Njohësi i shkencave të mediave dhe retorikës Gëzim Mekuli, ka analizuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe sfidat politike me të cilat përballet Kosova.
Ai vlerëson sukseset e VV-së në luftën kundër korrupsionit dhe përkushtimin për kthimin e shtetit në shërbim të qytetarit, por vëren se sfidat vazhdojnë, veçanërisht përballë një opozite dhe media që shpesh e sulmojnë qeverinë me propagandë dhe lajme të rreme.
Mekuli e sheh këtë si një përpjekje për të mbrojtur interesat klanore dhe personale, duke e cilësuar të keqen si "aktive dhe të organizuar".
“VV ka pasur sukses në çrrënjosjen e korrupsionit pandemik dhe kthimin e shtetit te qytetari. Por lufta politike kundër mafias ekonomike dhe mediatike, e salduar fort me opozitën, mbetet një sfidë. Opozita dhe disa media, për fat të keq, kanë zgjedhur ta bombardojnë qeverinë me propagandë dhe lajme të rreme, më shumë për interesa karieriste, klanore sesa për të mirën e popullit. Kur dikush sulmon të mirën publike për interesa private, duhet ta kuptoni se «e keqja» nuk është vetëm kundërshtare, por edhe aktive dhe e organizuar. Qeverisja e Kurtit ka treguar qëndrueshmëri, por duhet t'i bëjë ballë më fuqishëm sulmeve nga ata që kanë frikë nga një Kosovë e drejtë për të gjitha kulturat, etnitë dhe mbi të gjitha për Kosovën me elemente dhe simbolikën shqiptare”, shprehet Mekuli për gazetën “Bota sot”.
Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, kritiku i shkencave të mediave, mbështet optimizmin e kryeministrit Kurti për një fitore mbi 50%, por thekson nevojën për dialog politik dhe bashkëpunim, edhe në rast të një shumice absolute. Ai paralajmëron kundër koalicioneve që sjellin ngërçe dhe pazar politik, duke sugjeruar një qeveri të fuqishme dhe të hapur për dialog të sinqertë.
“Nëse VV fiton mbi 50%, do të ishte një mandat historik për një qeveri pa kompromis. Megjithatë, edhe me një shumicë absolute, bashkëpunimi politik është i domosdoshëm. Ajo që Kosova nuk ka nevojë, janë koalicionet që sjellin vetëm ngërç dhe pazare. Një qeveri e fuqishme, por e hapur për dialog të sinqertë me opozitën, do të ishte modeli ideal”, potencon Gëzim Mekuli.
Mekuli veçon rëndësinë e votës së diasporës, duke e quajtur atë shtyllën morale të Kosovës.
Ai beson se diaspora do të vazhdojë të mbështesë ndryshimin dhe të dërgojë një mesazh shprese.
Në fund, ai bën thirrje për veprime të zgjuara dhe të vendosura në politikë, duke përfshirë çlirimin e gazetarisë nga interesat personale dhe manipulimet.
“Diaspora është shtylla morale e Kosovës dhe themeli i formimit të gjysmështetit Shqiptar. Mërgimtarët votuan për ndryshimin në 2021, dhe shpresoj se do të bëjnë të njëjtën gjë tani. Nuk është çështje partie, por çështje misioni. Kur diaspora mbështet Kosovën, ajo dërgon një mesazh të fuqishëm: shpresa nuk ka ikur nga ky vend. Rezultati mund të ndryshojë, por angazhimi i diasporës për një Kosovë më të mirë nuk ndryshon kurrë.
Kosova nuk ka luksin të bëjë gabime historike. Mësimet nga e kaluara naziste, që nga Sudetenland në Çekosllovaki, nga Ukraina e deri tek agresioni serb, janë thirrje për veprim të zgjuar dhe të vendosur. Po ashtu, gazetaria shqipe e Tiranës dhe e Prishtinës duhet të lirohet nga pengmarrja e interesave personale dhe manipulimeve të orkestruara. Populli i Kosovës, kombi shqiptar në përgjithësi, meriton një të ardhme me dinjitet dhe drejtësi, dhe këtë duhet ta mbrojmë të gjithë bashkë pa dallim partie, krahine a feje”, thekson Mekuli.