Ditë më parë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti njoftoi se ka nënshkruar vendimin për themelimin e Komisionit Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjen e procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës së municionit dhe për laboratorët për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë.
Kurti gjatë mbledhjes të Qeverisë, tha se ky hap është i domosdoshëm besojmë për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm Forcës të Kosovës
Ky vendim u mirëprit mjaft mirë, ku thuhet se do ndikojë pozitivisht në aspektin e sigurisë së vendit tonë.
E për këtë çështje, për “Bota sot” foli ish-ushtaraku, Hafir Hoxha.
Së pari, ai rikujtoi kohën kur Kosova prodhonte municion në kohën e ish-Jugosllavisë.
Madje, vlerëson se ky vendim i qeverisë Kurti do ndikojë pozitivisht në strukturat për mbrojtje.
“Kosova ka miniera dhe ka prodhuar municion edhe gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, kjo nismë është shumë e nevojshme dhe e dobishme për Kosovën, ku nuk do të ketë nevojë të blehen municione për Policinë, FSK-në, për shoqatat e gjuetarëve dhe klube të ndryshme të shenjëtarisë si sport.
Kuptohet që ndikon pozitivisht në gatishmëri të strukturave për mbrojtje e nëse puna ecë mbarë ka mundësi dhe për të eksportuar municion”, deklaroi ai.
Po ashtu, ish-ushtaraku potencoi se shteti serb do bëj zhurmë në lidhje me këtë, por që nuk do ketë çfarë të bëj tjetër.
Ai potencoi edhe disa hapa që duhen ndërmarrë në këtë aspekt.
“Politikisht Serbia do të bëj zhurmë, por nuk do të ndikojë shumë në destabilizim të situatës së sigurisë.
Kemi kapacitet dhe mundësi të prodhojmë edhe veshmbathje, uniforma për Policinë, Ushtrinë, Mbrojtjen Civile, për Zjarrfikësit, spitalet dhe shumë struktura tjera, që detyrohen të blejnë uniforma jashtë vendit. Pra, edhe këto hapa duhet të merren që të punësohen njerëz në ato uzina dhe parat e buxhetit të Kosovës mos të dalin jashtë vendit, por të mbesin në qarkullim në vendin tonë”, përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.