Në Gjykatën Speciale në Hagë, po vazhdojnë dëshmi intensive. Ditë më parë, dëshmitar në senacë gjyqësore dëshmoi Halil Çadraku, i cili foli për rolin e tij si pjesë e G2-shit apo sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën Operative të Pashtrikut.
Ai e bëri dallimin në mes sektorit të Zbulimit dhe atij të Kundërzbulimit, për çka tha se ky sektor i fundit mblidhte informacione sa u takon elementeve të dëmshme për UÇK-në.
Dëshmitari tha se pjesë e këtyre elementeve apo strukturave okupuese kishte edhe shumë shqiptarë, për të cilët ai tha se i vije turp. Tha se këto shërbime serbe ishin të sofistikuara dhe përdornin forma të ndryshme që të zbulohej informacion nga UÇK-ja dhe shtoi se brenda tyre kishte edhe shqiptarë.
E sipas juristit nga Belgjika, Skënder Musliut, kjo është një nga dëshmitë më manipuluese dhe kontraverze ndaj Luftës Çlirimtare të Kosovës.
“Ditë më parë, në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, si dëshmitar i Prokurorisë Speciale, për katër ditë me radhë, dëshmoi Halil Çadraku, në cilësinë e shefit të G2-shit për Zonën Operative të Pashtrikut, në sektorin e Zbulim – Kundërzbulimit.
Që nga fillimi i procesit gjyqësor kundër H.Thaçit, K.Veselit, J.Krasniqit dhe R.Selimit, nga të gjitha dëshmitë e seancave publike që kemi përcjellë, konsideroj se dëshmia e Halil Çadrakut, ka qenë ndër dëshmitë më kontroverse, më manipuluese dhe akuzuese ndaj UÇK-së dhe Luftës Çlirimtare të Kosovës”.
Musliu në një prononcim për “Bota sot” kundërshtoi ashpër deklaratën se FARK-u e kishte sabotuar luftën e UÇK-ës.
Po ashtu, ai argumentoi rolin e presidentit historik, Ibrahim Rugova në formacionin e FARK-u dhe rëndësinë që kjo strukturë ushtarake luftoi në disa beteja, bashkë me UÇK-në.
Për këtë, ai nënvizoi se nuk qëndrojnë akuzat e Çadrakut dhe shokëve të tij të nga Shtabi i Rognerit, që sulmojnë FARK-un.
“Ndër manipulimet inkriminuese më të rënda të këtij dëshmitari, do të veçoja dëshminë se, në kontekst të pyetjes së gjykatësit lidhur me FARK-un, ai deklaron se FARK-u ishte krijuar për ta sabotuar luftën e UÇK-së dhe se këtë mendim e ka edhe sot. Prandaj me këtë rast, këtij dëshmitari dhe shokëve të tij nga Shtabi i Rognerit, që i mbron përmes të pavërtetave, duhet përkujtuar se FARK-u ishte dhe ngelë formacioni i vetëm ushtarak, legjitim, legal dhe institucional, që bazën juridike e ka patur në Kushtetutën e Kaçanikut, me komandant suprem Ibrahim Rugova, i zgjedhur me vota tër lira si kryetar i Republikës së Kosovës. FARK-u, si formacion i strukturuar ushtarak, ishte vektori kryesor i disa betejave në Kosovë, duke përfshirë edhe atë të Koshares, si dhe luftën në përgjithësi, duke luftuar me emblemën e UÇK-së, sepse FARK-u ishte populli, e jo komandantët e vetëshpallur dhe analfabetë. Nismat e para datojnë që nga vitiet e 90-ta, kur Ibrahim Rugova përmes politikave paqësore arriti t’a homogjenizojë popullin, që pastaj kaloi në planin « B », për organizimin e një rezistence ushtarake, ku aktivistët e LDK-së organizuan gjithandej Kosovës mbrojtjen territoriale, e jo Shtabi i Rognerit. Për këtë qëllim Rugova kishte arritur marrëveshje me Ramiz Alinë për trajnimin e kuadrove të para në Shqipëri, ndër të cilët ishte edhe Adem Jashari me disa shokë”, deklaroi juristi nga Belgjika.
Gjithashtu, Musliu bëri një koment mbi atë se çka Çadraku tha për raportet me LDK-në dhe disa aktivistë të saj.
Kësisoj, përmendi Ekrem Rexhën, komandant Drinin, kolonel Tahir Zemajn, ku fatkeqësisht këta dy të fundit u vranë pas përfundimit të luftës.
