Fletarrestimet e Serbisë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kritikohet ministri maqedonas - kërkohet reagim urgjent nga Qeveria e Kosovës!

Politika

Fletarrestimet e Serbisë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kritikohet ministri maqedonas - kërkohet reagim urgjent nga Qeveria e Kosovës!

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 30 nëntor 2024 Në ora: 14:38
Foto ilustrim

Çështja e ish-pjesëtarëve të UÇK-së është bërë temë në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Në korrik, autoritetet maqedonase e arrestuan ish-pjesëtarin e UÇK-së, Blerim Ramadani, në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Faktin se fletarrestimet e lëshuara nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë do të zbatohen edhe në vazhdim nga ana e këtij shteti, e konfirmoi edhe ministri maqedonas i Drejtësisë, Igor Filkov.

Ai theksoi se deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski për këtë çështje gjatë vizitës së tij në Kosovë, janë “keqkuptuar”.

Mickoski kishte thënë gjatë vizitës së tij në Prishtinë javë më parë se “kushdo që nuk i shkel ligjet” e vendit të tij është i “mirëseardhur” në Maqedoninë e Veriut, kur ishte pyetur në lidhje me kërkesat e Serbisë për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët Beogradi i akuzon për gjoja krime lufte.

Ministri Filkov tha të mërkurën se ajo çfarë “tha kryeministri atje nuk ka të bëjë me atë që ne të mbledhim çfarëdolloj kriminelësh, por ka të bëjë me zbatimin e drejtësisë dhe ligjeve”.

I pyetur nëse fletarrestimet e INTERPOL-it, me kërkesë të Serbisë, për ish-anëtarët e UÇK-së do të vlejnë nëse ata shkojnë në Maqedoninë e Veriut, Filkov u përgjigj shkurt: “Deri tani, vlejnë”.

Kjo temë ka ngjallur reagime të shumta, pasi kërkohet që RMV të mos zbatojë assesi këto fletarreste të Serbisë.

Jashari: Është mirë që Kosova të bëj presion tek autoritet maqedonase, që të mos i zbatojë këto urdhërarreste.

E në lidhje me këtë temë, në prononcim për “Bota sot” foli avokati Arbër Jashari.

Së pari, ai kërkoi nga ish-pjesëtarët e UÇK-së të mos kalojnë nëpër kufijtë e shtetit maqedonas, pasi ata rrezikon të ndalohen e më pas ekstradohen.

Image
Arbër Jashari.

“Të gjithë ish-luftetarët e UÇK-së, të cilët mund të jenë në dijeni se janë në listat e Serbisë të dorëzuara në INTERPOL, është më mirë që të mos kalojnë nëpër shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Kjo për arsye se sikur e tha edhe ministri i Drejtësisë së këtij shteti, ata rrezikojnë të ndalohen, e pastaj ndaj tyre edhe të zhvillohet edhe procedura e ekstradimit".

Gjithashtu, avokati potencoi se RMV nuk do ekstradonte shtetas kosovar në shtetin serb, por që vetë arrestimi i tyre për një kohë të caktuar, sjellë pasoja.

“Unë nuk besoj që shteti maqedonoverior, do të ekstradonte ndonjë shtetas kosovar në Serbi, mbi bazën e akuzave të fabrikuara, e të montuara, çfarë janë ato ndaj ish ushtarëve të UÇK-së, por gjithsesi vetë arrestimi i tyre i përkohëshëm, ka pasoja.

Është mirë që Kosova të bëj presion tek autoritet maqedonase, që të mos i zbatojë këto urdhërarreste”, përfundoi Arbër Jashari për “Bota sot”.

Halilaj: Zbatimi i urdhëresave të tilla, është sulm direkt ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës

Kurse, avokati Gazmend Halilaj në një bashkësbisedim me “Bota sot” u shpreh se deklarata e ministrit maqedonas në lidhje me fletarrestet e Serbisë është e palejueshme.

Ai tha se fakti që një deklaratë e tillë vjen nga një ministër është edhe më shqetësuese.

Image
Gazmend Halilaj

“Deklarata e ministrit të Drejtësisë së M.V, Igor Filkov, lidhur me zbatimin e fletarresteve nga Interpol sipas kërkesës së shtetit serb përkitazi me ish-ushtarët e UÇK-së, jo vetëm shqetësuese, por tërësisht e palejueshme.

Aq më shqetësuese, që kjo deklaratë nuk vjen nga një njeri i rëndomtë, por nga një ministër me kompetencë, dhe ai nuk tha që ka gjasa, por ishte shumë konkret dhe i prerë në këtë drejtim.

Zbatimi i urdhëresave të tilla, është sulm direkt ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës, e në veçanti ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Për më tepër ky veprim rrënon gjithë bashkëpunimin e arritur përtej dekadash, ndonëse po del të jetë fiktiv”.

Krahas kësaj, Halilaj kërkoi reagim të menjëhershëm nga qeveria jonë, kështu duke paralajmëruar qeverinë e Maqedonisë së Veriut në lidhje me këtë çështje.

Madje, tha se RMV s’ka asnjë të drejtë ligjore e as morale të zbatojë urdhra të tillë.

“Qeveria duhet të veprojë me urgjencë, dhe të paralajmërojë Qeverinë e M.V, që veprime të tilla apo të ngjashme, shpien jo vetëm te rrënimi i gjithë asaj që është ndërtuar deri më tani, por edhe mund të shpie deri te pezullimi i marrëdhënieve dy palëshe në aspektin politik, ekonomik dhe juridik.

Në këtë situatë pos tjerash, shteti i M.V, s’ka asnjë të drejtë ligjore e as morale të zbatojë urdhra të tilla, sepse nuk bëhet fjalë as për cenimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të saj e as të rendit kushtetues të M.V, por bëhet fjalë për një pretendim të një shteti krejt tjetër për një luftë, ku mbështetëse e UÇK- së, ishte vetë NATO, si Organizatë e Specializuar Ushtarake me karakter humanitar”, nënvizoi ai.

Në fund, avokati paralajmëroi se nëse nuk merren masa, kjo gjë mund të zbatohet në praktik dhe të shkaktojë pasoja.

“Krejt në fund, nëse nuk veprohet me urgjencë në këtë drejtim, kjo mund të zbatohet edhe në praktik nga shteti në fjalë, e si pasojë mund të aplikohet edhe nga shtetet për rreth, ku do të jetë një goditje direkte ndaj vlerave dhe lirive themelore të njeriut e në veçanti të ish-pjesëtarëve të UÇK –së”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat