"Fitoi e vërteta dhe Shqipëria” - Pas lirimit, paralajmërohet që Berishës t’i hiqet edhe masa “non grata” nga SHBA

Politika

"Fitoi e vërteta dhe Shqipëria” - Pas lirimit, paralajmërohet që Berishës t’i hiqet edhe masa “non grata” nga SHBA

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 29 nëntor 2024 Në ora: 10:05
Sali Berisha

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha të mërkurën është liruar nga arresti shtëpiak.

Ai qëndroi në arrest shtëpie 331 ditë.

Berisha këtë vendim e cilësoi si fitore të opozitës.

“... është një ditë e mirë edhe për ata që nuk janë opozitarë. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës. Sepse sot nuk fitoi Sali Berisha. Sot ka fituar e vërteta. Sot ka fituar ligji dhe Kushtetuta! Sot ka fituar Shqipëria!”.

Bytyçi: E mbajtën gati një vit në arrest, me qëllim që ta dëmtojnë opozitën, ta pengojnë atë, pasi nuk mundën ta zhdukin

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, thotë se Berisha më në fund është i lirë dhe se vetëm tani u mor vendimin që vendosi në vend një padrejtësi.

“Të hënën që shkoi GJKKO vendosi që t’i japë fund arrestit shtëpiak të liderit të demokracisë e të opozitës shqiptare, Sali Berisha. Berishës iu dha arrest shtëpiak një ditë para vitit të Ri që po kalon, në fund të dhjetorit të kaluar. Prokuroria e Posaçme me emrin SPAK u mburr me justifikimin se “tashmë askush nuk është I pandëshkueshëm në Shqipëri”! Doktor Berisha qëndroi në arrest shtëpie 331 ditë gjithsej dhe prej asaj kohe çdo natë mbajti fjalim para mbështetësve të tij përmes dritares së shtëpisë. Mbështetës së tij u mblodhën çdo natë për gjithsej kaq ditë dëgjuan me kureshtje fjalët e doktorit. Gjithnjë me shpresë se një ditë ai do ta fitonte lirinë.

Përfundimisht lideri i opozitës shqiptare është tashmë i lirë. Gjyqtarja që mori vendimin vendosi në vend një padrejtësi. Por ky vendim erdhi vetëm tri ditë pasi Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg njoftoi shqyrtimin e çështjes së Sali Berishës në mënyrë të përshpejtuar dhe me interes të veçantë. Jam shumë i bindur se vendimi I GJKKO është produkt i presionit të Strasburgut. SPAK-u dhe Gjykata e tij morën vendimin përkatës me qëllim që të mos ndodhë turpërimi I kësaj gjykate prej GJEDNJ”, thotë ai.

Sipas tij, Berisha u arrestua duke qenë person në hetim, mbase këtë e bënë me qëllim që ta dëmtojnë opozitën dhe ta pengojnë atë në rrugëtimin e saj.

“Sali Berisha u vu nën arrest shtëpiak duke qenë person në hetim. Madje me një material hetimor të mbështetur në opinione. Shumë here më të sakta janë analizat dhe opinionet e mia në medie, sesa është akt-akuza kundër Berishës. Ndonëse akuza bazohet në prova, fakte e dëshmi, opinion shprehet për atë që dikush ka ose do të kishte ndërmend të bënte. Berisha u vu nën arrest shtëpiak pasi ai nuk zbatoi një vendim të pare të gjykatës, sepse ajo gjykatë për masën e ndalimit për dalje jashtë shtetit nuk mori miratimin e Kuvendit të Shqipërisë, sipas ligjit e kushtetutës. Ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk pranoi kërkesën e grupit parlamentar demokrat për ta shqyrtuar çështjen Berisha si shkelje kushtetuese.

E mbajtën gati një vit në arrest, me qëllim që ta dëmtojnë opozitën, ta pengojnë atë, pasi nuk mundën ta zhdukin. Nuk ka rast të tillë, kur një vendim për ndërrimin e destinacionit të një objekti e kishte marrë ish-kryetari I Bashkisë së Tiranës, sot kryeministër I Shqipërisë, dhe SPAK akuzon për këtë vendimmarrje Sali Berishën. Madje largon nga dosja dokument – vendimin e Edi Ramës, me qëllim që të fajësohet Berisha. Gjithçka u montua, u organizua, u bë me qëllim që të shpartallohej opozita, që Shqipëria të mos kishte më opozitë, më saktë të kishte një opozitë të emëruar prej autokratit të Shqipërisë, I ngjashëm me autokratin e Serbisë, pra prej kryeministrit shqiptar”, thekson ai.

