!
A e dini pse sulmohet sot më së shumti ‘Guxo’ nga analistat e Vulinit e me parat e opozitës?
Po ua tregoj unë pse GUXO sulmohet kaq shumë!
Paramendoni LVV-në, si një shtëpi të madhe dhe me disa kate përpjetë, por kjo shtëpi nuk mund të qëndrojë në "këmbë" si asnjë shtëpi tjetër pa e mbajtur atë disa shtylla betoni!
E një shtyllë betony në kohën aktuale dhe në rastin konkret është ‘Guxo’!”.
Duke e cilësuar ‘Guxo’ si një shtyllë kryesore të partisë në pushtet, Gacaferi potencoi se kjo është arsyja kryesore pse po ‘goditet’ ajo.
Derisa, shtoi se s’ka asgjë që e ‘thyen’ këtë parti.
“Dhe tani për ta rrënuar një shtëpi të madhe e shumë kateshe, së pari duhet t’ia godasësh shtyllat e kur të bien shtyllat, bie e gjithë shtëpia pavarësisht sa e madhe është ajo!
Prandaj analistat e Vulinit e më pagesë të opozitës, godasin pandërprerë shtyllat (Guxo) me shpresën se nëse arrijnë të rrëzojnë shtyllat e shtëpisë se madhe, do shembet e gjithë shtëpia. Por, kot e kanë se shtyllat janë aq të forta sa nuk ka propagandë, nuk ka ‘fake neës’, nuk ka kazma e drapër, e nuk ka dinamit e dinar që e thyen "shtyllën" (Guxo) e shtëpisë se madhe!”, përfundoi Luan Gacaferi për “Bota sot”.