“Sulm i qëllimshëm”, ish-ambasadori holandez dënon ashpër shpërthimin në Ibër-Lepenc – përmend edhe Vuçiqin

Politika

“Sulm i qëllimshëm”, ish-ambasadori holandez dënon ashpër shpërthimin në Ibër-Lepenc – përmend edhe Vuçiqin

Nga: A.M. Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 16:06
Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.

Të premten në mbrëmje ndodhi një shpërthim i madh në komunën e Zubin Potokut, në veriun banuar me shumicë serbe, ku me këtë rast u dëmtua një kanal të furnizimit më ujë nga liqeni i Ujmanit në zonë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha në një konferencë shtypi rreth mesnatës se sulmi i së premtes është akt kriminal dhe terrorist, i cili synonte të dëmtojë infrastrukturën kritike dhe më të rëndësishme të vendit.

“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulm i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë”, tha ai.

Ky sulm, u cilësua si një nga sulmet më të rënda që nga pas përfundimit të luftës në Kosovë.

E në lidhje me këtë ccështje, në një prononcim për “Bota sot” foli ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.

Ai këtë e cilësoi si një sulm të qëllimshëm nga nacionalistët serbë.

Në këtë rast, diplomati holandez përmendi ehde Vucciqin në këtë rast, ku tha se ndoshta edhe nuk i ka nxitur nacionalistët, por as që ka bërë diccka për t’i ndaluar ata.

“Është sërish një sulm i qëllimshëm ndaj Kosovës nga nacionalistët serbë që përpiqen të destabilizojnë veçanërisht veriun. Ndoshta nuk është nxitur nga Beogradi, por jo se regjimi i Vuçiqit bën shumë për të ndaluar nacionalistët ekstremë. Mënyra se si ata veprojnë e bën të vështirë për ndërkombëtarët të kritikojnë Vuçiçin dhe nacionalistët janë shumë të ndryshëm për t'u sanksionuar si grup. Pra, fatkeqësisht vetëm individët mund të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Bosch për “Bota sot”.

Sulmi i së premtes u dënua gjerësisht nga diplomacia perëndimore e cila i ofroi mbështetje Prishtinë në përballimin e situatës së krijuar pas tij.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës miratoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore.

Sulmi vetëm sa ka shtuar tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me gjithë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat