Kurti për vizitë në Sarajevë, Dodik ofendon dhe kërcënon, analistët: Vetëm SHBA e BE mund t’ia ‘ulin bishtin’ pionit rus

Politika

Kurti për vizitë në Sarajevë, Dodik ofendon dhe kërcënon, analistët: Vetëm SHBA e BE mund t’ia ‘ulin bishtin’ pionit rus

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 6 dhjetor 2024 Në ora: 09:54
Eskorta e kryeministrit Kurti në Sarajevë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka nisur një vizitë në Bosnjë dhe Hercegovinë, saktësisht në Sarajevë. Ndonëse ishte paraparë të mbahej një samit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili më parë u anulua, Kurti udhëtoi drejt Sarajevës.

Tashmë dihet qartë qëndrimi i BeH ndaj Kosovës, duke marrë parasysh rolin që ka Serbia atje. Një pasqyrim të këtij qëndrimi e dha edhe presidenti i entitetit të RS, Milorad Dodik.

Ky i fundit përmes rrjeteve sociale u ankua që ai do të duhet të paraqitet në gjyq, në kohën kur Kurti viziton Sarajevën.

“Kurti po vjen në Sarajevë për të folur për pakicat kombëtare, unë si president i Republikës Serbe dhe anëtar i popullit përbërës, po vij në Sarajevë për të marrë pjesë në gjykatë. Ndërsa Kurti, i cili është përgjegjës për sulmet e shumta ndaj popullit serb dhe vendeve të shenjta ortodokse, është mirëpritur në Sarajevë me respekt, unë, presidenti i zgjedhur i serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, jam në gjyq sepse nuk respektoj ligjet që kanë qenë nuk kaloi nga vullneti i popullit, por në zyrat dhe kuzhinat e atyre që qëndrojnë sot pas këtij provokimi. Dikush duket se po nxiton të krijojë kaos në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka shkruar ai.

Mirëpo, ҫka pritet nga kjo vizitë duke e ditur rolin e Republika Serbe atje? A mund të ndryshojë qasja e e BeH ndaj Kosovës pas vizitës së Kurtit?

Qasja e BeH, ndaj Kosovës, duhet dhe do të ndryshojë patjetër ngase nuk ka rrugëdalje tjetër

Për këtë çështje ka folur edhe veprimtari dhe analisti politik, Gani Qarri. Ai thekson se, siç njoftuan mediat e shkruara e ato audio-vizive si dhe e vërtetoi edhe zonja Elvira Dushi, presidente e komunitetit shqiptar në Bosnje e Hercegovinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti arriti për një vizitë në Bosnjë e Hercegovinë ku u prit nga z.Refki Lendo nënkryetari i Federatës boshnjake dhe bashkë me te eskorta u përcoll nën kujdesin e policisë shtetërore të këtij vendi, i ftuar të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”, që të mbajë edhe një fjalim në këtë konferencë.

Image
Gani Qarri

“Në fakt vizita e kryeministrit të Kosovës në Bosnje e Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte me 4 dhe 5 dhjetor, në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej me këto data në Neum, por sipas njoftimeve nga atje, udhëheqësi i entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit i cili mban qëndrim të hapur prorus dhe kundërshton njohjen e Republikës së Kosovës nga Bosnja e Hercegovina, ndaloi ministrat e të ashtuquajturës "republika srpska" ti bashkoheshin Këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës, duke bërë që të anulohet edhe samiti i liderëve të Ballkanit dhe BE-së, në Bosnjë. Megjithatë kryeministri Kurti nuk e anuloi vizitën në Bosnje e Hercegovinë dhe vizita e tij u konfirmua edhe nga Qeveria e Kosovës, prej nga u njoftua se kryeministri Kurti do të qëndrojë për vizitë në Sarajevë dhe atje do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore boshnjake, e përfaqësues politikë të këtij vendi, si dhe do të marrë pjesë në një eveniment të organizatës joqeveritare "Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99" ku është ftuar të mbajë edhe një fjalim”, thekson Qarri.

