Presidenti serb Aleksandër Vuҫiq në një deklarim të tij të fundit ka thënë se Serbia po armatoset fuqishëm, pasi sipas tij, bota po shkon drejt një konflikti më të gjerë dhe si rrjedhojë Serbia duhet të forcojë ushtrinë e saj për të zmbrapsur çdo agresor.
“Gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur, parashikimet e mia janë se çdo gjë që po ndodh do të dalë gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit. Çdo deklaratë nga cilado anë të paktën nuk është shtensionuese”, ka thënë Vuҫiq.
Mirëpo, këto deklarime të tij a kanë sërish një prapavijë për të kërcënuar Kosovën apo realisht Serbia e ndjen veten të kanosur.
Lidhur me këtë ҫështje, ka komentuar eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj. Ai thekson se deklaratat e Aleksandar Vuçiç për një konflikt të mundshëm më të gjerë dhe nevojën për të forcuar ushtrinë serbe mund të interpretohen në disa mënyra, duke marrë parasysh kontekstin rajonal dhe atë global.
“Frika nga zhvillimet globale dhe rajonale; Në botë numri i shteteve në konflikte është në rritje.Vuçiç mund të jetë duke iu referuar tensioneve globale, si lufta në Ukrainë, rivaliteti midis fuqive të mëdha (SHBA, BE, Rusia, Kina), dhe paqëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor: Ukraina dhe NATO: Përkrahja e Perëndimit për Ukrainën dhe zgjerimi i NATO-s mund të shihet nga Serbia si një kërcënim indirekt, veçanërisht duke pasur parasysh pozicionin e saj tradicional pro-rus dhe refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë; Tensionet në Kosovë: Serbia mund të ndjejë frikë nga ndonjë veprim i Kosovës për të avancuar agjendën e saj shtetërore, si anëtarësimi në organizata ndërkombëtare ose forca e Ushtrisë së Kosovës, që Beogradi e sheh si kërcënim për pakicën serbe në Kosovë; Bosnja dhe Hercegovina: Përplasjet etnike dhe përpjekjet e Republika Srpska për autonomi më të madhe janë një tjetër burim shqetësimi rajonal, ku Serbia është e përfshirë si mbështetëse e serbëve boshnjakë”, thekson ai.
Eksperti Gecaj thotë poashtu se ky deklarim mund të jetë edhe një sinjal për Kosovën dhe Perëndimin.
“Deklarata të tilla mund të jenë më shumë retorikë politike për të: Frikësuar Kosovën: Vuçiç mund të synojë të ushtrojë presion psikologjik ndaj Kosovës, duke treguar forcën e Serbisë për të frenuar çdo veprim që Beogradi e konsideron provokativ (si për shembull, vendosjen e autoritetit të plotë në veri të Kosovës); Dërguar një mesazh Perëndimit: Serbia shpesh përdor retorikë të tillë për të theksuar rëndësinë e saj strategjike dhe për të ruajtur autonominë nga ndikimi i BE-së dhe SHBA-së, ndërsa kërkon mbështetje nga Rusia dhe Kina”, vlerëson Gecaj.
Ai thotë se njëra ndër arsyet e Vuҫiq mund të jetë edhe forcimi i ushtrisë si pjesë e strategjisë së saj.
“Modernizimi ushtarak: Serbia ka investuar shumë në modernizimin e ushtrisë, përfshirë blerjen e pajisjeve nga Rusia, Kina dhe Perëndimi. Kjo nuk është domosdoshmërisht një përgatitje për luftë, por një përpjekje për të mbajtur një pozicion strategjik në rajon; Dominimi në Ballkan: Si një nga vendet më të mëdha dhe me ushtri më të zhvilluar në rajon, Serbia synon të projektojë fuqinë e saj dhe të jetë një faktor kryesor në zgjidhjen e çështjeve rajonale”, tha ai.
Eksperti sigurisë, Hysen Gecaj poashtu shtron ҫështjen se ky deklarim a është frikë reale apo pretekst?
“Serbia ndoshta nuk ndjen një kërcënim të menjëhershëm ushtarak nga ndonjë shtet fqinj. As Kosova, as Shqipëria, dhe as ndonjë vend tjetër i rajonit nuk kanë kapacitetet ushtarake për të sfiduar Serbinë. NATO-ja mbetet faktori kryesor i stabilitetit në Ballkan; Retorika e Vuçiçit mund të jetë më shumë një mjet për të mobilizuar opinionin publik serb dhe për të justifikuar investimet në ushtri. Gjithashtu, kjo mund të jetë një mënyrë për të shmangur presionin ndaj çështjeve të brendshme politike dhe ekonomike”, thekson ai.
Sipas ekspertit Gecaj, deklaratat e Vuçiçit ndoshta janë një kombinim i perceptimit të tensioneve globale, shqetësimeve rajonale dhe një strategjie për të forcuar pozicionin politik të tij. Serbia nuk ka arsye të ndjejë frikë nga ndonjë kërcënim ushtarak të drejtpërdrejtë, veçanërisht për sa kohë NATO garanton sigurinë në Ballkan. Retorika e tij mund të synojë më shumë të frikësojë Kosovën dhe të dërgojë mesazhe gjeopolitike Perëndimit.
“Por nëse mendohet në aspektin e ndonjë fronti lufte në Kosovë, them se Vuçiq nuk është i gatshëm për luftë në Kosovë duke i ditur pasojat për vet Serbinë pikërisht për shkak të konstalacioneve ndërkombëtare të sigurisë pjesë e të cilave është edhe Kosova”, vlerëson Gecaj për ‘Bota sot’.