Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është pyetur nga Hardtalk i BBC-së, nëse ekziston një rrezik real për një luftë mes Serbisë dhe Kosovës.
Mbi këtë çështje, ai është shprehur se nuk po provokojnë askënd dhe nuk do ta bëjnë tutje.
Ndër tjera, pavarësisht tensioneve mes dy vendeve, ai pretendon marrëdhënie normale me të gjithë në rajon.
”Fokusi im i vërtetë është te reforma ekonomike, është e ardhmja dhe thjesht dua të kem një marrëdhënie normale të rregullt me të gjithë në rajon dhe kjo është e gjitha”.
E në lidhje me këtë deklaratë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.
Ai thotë se kjo deklaratë e Vuçiqit është vetëm për të bërë konsum për ndërkombëtarët por nuk ka asgjë të vërtetë.
“Ne jemi mësuar edhe në të kaluarën me deklarata të autoriteve të Serbisë, përfshirë këtu edhe Vuçiqin të cilët janë bërë për konsum të jashtëm duke tentuar që të prezantojnë Serbinë si një vend pro paqes”, u shpreh ai.
Tutje bisedën eksperti i sigurisë e vazhdon duke treguar në të vërtetë qëllimin që Serbia ka duke përmendur të bëmat që e njejta ka bërë në veri të vendit.
Gjithashtu Elezi thekson që Vuçiq po mundohet të mashtrojë vendet ndërkombëtare me deklarata që Serbia është një vend pro paqes.
“Ne kemi parë një deklaratë të Vuçiqit e cila mund të ishte një deklaratë që mund të tentojë që të bind ndërkombëtarët që Serbia ka reflektuar dhe nuk dëshiron që të jetë burim I krizave në rajon. Por në fakt është një deklaratë aspak bindëse pasi ne e dim që Serbia fillimisht në Kushtetutën e saj e ka Kosovën si pjesë të saj me të cilën nënkupton që është veprim komplet e kundër me atë që Vuçiq deklaron. Pastaj mbështetja e grupeve terroriste në veri të cilat kanë shkaktuar shumë sulme në atë pjesë, përfshirë këtu edhe sulmin në Banjskë, gjëra që tregojnë se Serbia në opinonin ndërkombëtar ka një pamje të rëndë apo imazh të keq e cila në vazhdimsi ka pasur situata që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë në rajon. Tani me deklarata të tilla Vuçiq po mundohet të mashtrojë vendet ndërkombëtare me deklarata që Serbia është një vend pro paqes dhe për të larguar vëmendjen e ndërkombëtarëve për presion ndaj saj që e njejta po krijon situata që po cenon sigurinë”, foli eksperti i sigurisë.
Në fund, ai nënvizon që përveç Kosovës në shënjestër të Serbisë është edhe Bosnja.
“Përveç Kosovës në shënjestër e Serbisë është edhe Bosnja dhe ka pasur përpjekje të vazhdueshme të Serbisë për të organizuar përpjekje të dhunshme në të dy vendet. Prandaj mund të themi që situata qëndron ndryshe nga që ka deklaruar Vuçiq dhe se këtë fakt e kanë parasyshë edhe ndërkombëtarët, e këto deklarata nuk zgjojnë asnjë peshë të rëndësishme e aq më pak faktike për Serbinë”, përfundoi Elezi për “Bota sot”.