Ditë më parë shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara me krerët e Kosovës dhe Serbisë me të cilët ka biseduar për dialogun për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, për sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Takimet e ndara në Bruksel mes Kallasit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishin në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
“I takova presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti. E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Kryesit duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kallas përmes një postimi në rrjetet sociale.
E në lidhje me qasjen e re që Kallas do të ketë në diaogun Kosovë – Serbi, ka folur politologu dhe eksperti për Ballkanin, Florian Bieber.
Bieber tha që shefja e re e BE-së, Kaja Kallas ka një qasje më të fortë e më vendimtare sa i përket Kosovës dhe dialogut me Serbinë. Sipas tij ajo ka qenë më e zëshme sesa shefi i deritashëm, Borell.
“Është gjë e mirë që sapo e mori mandatin brenda pak ditësh i mbajti takime, pak ditë pas vizitës së saj në Kijev gjë që konfirmon që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe situata në veri janë lart në listën e prioriteteve të shefes së re të BE-së”, tha ai.
I pyetur rreth mesazheve të Kallas për zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare, Bieber tha se pala e Kosovës duhet t’i përmbushë disa zotime duke përfshirë Asociacionin e gjithashtu pala serbe duhet t’i përmbushë zotimet e saj.
“Nuk kemi pasur ndonjë përkushtim nga ana e Serbisë për zbatim të marrëveshjes së Ohrit, këtë duhet të presim ta shohim. Pyetje është se çka do të jetë vazhdimësia, çka do t’i kërkohet palëve në kuptimin e ripërkushtimit që Serbia të ndalë fushatën e ç’njohjeve apo bllokimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha ai.
Mirëpo Bieber me këtë deklaratë a po paralajmëron zhvillime pozitive në dialogun Kosovë – Serbi?
Haziri: Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, vazhdimi i tij tani me shefën e re të BE-së znj. Kallas, do të bazohet në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.
Ai shprehet gjithashtu pozitiv që qasja e Kallas në këtë process të dialogut do të ketë qasje të fortë për të dy palët duke i dërguar në zbatim të marrëveshjeve.
Haziri ndër të tjera përmend disa nga veprimet terroriste të serbëve që i kanë ndodhur Kosovës nga anshmëria që Borrell ka pasur për Serbinë.
“Është e pritshme që shefja e re e BE-së Kaja Kallas që t’i jap një dinamikë tjetër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me një qasje të fortë për t’i shtyer palët drejtë zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe sekuncimit të saj në Ohër. Po ashtu Kallas do të ketë një arbitrim më të balancuar në raport me palët e dialoguese, e që nuk ka qenë e theksuar gjatë mandatit të z. Borrell që jo rrallë herë ai ka dështuar që të mbaj pozicionin e tij neutral gjatë procesit të dialogut Kosovë-Serbi, duke favorizuar këtë të fundit. Dhe ky mos neutralitet edhe e ka dëmtuar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke e dërguar në një process të ngrirë që ka shënuar edhe incidente ndërmjet dy shteteve sic ishte rasti me Bajnskën, ku një gurp kriminelësh serb më mbështetjen edhe të Beogradit zyrtarë tentuan që pëmrës konfliktit të armatosur ta shkëpusin një pjesë të teritorit të Kosovës siç është veriu i saj. Poashtu edhe incidente të tjera deri te ky i fundit me sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës siç është edhe kanali ujmbledhës i Ibër-Lepencit”, u shpreh ai.
Më tej, analisti thekson që në këtë fazë të procesit që gjenden palët dhe tanimë me Kallas në përfaqësim të BE-së, dialogu do të ketë zhvillime të rëndësishme.
“Por ajo që dihet dhe është e sigurt, procesi i dialogut Kosovë-Serbi, vazhdimi i tij tani me shefen e re të BE-së znj. Kallas, do të bazohet në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe sekuncimit të saj në Ohër, dhe nuk do të ketë marrëveshje të re për gjërat që tashmë janë biseduar dhe dakorduar në mes palës Kosovës dhe asaj serbe, pa marrë parasysh se kjo marrëveshje Bruksel-Ohër, nuk është nënshkruar nga palët, por dakordimi i tyre e ka bërë ligjërisht obliguese për Kosovën dhe Serbinë, dhe në këtë drejtim Brukseli ka qenë shumë i qartë dhe poashtu këtë linje do ta ndjekë edhe shefja e re e BE-së Kaja Kallas”, foli Haziri për “Bota sot”.
Duhanaj: Tani jam më se i bindur që do të kemi dinamika të reja
Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që me ndryshimet që janë bërë në strukturat e BE-së, priten dinamika të reja, pasi edhe Kallas në takimin e parë ishte e qartë në mesazhe.
“Tanimë me që kemi ndryshime në strukturat e BE-së, gjithashtu edhe në SHBA, sigurisht se do të priten dinamika të reja.
Për sa i përket zonjës në fjalë, nuk është që e njoh veprimtarinë e saj të mëparshme, megjithatë në takimin e parë që pati me palët, ishte më e qartë në mesazhe”, foli ai.
Analisti në fund përmend edhe Borrell duke e parë të dobët ndikimin e tij në procesin e bisedimeve.
“Z. Borell për mendimin tim, ka qenë një fatkeqësi për procesin e bisedimeve. Tani jam më se i bindur që do të kemi dinamika të reja dhe është tejet e rëndësishme të kemi një klasë politike dhe një qeveri të aftë e posaçërisht të përgjegjshme karshi nevojave”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.