Sulmi i së premtes së 29 nëntorit vazhdon të dënohet, por edhe të raportohet te ndërkombëtarët për këtë sulm.
Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien, i ka thënë atij se sulmi i 29 nëntorit ishte sulm mbi popullsinë civile.
Ai e ka njoftuar O’Brien për situatën pas sulmit.
“Kryeministri ndau me z.O’Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale. Sulmi i 29 nëntorit, ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë, u shpreh kryeministri”, thuhet në komunikatë e Zyrës së Kryeministrit.
Ndërkohë që hetimet për sulmin e fundit po vazhdojnë, kryeministri nënvizoi që në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe.
Gjatë këtij takimi, “kryeministri theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”.
Në përgjithësi sulmi i 29 nëntorit është ndëshkuar nga ndërkombëtarët, por sa do të ndëshkohet Serbia për këtë, duke rikujtuar se kjo e fundit nuk u ndëshkua as për rastin e Banjskës, pavarësisht provove që e implikonin atë.
Për këtë ka folur, Publicisti dhe autori i shumë shkrimeve për rajonin, Serbinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe, Fadil Lepaja.
Lepaja në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se marrëdhëniet Kosovë- Serbi kanë hyrë në një periudhë tranzitore.
Sipas tij, kjo gjë ka të bëjë me administratën e vjetër dhe të re amerikane, si dhe deklaratat e pozitës dhe opozitës në Kosovë.
“Konsideroj se në marrëdhëniet Kosovë Serbi sikurse edhe në luftën Ukrainë Rusi gjithçka është hyrë në një periudhë tranzitore, kur administrata e vjetër amerikane po vazhdon me inercion të zbatojë objektivat që i kishte qitur vetes dhe perëndimit në raport me Rusinë ndërkohë që administrata e re, në ardhje vetëm sa po prekë temat e nxehta nëpër deklarata dhe duke bërë kujdes të mos eskalojë konfliktet, me përjashtim të përkrahjes pa rezervë për Izraelin në lindjen e Afërt. Deklaratat e liderëve, të pozitës apo opozitës, në rajon më shumë shprehin shpresat e tyre sesa që dinë më tepër për drejtimin që do të marrin gjërat pas 20 janarit 2025”, shprehet Lepaja.
Sipas tij, akti i 29 nëntorit nuk është bërë nga vija zyrtare në Kosovë, as në Serbi, por ai nuk përjashton përfshirjen e presidentit serb.
Sipas tij, kërkesa për dërgimin e ushtrisë së Kosovës në veri dhe refuzimi nga ana e KFOR-it ishte një veprim këndellës dhe qetësues sikurse edhe deklarata e Ambasadorit amerikan.
“Konsideroj se ky akt, përkundër deklaratave paragjykuese, nuk është bërë nga vija zyrtare në Kosovë as Serbi, edhe pse duke pasur parasysh mungesën e kontrollit të Presidentit Serb Vuqiç mbi strukturat e sigurisë, nuk përjashtohet mundësia që ato të jenë të përfshira në këtë akt sikurse edhe në aktet e tjera të ngjashme. Janë të njohura projektimet e tilla, të shërbimeve serbe të dizajnuara për të përhapur panik dhe për të nxitur reagim të tepruar të palës tjetër. Kështu ishte inicuar konflikti në Sarajevë, veçse atje me akte terrori , kështu ishte inicuar lufta e parë botërore nga aktivitetet subverzive të serbëve lidhur me atentatin në Sarajevë dhe kështu duket të jenë inicuar edhe ngjarjet e vitit 2004, dhe llogaritë duken të jenë bërë për një reagim militant edhe në këtë rast, ku pavarësisht dëshirës për të evituar përshkallëzimin kjo vështirë se do të mund të kontrollohej. Kërkesa për dërgim të Ushtrisë së Kosovës në Veri dhe refuzimi nga ana e KFOR-it ishte një veprim këndellës dhe qetësues sikurse edhe deklarata e Ambasadorit amerikan”, pohon publicisti.
Perëndimi po zhvillon një politikë të sofistikuar me Serbinë, thotë Lepaja, gjersa shton se Kosova si shtet dhe si politikë zyrtare ende është në lojë si lojtare serioze.
“Konsideroj se Perëndimi po e zhvillon një politikë shumë të sofistikuar me Serbinë dhe nuk mendoj se ende ka dështuar ta mbajë të njëjtën me perëndimin edhe përkundrejt deklaratave të forta sidomos opozitare në Kosovë e Serbi. Një gjë është me rëndësi ta kuptojmë se e gjithë makineria politike , ushtarake etj e Perëndimit nuk është vënë në lëvizje dhe gatishmëri vetëm për shkak të Kosovës dhe se nyja kosovare është e rëndësishme por gjithsesi në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk e ka peshën që ne ja japim në mediat tona apo në foltoret politike. Në këtë rrafsh, kam përshtypjen se si shtet dhe si politikë zyrtare ende jemi në lojë si lojtar serioz dhe se deklaratat e forta dhe reagimet me panik mirëkuptohen nga perëndimi përderisa ne nuk e vejmë në dyshim orientimin tonë dhe bashkëpunimin tonë”, përfundon Lepaja.
Për incidentin e 29 nëntorit, si pasojë e të cilit nga ajo ditë po vazhdojnë reduktimet e ujit të pijes për një pjesë të Kosovës, pati disa të arrestuar dhe bastisje në veri të vendit.