“Struktura komanduese e FARK-ut ka qenë profesionale, kuadro me akademi ushtarake dhe përvojë d.m.th. ushtarak të karrierës, kurse shokët e këtij dëshmitari të Shtabit të Përgjithshëm që i lavdëroi deri në piedestal, në realitet njihet si Shtabi i Rognerit, ishin pa kurrfarë njohurie ushtarake, dhe të vetmin « zanat » që e kishin, ishte lidhshmëria me elitën politike dhe SHISH-in e Shqipërisë të asaj kohe, që janë marrë me korrupsion, krim të organizuar, kontrabandë me armë, përndjekjen e kundërshtarëve politik të LDK-së dhe ushtarakëve të FARK-ut, vjedhjen e Fondit « Vendlindja thërret » dhe «3%.
Ky dëshmitar kontrovers, nga njëra anë lavdëron rolin dhe kontributin e Shtabit të Rognerit në luftë, kurse nga ana tjetër deklaron se këta « nuk kanë pasur aktivitet ushtarak operacional në terren» edhe pse në rolin dhe cilësinë që ka pasur në G2 është dashur me i ditë të gjitha ngjarjet e kohës?!
Po ashtu, gjatë dëshmisë, Çadraku, në kontekst të pyetjeve të Prokurorisë lidhur me raportet me LDK-në, deklaron se nuk ka pasur problem me LDK-në, por me disa anëtarë të LDK-së. Unë them se, është normale se nuk ka pasur probleme me LDK-në, sepse LDK-ja, ka qenë populli, kurse ka pasur probleme me disa aktivist të LDK-së, d.m.th. me ata që nuk kanë dashur t’iu nënshtrohen as përmes dhunës Shtabit të Rognerit. Në këtë kuptim, Çadraku foli edhe për komandant Drinin, Ekrem Rexhën, me të cilin, siç deklaroi ai, raportet nuk kanë qenë të mira madje kanë pasur mospajtime konceptuale, prandaj në vend që t’i raportojë komandant Drinit, Çadraku, siç thotë ai, i ka raportuar Shtabit të Përgjithshëm përmes kanaleve të ndryshme. Për kolonel Tahir Zemaj, thotë se, edhe pse ai ishte zgjedhur me vota, Shtabi i Përgjithshëm e kishte kontestuar përzgjedhjen e tij, dhe si rrjedhojë e një «marrëveshje» me Shtabin e përgjithshëm, është zëvendësuar, që tregon qartë ndikimin e Shtabit të Përgjithshëm në terren, që Çadraku e kontestonte gjatë dëshmisë së tij. Fatkeqësisht, pas luftës, komandant Drini dhe kolonel Tahir Zemaj, si shumë të tjera, mizorisht u vranë vetëm se ishin pjesëtar të FARK-ut”, shtjelloi Musliu.
“Halil Çadraku, përmes kësaj dëshmie, ka shprehur mllefin dhe urrejtjen patologjike ndaj FARK-ut dhe veprimtarëve të LDK-së”
Në vazhdim, juristi nga Belgjika potencoi se këto dëshmi të Çadrakut, janë ndër dëshmitë më arrogante, më të turpshme, më inkriminuese ndaj luftës çlirimtare.
Madje, u shpreh se Çadraku me dëshminë e tij e tregoi hapur urrejtjen patologjike ndaj FARK-ut dhe veprimtarëve të LDK-së.
“Madje, dëshmitari Çadraku, paska qenë anëtar i Komisionit për vlerësimin e kërkesave për statusin e veteranit, sipas dëshmisë dhënë Prokurorisë, ai paska refuzuar t’i pranojë të gjitha kërkesat që vinin nga FARK-u, me pretekstin se nuk e kishin merituar këtë status, mbase, sipas tij, FARK-un paska ndejtur duarkryq në Tiranë dhe nuk e paska ndihmuar luftën. Mirëpo, dëshmitari Çadraku, nuk tregon se, edhe pse Shtabi i Rognerit në mënyrë mafioze e kishte monopolin mbi armatimin dhe nuk i jepte armatim « farkistëve » duke e penguar dhe sabotuar punën e tyre, prapë se prapë FARK-u gjeti forca ta bartë luftën me përgjegjësi. Ky dëshmitarë, me mendësinë e tij, shkon edhe më larg, respektivisht në një emision televiziv, ai e kishte kontestuar të qenurit hero Tahir Zemaj, por edhe komandant Drinin, për të vetmin fakt, se ata ishin pjesë e FARK-ut. Këto dëshmi të Çadrakut, janë ndër dëshmitë më arrogante, më të turpshme, më inkriminuese, që për qëllim kanë falsifikimin e historisë së lavdishme të Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Halil Çadraku, përmes kësaj dëshmie, ka shprehur mllefin dhe urrejtjen patologjike ndaj FARK-ut dhe veprimtarëve të LDK-së, që nuk iu nënshtruan persekutimeve të Shtabit të Rognerit dhe si rezultat i këtyre ndasive mes Shtabit të Rognerit, nga njëra anë dhe FARK-ut dhe LDK-së, nga ana tjetër, fatkeqësisht para, gjatë dhe pas luftës u vranë shumë komandant dhe ushtarak të shquar të FARK-ut, veprimtar dhe patriot të LDK-së”, nënvizoi ai.