Ai thotë po ashtu se, gjatë samitit të Procesit të Berlinit, i cili në mes të tetorit, u mbajt në Gjermani, në shenjë solidariteti me parimet e këtij Procesi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se nga 1 janari i vitit 2025 Kosova, do t’a heq njëanshëm sistemin e vizave ndërmjet Kosovës e Bosnjë Hercegovinës dhe do t`ua mundësojë qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës të hyjnë vetëm me letërnjoftim në Kosovë.

Por përkundër vendimit të Kosovës, sa i takon vet marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, për heqjen e regjimit të vizave midis të dy shteteve, e cila do t’u mundësonte qytetarëve të të dy vendeve të udhëtonin pa viza, ajo vazhdon të bllokohet nga përfaqësuesit e të ashtuquajturës "republika serbe", me diktimin e Millorad Dodikut dhe shkaku i kundërshtimit të tij, kjo marrëveshje ende nuk po arrin të miratohet në Kuvendin e Bosnjë-Hercegovinës.

“Kështu që në udhëtimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasditen e 5 dhjetorit për vizitë në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës, përveç pjesëmarrjes në evenimentin e organizatës joqeveritare "Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99", ndërmjet tij dhe zyrtarëve të federatës boshnjake, me siguri do të diskutohet edhe për gjetjen e mënyrave të mundshme për miratimin e marrëveshjes dy palëshe për heqjen e regjimit të vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve, që është obligim i rrugëtimit për inkuadrim në BE dhe parim i dalë edhe nga samiti i procesit të Berlinit, mbajtur në mesin e tetorit në Gjermani. Shto gjithë kësaj faktin e trishtë, se veprimet e Millorad Dodikut, janë veprime të dirigjuara nga Rusia, veprime për të cilat është shprehur i shqetësuar edhe ambasadori amerikan në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy i cili veçanërisht pas lajmit se Autoritetet në Moldavi kanë identifikuar më shumë se njëqind të rinj, që dyshohet se janë stërvitur në Rusi, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, me qëllim të destabilizimit të këtij vendi, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë, u shpreh shumë i shqetësuar lidhur me informacionet e fundit se Rusia edhe në një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si Bosnje e Hercegovina, me lejen e njerëzve si Dodiku, ka formuar organizata paramilitare brenda entitetit serb në të ashtuquajturën "Republika serbe", dhe ka ngritur një kamp trajnimi aty, për individët me qëllim që të ndërhyjë edhe në zgjedhjet në Moldavi”, thotë analisti.

Ai thotë gjithashtu se, megjithëse policia moldave publikoi edhe pamjet autentike të kamerave të fshehta nga stërvitjet e filmuara të këtyre personave të sponsorizuar nga Rusia, gjatë trajnimit në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ku ata shiheshin edhe brenda në klasat ku “ushtroheshin për protesta” dhe thërrisnin sloganet si; “gjuha jonë është ruse”, “jo shtetësisë së dyfishtë” dhe “ne nuk duam të hyjmë në Evropë”, si dhe skenat nga një kamp stërvitor atje, të cilat shfaqin të rinjtë duke mësuar të krijojnë edhe eksploziv, si dhe të përdorin dronët ushtarak, autoritetet në "republika serbe" as ato në Serbi, jo vetëm që nuk i kanë mohuar, por as nuk kanë reaguar fare.

