Në Gjykatën Specialë, së fundi dëshminë e ka dhënë Sokol Bashota, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe zyrtar i lartë i PDK-së.
Ndër tjerash, në dëshminë e tij, Bashota e mohoi se ai qëndronte prapa komunikatave të cilat u lëshuan në emër të Shtabit të Përgjithshëm, ashtu siç kishin deklaruar gjatë dëshmisë së tyre në Speciale, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi.
Sipas gjyqtarit Mettraux, Rexhep Selimi për ZPS-në në 2019-ën kishte thënë që me komunikatat deri në 97-ën ishte marrë Nait Hasani dhe pas rënies se tij në burg Sokol Bashota.
“Mua po me kërkohet me hamendësu se çfarë kanë dashtë me thanë këta, por unë mendoj që është më relevante atë që them unë në kuptimin se këtu është fjala për vetën e parë njëjës dhe për atë që unë e di. Për këto jam i vetëdijshëm që po e them nën betim, unë nuk i kam shkru komunikatat as të parën deri tek e fundit. Andaj, supozimin që e kanë dhanë këta nuk i di arsyet, por një mund ë jetë një arsye për vetë faktin që kam qenë në Kosovë. I vetmi prej anëtarëve të Shtabit që ka mbetë në Kosovë. Ndoshta iu kanë referu kësaj, por që kam shkru komunikata kjo nuk është e vërtetë kurrë”, tha Bashota ndër tjerash në përgjigjen e tij.
E lidhur me këtë, analisti Faton Mehmeti thotë se dëshmia e Sokol Bashotës është ndër dëshmitë më të forta që janë dhënë deri me tani në Gjykatën Speciale.
"Dëshmia e Sokol Bashotës ka qenë ndër dëshmitë më të forta që janë dhënë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, nga kjo del në pah se Thaçi s’ka qenë aq i kyçur në Kosovë në Shtabin e Përgjithshëm siç deklaronte", thotë Mehmeti.
"Vet e tha se ka qenë ën Zvicër, dhe se komunikatat janë shkruar nga z.Bashota. Asnjë herë sa kanë qenë në liri nuk e kanë pranuar se nuk kanë qëndruar në Kosovë, tani në Hagë thonë se s’kanë qenë në Kosovë por më shumë jashtë saj", shton Mehmeti për "Bota sot".
Sipas tij, Bashota e zbuloi edhe njëherë se Thaçi asnjëherë nuk ka qenë përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm, ashtu siç ka deklaruar ne vazhdimësi Thaçi.
"Del në pah e vërteta dhe për më tepër dalin në pah përçarjet që kanë ekzistuar brenda strukturave të larta të luftës. Por, z.Bashota tregoi të vërtetën dhe nuk u tregua burrë i lig, ai vetëm sa e konfirmoi faktin se Thaçi s’ka qenë përfaqësues i zgjedhur brenda shtabit pasi është vet ai nuk e kishte njohur aq sa duhet", nënvizon Mehmeti.
Më tej, Mehmeti thotë se Thaçi e Selimi, fajin për komunikatat deshën ta hedhin te Sokol Bashota.
"Kështu, Thaçi dhe Selimi u munduan të hidhnin topin tek të tjerët, kur vet Rexhep Selimi dikur akuzonte Thaçin se shkruante komunikatat tani thotë se ishte Bashota. Kështu, po mundohen të hedhin përgjegjësinë tek njëri tjetri, çka dëshmon se interesi personal është mbi çdo gjë tjetër", përfundon analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Faton Mehmeti.