Deputetët e Listës Serbe, (parti kjo që njohet për lidhjet e saj me qeverinë e Beogradit), paraqiten në Kuvendin e Kosovës një herë në gjashtë muaj.
Deputetët e saj nuk marrin pjesë në seanca, për shkak të “aksionit strategjik” - siç e kanë cilësuar ata bojkotimin e institucioneve të Kosovës - por paraqiten një herë në gjashtë muaj, për të mos i humbur mandatet.
Mirëpo, këtë të enjten, ata s’u lejuan të hynin në Kuvend nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i akuzoi ata për keqpërdorim të parasë publike, si dhe bashkëpunim me Millan Radoiçiqin.
“Është më të vërtetë e patolerueshme në Kuvendin e Kosovës këso sjellje. Njëherë në gjashtë muaj vini në Kuvendin e Republikës së Kosovës vetëm për me i keqpërdorur paratë e taksapaguesve, në anën tjetër e luftoni Republikën e Kosovës me çdo mjet që e keni dhe shkoni e i rrini gatitu shefit tuaj kriminel, (Milan) Radojiçiçit dhe keni guxim dhe vini në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë dhe kërkoj ta lironi Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha zoti Konjufca.
Ky vendim i Konjufcës ka nxitur reagime të mëdha, derisa është theksuar fakti që LS duhet të ndalojë se paguari nga taksat e qytetarëve të Kosovës.
Madje, tash e një kohë po kërkohet që Lista Serbe të mos lejohet të marrë pjesë as në zgjedhjet parlamentare, marrë parasysh lidhjet e saj me grupet kriminale serbe dhe qeverinë e Serbisë.
Kapiti: Lista serbe, në të vërtetë ajo nuk meriton që të jetë e regjistruar si parti politike në Kosovë
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Skënder Kapiti.
Së pari, ai tha se LS nuk e meriton as të jetë e regjistruar si parti politike, pasi është ‘kali politik i Trojës” në Kuvendin e Kosovës.
“Lista Serbe, në të vërtetë ajo nuk meriton që të jetë e regjistruar si parti politike në Kosovë, ajo duhet të nxirret jashtë ligjit për veprimtarinë e saj subversive dhe diversioniste e dirigjuar nga Beogradi, sepse ajo është kali politik i Trojës në Parlamentin e Kosovës. Asaj i duhet ndaluar që të marrë pjesë në zgjedhjet politike në Kosovë, përderisa ajo sillet sikur të ishte parti politike antishqiptare e shtetit të Serbisë”, deklaroi opinionisti.
Po ashtu, Kapiti potencoi se Lista Serbe nuk zbaton ligjet dhe nuk respekton Kushteutën e Kosovës, rrjedhimish as nuk duhet të lejohet të regjistrohet si parti politike.
Në këtë pikë, theksoi bashkëpunimin dhe agjendat kriminale të saj, që i bën në koordinim me qeverinë e Beogradit.
“Edhe të veprosh kundër shtetit të Kosovës, edhe të kërkosh që të marrësh pagën nga taksapaguesit kosovarë kjo nuk shkon, sepse kështu janë mësuar serbët në Kosovë, i shërbejnë Serbisë dhe nuk paguajnë as taksa dhe as rrymen elektrike. Një parti plitike që regjistrohet në Kosovë, duhet t’i bindet dhe të veprojë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, dhe jo të veprojë e t’u shërbejë agjendave kriminale dhe urdhërave të Beogradit”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.
Preqi: Lista Serbe nuk ka vend në Kuvendin e Kosovës, sepse është çerdhe e terrorizmit
Kurse, opinionisti Dedë Preqi, tha se Lista Serbe është bashkëkriminale e ngjarjeve terroriste në Kosovë.
Po ashtu, në bashkebisedim me “Bota sot” theksoi faktin se LS dërgon materiale nga Kosova në Beograd.
“Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ua tërheqi vërejtjen Listës Serbe, të cilët marrin pjesë në seancat e Kuvendit, njëherë në gjashtë muaj, vetëm atëherë kur vjen koha për të mos e humbur mandatin e deputetit dhe vijnë për të nënshkruar për të marrë meditjet.
Lista Serbe, duke mos reaguar dhe u distancuar fare nga veprimet kriminale dhe terroriste serbe në veri të vendit, do të thotë se pajtohet me veprimet e tyre kundër shtetit dhe ligjeve të Kosovës, prandaj, në këtë kontekst kjo Listë, është bashkëvepruese dhe bashkëkriminale e këtyre ngjarjeve terroriste në Kosovë.
Lista Serbe, ka dëshmuar se nuk është subjekt politik që kontribuon për të drejtat e komunitetit të vet serb në veri të vendit tonë, por e ka dëshmuar se është vetëm një vegël e përgjimeve, që i bënë shpiunazh Kuvendit të Kosovës, dhe i dërgon materialet në Beograd, Aleksandër Vuçiqit”.
Sipas Preqit, LS duhet të shpallet non-grata dhe të mos i lejohet pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare.
Ai përkrahu vendimin e Konjufcës për ndërprerjen e senacës, në të cilën tetuan të marrin pjesë deputetët serbë.
“Kjo Listë Serbe, nuk e meriton që të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, por duhet të shpallet non-grata dhe të i pamundësohet pjesëmarrja në Kuvend, për deri sa nuk distancohet nga grupet kriminale dhe terroriste serbe në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca, me të drejtë e ndërpret seancën e Kuvendit, përshkak të sjelljeve arrogante të Listës Serbe, të cilët vijnë vetëm për të provokuar, vetëm për të nënshkruar për të marrë meditjet, të cilat nuk ju takojnë, sepse janë para të taksapaguesve të qytetarëve të Kosovës, dhe këta si hajna, vijnë dhe i grabisin pa bërë asgjë të dobishme.
Kjo sjellje e tyre është skandaloze dhe kryetari i Kuvendit, është vonuar për t’ua tërhequr vërejtjen dhe për të ndërmarrë masa ligjore ndaj tyre, duke i suspenduar nga meditjet, që i marrin pa dhënë asnjë kontribut për këtë vend dhe as për qytetarët serb në veri”, theksoi ai.
Më tej, opinionisti tha se kjo listë terroriste, nga e cila ka dalur shumë kriminelë dhe terrorista.
Ai përmendi edhe lidhjet me kryekriminelin Radoiçiq.
“Kjo Listë Serbe, është një listë terroriste, sepse prej gjirit të saj kanë dalë plotë kriminelë dhe terrorista në krye me kriminelin Milan Radoiçiq, dhe nuk ekziston asnjë shtet dhe pushtet në botë, që i toleron dhe i pranon sjelljet dhe veprimet e tyre primitive dhe destruktive.
Lista Serbe, në koordinim me Vuçiqin, i bëjnë planet dhe programet për ta destabilizuar Kosovën, dhe kjo Listë, i ka të njohur gjithë autorët e krimit dhe terrorizmit në Banjska të Zveçanit, po ashtu edhe autorët e shpërthimit të kanalit Ibër-Lëpenc, që ndodhi këto ditë.
Do të ishte një primitivizëm i madh shoqëror që sot mos të vërehen dhe ndëshkohen nga një Gjykatë Ndërkombëtare, veprimet e tilla terroriste serbe në teritorin e Kosovës, duke menduar se një primitivizëm i tillë do kthehet në optimizëm dhe shpresë, kjo nuk është e mundur të ndodh te mentaliteti serb, që është i tulitur thellë shekuj me radhë dhe vazhdon deri më sot, kundër shqiptarëve dhe trollit të tyre iliro-dardan”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.