“Kështu që roli dëmtues i Dodikut dhe të ashtuquajturës “republika serbe” është i shumanshëm, por përkundër rolit shumë negativ të Dodikut dhe të ashtuquajturës "republika serbe" e cila përqafon dhe zbaton me besnikëri politikat ruse atje, BE dhe SHBA kanë mundësi dhe mekanizma, që ta ulin në bisht pionin e Rusisë Millorad Dodikun dhe detyrojnë këtë ngrehinë gjysmë të egër, të krijuar mbi gjenocidin dhe vrasjet e qindra-mijëra boshnjakëve të pafajshëm, që mbijeton jo me të drejtë, por me forcë, edhe nën peshën e rëndë të aktakuzës ndërkombëtare për gjenocid ndaj boshnjakëve, të miratuar në OKB, tu bindet parimeve për fqinjësi të mirë të BE-së si detyrim i patejkalueshëm për inkuadrim në këtë organizatë me rëndësi. Andaj pas vizitës së kryeministrit të vendit tonë Albin Kurti në Bosnje e Hercegovinë, na mbetet të shpresojmë se edhe nëse jo në mënyrë të menjëhershme, qasja e BeH, ndaj Kosovës, duhet dhe do të ndryshojë patjetër ngase nuk ka rrugëdalje tjetër, qoftë edhe përmes hapave të vegjël e veprimeve të pjesshme dhe me ndihmën e BE-së e të SHBA-ve, përpjekjet e tyre serioze e të njëmendta, do të tregojnë edhe efekt pozitiv dhe përfundimisht do të qojnë në cakun e duhur,që është edhe përcaktim, por dhe obligim për rrugëtim të suksesshëm evropian, organizatë e cila nuk pranon shtete me armiqësi dhe konteste të hapura fqinjësore, në mesin e saj”, nënvizoi Qarri për ‘Bota sot.

Shkodra: Pa u ndërruar Dodik, nuk shoh që do të ketë ndonjë ndryshim, jo vetëm për Kosovën por as vendet tjera

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur edhe analistja politike, Magbule Shkodra. Ajo thotë për ‘Bota sot’ se, kryeministri Kurti megjithatë ka udhëtuar për në Sarajevë dhe do të jetë në agjendë të një organizate joqeveritare që ka të bëjë me Asociacionin e intelektualëve apo një ngjarje e tillë. 

Image
Magbule Shkodra

Andaj, ajo i ka quajtur të pamatura deklaratat e Dodik-ut

“Megjithatë, ne kemi parë se prej që është paralajmëruar se z.Kurti do të udhëtoj për në Bosnjë dhe Hercegovinë, lideri i Listës Serbe, Dodik ka bërë disa deklarata që sipas mendimit tim janë plotësisht të pamatura, duke thënë se nuk se pse vjen kryeministri Kurti atje, pasi ky po i shkel të drejtat e serbëve, dhe kjo retorika boshe politike e tij, megjithatë kjo është situata. Po ju kujtoj gjithashtu se gjatë vizitës së shefit të CIA-së, ishte në Ballkanin Perëndimor dhe që atëherë ai, ua dha një mesazh i cili u përcoll tek Dodik, dhe menjëherë pas asaj vizite, z.Dodik, kishte ndryshuar fjalët dhe kishte thënë se ai do të bëhet koperativë, do të mundohet të jetë i arsyeshëm në veprimet e tij”, thotë ajo.

Analistja Shkodra thotë se, kjo është situata politike në Bosnjë, dhe se organizimi politik atje është më i komplikuar.

“Atje lidershipi shkon me rotacion dhe problem është pikërisht nga udhëheqësi i komunitetit serb në republikën serbe, i cili faktikisht paraqet probleme jo vetëm për Kosovën, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë atje”, vlerëson ajo.

Sa i përket deklarimeve të Dodik, analistja përmend edhe vizitën e tij në Rusi tek President rus, Vladimir Putin.

“Unë nuk pres që qëndrimet e BeH të ndryshojnë në raport me Kosovën, pa ndryshuar lidershipi i republikës serbe. Pra, pa u tërhequr lideri i republikës serbe, i cili pak kohë më parë ishte edhe në vizitë në Rusi tek Putini, kështu që pa u ndërruar ky lider, nuk shoh që do të ketë ndonjë ndryshim, jo vetëm për Kosovën por edhe vendet tjera, posaçërisht edhe për situatën e brendshme të Bosnjës dhe Hercegovinës”, vlerëson ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat