50% të votave apo koalicion për Kurtin? Avokati Ngjela befason me parashikimin e tij për zgjedhjet e 9 shkurtit

Politika

50% të votave apo koalicion për Kurtin? Avokati Ngjela befason me parashikimin e tij për zgjedhjet e 9 shkurtit

Nga: A.Zh Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 10:59
Spartak Ngjela

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është shprehur optimist se Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë me mbi 50% të votave në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen me 9 shkurt.

Kurti në një intervistë për Alsat-M, është lavdëruar me përfundimin e qeverisjes së tij me mandat të plotë.

“Për herë të parë në Kosovën e pavarur, një Qeveri e nis dhe e përfundon mandatin si duhet, pra në mënyrë të rregullt dhe për katër vjet. Kjo është një arritje shumë e madhe. Krahasuar me vitin 2021, kur e morëm qeverisjen, në vitin 2025 buxheti i Kosovës do të jetë 50 për qind më i lartë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte mbi 50 për qind të votave në vitin 2021. Unë besoj se nuk do të ketë ndryshime dhe, rrjedhimisht, do të fitojmë sërish me mbi 50 për qind të votave”, ka thënë Kurti.

Megjithë optimizmin e kreut të LVV-së, avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, shprehet se Albin Kurti mund të ketë nevojë për një koalicion në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas Ngjelës, popullariteti i tij ka rënë dhe ai ka përplasje me politikën amerikane, gjë që mund ta dëmtojë.

“Kam përshtypjen se duhet të ketë nevojë për koalicion. Kjo sepse i kanë rënë aksionet Kurtit. Dhe Kurti e ka kundër politikën amerikane. Kjo do ta dëmtojë”, ka thënë avokati për gazetën “Bota sot”.

Ngjela pret të shohë se cili do të jetë aleati zgjedhor i Kurtit dhe rivali i tij nga opozita në këtë proces zgjedhor në Kosovë.

“Të shohim se kush do të jetë aleat zgjedhor i Kurtit në këtë proces zgjedhor në Kosovë. Dhe, cili do të jetë rivali i tij nga opozita”, ka theksuar avokati për ”Bota sot”.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të 2021-së dhe të cilat ishin organizuar brenda një periudhe të shkurtër kohore për shkak se ishin të jashtëzakonshme.

Në zgjedhjet e 2021-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë mbi 50 për qind të votave, në listë kishin qenë zyrtarë të listës Guxo, të cilët gjatë mandatit të parë janë kthyer në parti politike.

Partitë Vetëvendosje (VV), Guxo dhe Alternativa kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë në politikën e Kosovës, veçanërisht gjatë zgjedhjeve dhe formimit të Qeverisë.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të 2021-së, Lëvizja Vetëvendosje (VV) garoi në një listë të përbashkët me Lëvizjen Guxo, një subjekt i udhëhequr nga presidentja Vjosa Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat