Publicisti serb vjen me parashikim, ja ‘dënimi’ që mund të marrë Serbia pas sulmit në Ibër-Lepenc

Politika

Publicisti serb vjen me parashikim, ja ‘dënimi’ që mund të marrë Serbia pas sulmit në Ibër-Lepenc

Nga: N.E Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 10:58
Pamje nga shperthimi

Sulmi i 29 nëntorit në kanalin e Ibër- Lepencit ka sjellë reagime të menjëhershme të faktorit ndërkombëtar.

Reagime ka pasur nga shtetet e ndryshme që kanë dënuar aktin, kanë kërkuar përgjegjësit të dalin para drejtësisë si dhe i kanë ofruar Kosovës mbështetje.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës.

Ambasadori ka thënë se janë duke e monitoruar situatën nga afër dhe do të mbështesin një hetim gjithëpërfshirës.

Ai tha se i kanë ofruar mbështetjen e plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves e ka quajtur incident serioz.

Ambasadori Hargreaves ka theksuar se incidenti në Zubin Potok ka pasoja potencialisht të rënda për furnizimin me energji dhe ujë në disa pjesë të Kosovës.

“Incidenti serioz në Zubin Potok sonte ka pasoja potencialisht të rënda për furnizimin me energji dhe ujë të komuniteteve të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës. Ka nevojë të hetohet shpejt për çdo sulm të qëllimshëm në infrastrukturën kritike” – ka shkruar Hargreaves në Facebook.

Ambasada e Francës në Kosovë ka dënuar ashpër sulmin në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.

Ambasada ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit për sulmin të dalin para drejtësisë.

“Ambasada franceze dënon ashpër sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin-Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ky sulm duhet të hetohet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka dënuar ashpër sulmin në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.

“E dënoj fuqishëm sulmin në kanalin e ujit në Zubin-Potok që prek komunitetet përreth Kosovës. U bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare”, ka shkruar Rohde në platformën X.

Edhe Italia ka thënë se qëndron krah Kosovës pas sulmit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

“Italia dënon sulmin në kanalin e ujit në Zubin-Potok, i cili ka prekur furnizimin me ujë dhe ka rrezikuar shtëpitë. Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj hetimore për të mbajtur përgjegjës ata që kryen këtë sulm të ulët”, ka reaguar Ambasada Italiane në Kosovë në “X”.

Sulmi në kanalin e Ibër- Lepencit, ka ardhur pas dy sulmeve që ishin bërë ditë më parë në veri në Kosovës, pas situatës jo të qetë që e u karakterizua ajo pjesë e Kosovës gjatë gjithë vitit 2024. Në anën tjetër, ky sulm rikthehu në vëmendje sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku ka mbetur i vdekur edhe një polic i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe sulm që ishte dënuar nga ndërkombëtarët, por nuk është ndëshkuar Serbia.

Publicisti serb, Zlatoje Martinov, tani parasheh një dënim të butë.

Sipas tij, Vuqiçit nuk i ndodhi gjë edhe pas rrahjes së ushtarëve të KFOR-it.

“Përpos një dënimi të butë, faktorët ndërkombëtarë nuk do të bëjnë asgjë më serioze ndaj Vuçiqit, pasi nuk bënë gjë tjetër veçse një dënim verbal më parë në rastin e Banjskës. Serbët nga veriu rrahën 90 ushtarë të KFOR-it, tre nga katër prej të cilëve mbeten invalidë të përhershëm, kështu që përsëri asgjë nuk i ndodhi Vuçiqit. Dhe pas Banjskës, jo vetëm që nuk i ndodhi asgjë Vuçiqit, por ai e forcoi pozitën e tij në BE falë mbi të gjitha Gjermanisë, e cila kërkon dëshpërimisht litiumin nga Serbia për të qenë konkurruese me Kinën në prodhimin e makinave elektrike dhe e shtrydhur nga tregu evropian. Dhe Vuçiq del për t'i takuar”, shprehet Martinov.

Image
Zlatoje Martinov

Tutje, ai shton se nuk është hera e parë që BE shpërblen agresorin dhe ndëshkon të sulmuarin.

“Nuk është hera e parë që BE shpërblen agresorin dhe ndëshkon të sulmuarin! A ka Serbia sanksione nga BE? Nuk ka asnjë. A ka Kosova sanksione nga BE? ka! Gjithçka është interes, gjithçka është dëshira e fuqive të mëdha për fitim, ligji dhe drejtësia nuk luajnë asnjë rol këtu... Trump po vjen ende në pushtet në SHBA! Njeriu i Putinit! Vuçiq është shumë me fat!”, përfundon publicisti.

Kujtojmë, se pas sulmit në kanalin e Ibër- Lepencit janë arrestuar disa persona dhe është gjetur një sasi e madhe e armatimit në atë pjesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat