Para pak ditësh Serbia sërish sulmoi veriun e Kosovës përmes sulmit të organizuar në Zubin Potok. Ky sulm terrorist serb siҫ është quajtur edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, ngjalli reagime të shumta si nga ndërkombëtarët, ashtu edhe nga zyrtarët politikë në Kosovë.
Serbia edhe kësaj radhe mohoi të fshihet pas këtij sulmi.
Në deklarimin e përfaqësuesve të BE-së, thuhet se, Bashkimi Evropian dënon me shprehjen më të ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës.
“BE-ja u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in. Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij. Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë ata në mbarë Kosovën që janë prekur nga sulmi. Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme. Veprimi kriminal i kryer në Zubin Potok duhet të hetohet dhe autorët e tij të sillen para drejtësisë. Në këtë aspekt, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Lidhur me këtë sulm, ka folur për ‘Bota sot’ deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham. Ai këtë sulm e ka quajtur si shumë të rrezikshëm për rajonin.
"Sulmi në Zubin Potok ishte një sulm terrorist në infrastrukturën kritike civile në Kosovë. Ky është një përshkallëzim i madh dhe shumë i rrezikshëm për stabilitetin e rajonit. Është e rëndësishme që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së e ka dënuar këtë si një sulm terrorist (në 30 Nëntor) dhe bëri thirrje që autorët të sillen para drejtësisë”, vlerëson ai.
Deputeti gjerman thotë poashtu se Serbia duhet menjëherë të sjell Milan Radoiҫin në Kosovë, të përballet me rastin Banjska.
“Serbia gjithashtu duhet të ekstradojë menjëherë Milan Radoiçiqin në Kosovë, për t'u përballur me drejtësinë për sulmin në Banjskë”, thekson ai.