Tutje, ai thotë se ky vendim do të shërbejë për ri-ngritjen e opozitës, duke shtuar se ata kanë krijuar sfondin e krijimit të një fronti të gjerë jashtë dhe brenda Shqipërisë për të izoluar Berishën e dobësuar opozitën, me qëllim zgjatjen e jetës në pushtet të Edi Ramës.

“Vendimi i së hënës do të shërbejë për ri-ngritjen e opozitës, por nuk i zhbën dëmet që i janë shkaktuar asaj. Sigurisht që Doktor Berisha do të jetë në krye të punëve të tij si krye-opozitar, por është vështirë të plotësohet boshllëku që është krijuar prej një viti, kur atij padrejtësisht iu mohua e drejta politike e udhëheqjes së opozitës. Kjo nuk ka ndodhur kaq brutalisht as në Rusi e Bjellorusi. Nuk po i hyj historive korruptive të McGonigal dhe ambasadorëve për ta linçuar opozitën dhe liderin e saj në Shqipëri. Thjesht po them disa të vërteta që lidhen me arrestimin e tij. Nuk po përmend rastin kur ai u qëllua me grusht në bulevard në dhjetorin e vitit 2022, edhe pse ia kishin marrë vulën, komisionet zgjedhore, madje nuk e lanë të kryesojë as listën zgjedhore.

Ne e dimë tashmë se për eliminimin politik të Berishës janë paguar qimet e kokës, nëse i referohemi gazetarit të afërt me Ramën, pra Sokol Ballës. Janë publikuar shumë kohë më parë pamjet kur shefi i FBI-së në New York merrte në garazh 225 mijë dollarë nga Agron Neza, i cili pak para kësaj skene ishte takuar në kryeministri me kryeministrin shqiptar. Mediet amerikane kanë shënuar faktin se Rama dhe McGonigal përgatitën dosjen e shpalljes së Berishës Non-Grata. Në mes tyre ishte Sorosi dhe përfaqësuesi i Sorosit në DASH, vetë sekretari i këtij Departamenti, Antony Blinken. Të gjithë kemi dëgjuar nga goja e Juri Kim kur paralajmëronte demokratët se “Nëse mbështesni Sali Berishën ju do hani bar”! Në fakt deri më sot demokratët janë shërbyer me bar, si ndëshkim për mbështetjen që ata i dhanë liderit të tyre.

Të gjitha këto kanë krijuar sfondin e krijimit të një fronti të gjerë jashtë dhe brenda Shqipërisë për të izoluar Berishën e dobësuar opozitën, me qëllim zgjatjen e jetës në pushtet të Edi Ramës. Dalja nga arresti i Sali Berishës do të shoqërohet me shuarjen e akuzës fallco ndaj tij dhe më pas me heqjen e non-gratës nga sekretari i Shtetit Amerikan. Hapi i parë ishte kthimi i vullnetit të demokratëve, pra i simboleve të Partisë Demokratike. Hapi i dytë ishte ky i së hënës së shkuar, lirimi nga arresti shtëpiak i tij. Hapat e tjerë do të vijnë më pas.

E gjitha kjo është një ballafaqim midis gënjeshtrës dhe të vërtetës, midis të drejtës dhe të padrejtës. Midis moralit dhe anti-moralit. Kjo nuk do të thotë se Sali Berisha është perfekt ose engjëll. Edhe ai është njeri me veset njerëzore. Por ai nuk u vu nën goditje për vese njerëzore. U godit për shumë arsye. Së pari se ishte dhe mbetet barriera kryesore kundër marrëdhënieve vëllazërore midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq. Sepse i është kundërvënë që kur Rama u bë kryeministër lidhjeve të tij me organizatat kriminale e mafioze. Sepse ka denoncuar aferat e korrupsionit të qeverisë së Rilindjes. Pra kishte shumë arsye mafioze për goditjen që duhej t'ia bënte narco-shteti i Edi Ramës!”, deklaron profesori.

Nela: Mbi të gjitha vendimi i Strasburg-ut bënë që gjykatat shqiptare të marrin një vendim që do t’i shpëtonte nga turpërimi i mëtejshëm

Image
Milaim Nela

Kurse, publicisti Milaim Nela, thotë se nuk e ka pritur këtë vendim, duke thënë se organet e drejtësisë të kontrolluara plotësisht nga Edi Rama do t’i shkonin "çmendurisë" dhe përdorimit nga ky kryeministër deri në fund.

“Pardje në mënyrë të papritur dhe të paparashikueshme për shumicën e shqiptarëve e sidomos opozitës u lirua nga arresti shtëpiak 

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Dr. Sali Berisha.

Kjo pas plot 11 muajsh arresti shtëpiak.

Besoj se duke parë dhe vendimin e gjykatave shqiptare deri dje edhe vetë Dr Berisha nuk e ka pritur këtë vendim.