Më tej, Musliu vlerësoi se pas kësaj dëshmie do duhej të reagonin organizatat e dala nga lufta, LDK-ja, shoqëria civilie, pjesëtarët e FARK-ut, etj.
Sipas tij, tha se nëse nuk ngritet zëri ndaj këtyre çështjeve, historia do të falsifikohet.
“Halil Çadraku dhe shokët e tij, duhet t’a dijnë se, ka shumë ushtarë dhe veprimtarë të shpallur heronj të kombit, të cilëve institucionet e Republikës së Kosovës iu kanë ngritur përmendore dhe komplekse memoriale, që shënohen çdo vit, por a ka, madje edhe vetëm një anëtarë të Shtabit të Rognerit që është shpallur Hero?!
Lidhur me dëshminë e Halil Çadrakut, është dashur të reagojnë organizatat e dala nga lufta, LDK-ja e cila e ka «humbur shtëpinë në mes të oborrit», shoqëria civile, pjesëtarët e FARK-ut dhe analistë dhe gazetar, me qëllim që të dalin nga heshtja, ta tregojnë të vërtetën, përndryshe historia do të falsifikohet. Për organizatat e dalë nga lufta është normale mos reagimi i tyre, sepse ato janë shndërruar në degë PDK-së dhe AAK-së, kurse shumë të ashtuquajtur gazetar dhe analistë paguhen enkas përt ta mbrojtur Shtabin e Rognerit”.
“Çadraku, i vërtetoi aktakuzat e Prokurorisë Speciale kundër H.Thaçi, K.Veselit, J.Krasniqit dhe R.Selimit”
Në fund, ai shtoi se dëshmia e Çadrakut në mënyrë indirekte i vërtetoi aktakuzat e Prokurorisë Speciale kundër H.Thaçi, K.Veselit, J.Krasniqit dhe R.Selimit.
Kurse, tha se, nganjëherë dëshmitarët, duke dashur t’i mbrojnë të akuzuarit me çdo kusht, përfundojë duke treguar diçka më shumë.
“Përvetësimi, privatizimi dhe kidnapimi i UÇK-së nga Shtabi i Rognerit me sloganet se, PDK-ja është shtëpia e UÇK-së, se askush tjetër nuk mund ta përfaqësojë UÇK-në përveç PDK-së, se UÇK-ja është ADN-ja e PDK-së, janë manipulime dhe indoktrinim i opinionit dhe është gabim i pafalshëm dhe inkriminues që Shtabin e Përgjithshëm - Shtabin e Rognerit, që asnjëherë nuk ishte në vijat e frontit, t’a identifikohet me UÇK-në.
Nëse do ta përmbledh shkurtimisht dëshminë e Halil Çadrakut, pa i analizuar edhe shumë detaje tjera, mund të konstatoj se, në mënyrë direkte apo indirekte, ai i vërtetoi aktakuzat e Prokurorisë Speciale kundër H.Thaçi, K.Veselit, J.Krasniqit dhe R.Selimit, se ata, thjesht, paskan pasur mospajtime dhe probleme me FARK-un dhe kundërshtarët politik të LDK-së, rrjedhimisht edhe i paskan përndjekur dhe likuiduar, dhe këtë lidhshmëri Prokuroria Speciale, do të përpiqet ta vërtetojë, kurse Gjykata Speciale mund ta materializojë në arsyetimin e Aktgjykimit.
Është e drejtë e çdo dëshmitari të dëshmojë sipas njohurive të tij, mirëpo duhet të mbajë edhe përgjegjësi për të pavërtetat dhe dëmet që mund t’i shkaktojë të akuzuarve dhe procesit gjyqësor, sepse ndonjëherë, duke dashur që dëshmitarët t’i mbrojnë të akuzuarit me çdo kusht, ata vijnë në situatë, siç thotë populli, « mos e vet se të kallxon vet »”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.