Sulmi terrorist në Banjskë ndodhi para një viti, më 23 shtator 2023.
Nga pamjet e qarta të ngjarjes, doli se organizator i sulmit dhe pjesëmarrës direkt ishte terroristi serb, Milan Radoiçiç.
Aktualisht Radoiçiç është i lirë në Serbi.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit ka deklaruar se në fund të këtij viti ose fillim të vitit 2025 do të merret një vendim lidhur me ngritjen ose jo të aktakuzës ndaj Milan Radoiçiçit.
Ai tha se pret një bashkëpunim të duhur me EULEX-in, siç u shpreh Kryeprokurori, Nenad Stefanoviç, në një intervistë për Kosovo Online.
Juristi Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se gjykimi i Radoiçiçit duhet të bëhet në Kosovë dhe jo në gjykata serbe.
Sipas tij, në sulmin Banjska, nuk është vetëm një person, por edhe shumë persona të tjerë.
“Këtu janë dy gjëra, për shkak presionit ndërkombëtar, dhe të mos ketë gjykim të pavarur, një proces që mund të merr kohë të gjatë dhe në fund të mos ketë aktgjykim akuzues, megjithatë ky gjykim duhet të bëhet në Kosovë, pra neutraliteti dhe pavarësia gjyqësore mund të kontestohet në gjykata serbe.
Sigurimi i një gjykimi të drejt dhe korrekt është i domosdoshëm, duhet të provohet se Radoiçiç ka krye vepër penale dhe kompetenca gjyqësore bie në Kosove e jo në Serbi -Vranjë apo në kaudër të çfarëdo lloj gjykate në Serbi.
Në rastin Banjska nuk është vetëm Radojçiç por shumë persona të tjerë dhe të sigurohen prova të përfshirjes së shumë personave zyrtar dhe ushtarak të pensionuar serb”, përmbyll ai.