Edhe unë personalisht nuk e prisja këtë vendim e besoja se organet e drejtësisë të kontrolluara plotësisht nga shefi i Ekzekutivit shqiptar Edi Rama do ti shkonin çmendurisë dhe përdorimit nga ky kryeministri deri në fund.

Por, me sa duket ekuacioni i politikës dhe gjeopolitikës europiane dhe botërore po ndryshon!”, thotë ai.

Sipas tij, në tërë këtë vendim kanë ndikuar disa faktorë, duke përmendur tre sosh, e një prej faktorëve përmend fitoren e Republikanëve dhe Donald Trump në zgjedhjet presidenciale dhe të Kongresit Amerikan.

“Në këtë vendim kanë ndikuar disa faktorë!

1. E para dhe më e rëndësishmja është fitorja e Republikanëve dhe Donald Trump në zgjedhjet presidenciale dhe të Kongresit Amerikan.

Dihet që e ashtuquajtura drejtësi e re në Shqipëri është financuar nga SHBA por në fakt po të shikosh letrat me hollësi është investim i Fondacionit për Shoqëri të Hapur të George & Alex Soros të cilët guvernatorët e vërtetë të Shqipërisë dhe  Ballkanit më gjerë.

Është qendra Soros në Beograd që ka bërë draftin e parë të Ballkanit të Hapur.

Është fondacioni Soros që qëndron pas projektit për ndarjen e Kosovës e të gjitha punëve të pista që janë bërë në Ballkan për fat të keq në emër të Shteteve të Bashkuara. Vitet e presidencës Bajden dikur ky mik i madh i shqiptarëve kanë qenë vite të rrënimit të popullaritetit dhe reputacionit të Shteteve të Bashkuara në trojet shqiptare e kjo falë projekteve të Fondacionit Soros.

Emërimi i Marko Rubios një kundërshtar i Fondacionit për Shoqëri të Hapur si Sekretar i ardhshëm i Shtetit në administratën Trump është një goditje e rëndë për Soros dhe politikat e tij në Ballkan.

Analistët dhe njohësit e dosjes Berisha  dosjes që e beri atë "non-grata" nga Sekretari Blinken parashohin që heqja e kësaj mase do të jetë një nga vendimet e para të Sekretarit të Ri të Shtetit pas marrjes se postit në Janar të vitit 2025.

Kjo për faktin se dosja Berisha është dosje pa fakte dhe nongrata ka qenë një vendim i lobuar dhe sponsorizuar politik per të ndihmuar dhe mbajtur në pushtet dishepullin e Soros në Tiranë, Edi Ramën dhe për të vazhduar politikat pro-serbe në Tiranë e Prishtinë.

Tashmë është fakt i njohur që Sali Berisha ka qenë një kundërshtar i vendosur i ndarjes së Veriut të Kosovës.

2. Faktori i dytë që duket se ka përshpejtuar këtë vendim është vendosja në radhën prioritare e dosjes Berisha nga Gjykate Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg lëvizje juridike kjo që vjen pas dy rezolutave të njëpasnjëshme nga dy forumeve të rëndësishme politike të partive të djathta evropiane e botërore.

Të gjitha këto janë venë në lëvizje dhe përshpejtuar edhe nga një protestë (e pa precedente kjo) e një grupi të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë para Parlamentit dhe Institucioneve Evropiane para disa javësh

3. Ky vendim sipas meje është ndikuar edhe nga një vendim i kohëve të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë rreth vendimeve të masave izoluese ndaj Kryetarit të Opozitës Shqiptare.

Dua të qartësoj këtu që unë jam nga ata që besoj dhe këtë e kam shprehur në vazhdimësi që akuzat e ngritura ndaj Z. Berisha janë tërësisht pa bazë e janë të shkruara keq nga kamikazë të ligjit në shërbim të politikës dhe pushtetit të Edi Ramës në Shqipëri. Unë kurrë nuk besoj se kjo dosje do të çonte dhe as nuk do të çojë në dënimin e Dr. Berishës por synim kishte mbajtjen e tij larg drejtimit aktive të Partisë Demokratike pra të izoluar të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme nacionale në Shqipëri sipas të gjitha gjasave të planifikuara në fillim të Majit të vitit 2025.

Këto faktorë por mbi të gjitha vendimi i Starsburgut bënë që gjykatat shqiptare të marrin një vendim që do t’i shpëtonte nga turpërimi i mëtejshëm!

Kjo sipas meje i ka detyruar të marrin këtë vendim të cilin regjimi i Tiranës përmes patronazhistëve mediatikë po përpiqet të na e shesë si funksionim të hallkave të "drejtësisë së re", gjë që është shumë larg të vërtetës”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat