Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të enjten ka kryer operacione të vazhdueshme në Kosovë në lidhje me hetimet që është duke i kryer për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.
Gjatë këtyre aksioneve, u arrestuar tre persona, përfshirë ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, dhe ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.
ZPS-ja tha se operacionet e saj janë autorizuar “nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”
Ajo shtoi se operacionet janë duke u kryer në lidhje me dyshimet për pengimin e drejtësisë.
Pas këtyre aksioneve, Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi të premten një aktakuze të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.
Në një njoftim për media, Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.
Jashari: Rastet e tilla tashmë janë bërë të zakonshme
E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Arbër Jashari.
Si fillim, ai u shpreh se aksione të tilla të Speciales nuk është është e parë që ndodhin.
Në këtë pikë, foli edhe për dyshimet e Speciales.
“Nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë. Rastet e tilla tashmë janë bërë të zakonshme. Dyshimet janë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, të cilat krahas veprave penale qe kanë të bëjnë me krimet e luftes, gjithashtu janë në kompetencë dhe bien në domenin e Dhomave të Specializura.
Deri më tani nuk kemi informata se për çka konkretisht po dyshohen personat e ndaluar, dhe në mungesë të tyre, është veshtirë të bëhet një analizë e mirëfillt profesionale”, deklaroi avokati.
Po ashtu, ai kërkoi që të ketë më shumë transparencë nga ana e gjykatës në Hagë, derisa shtoi se këto bastisje dhe arrestime nuk do ndikojnë në procesin gjyqësor Thaçi dhe të tjerët.
“Dhomat e Specializura duhet të jenë më transparente dhe të bëjnë kujdes në respektimin e të drejtave themelore të personave të ndaluar, bazuar në principet më të mira dhe standardet me të larta ndërkombëtare.
Nuk besoj që do të ketë ndikim në procesin gjyqesor Thaçi dhe të tjerët. Kjo ngase procesi tashmë ka marrë udhën e vet, janë dëgjuar shumica e dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria, mbase edhe prej dëshmitarëve më të rëndësishëm”, përfundoi Arbër Jashari për “Bota sot”.
Burjani: Drejtësia nuk mund të pengohet, kjo është e qartë
Kurse, juristi Blerim Burjani tha se drejtësia nuk duhet të pengohetm pasi nëse ndodhë një gjë e tillë atëherë mund të ketë arrestimi dhe riarrestime.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” kërkoi që të ketë më shumë kujdes në këtë pjesë.
“Drejtësia nuk mund të pengohet, kjo është e qartë. Në mënyrë që të mos aplikohen masat dhe sanksionet apo arrestimet ndaj personave që shkelin ligjin për Gjykatë Speciale, mund të priten përsëri shumë arrestime apo riarrestime të njerëzve të tjerë që kanë tentuar të ndikojnë tek dëshmitarët.
Pra, duhet të ketë kujdes të mos shkelet ligji në të kundërtën nuk ka gjë, nuk do të ketë asnjë pikë tolerance nga kjo gjykatë”.
Gjithashtu, juristi shtoi se ata që nuk kanë bërë vepra penale, nuk kanë pse të frikësohen nga Gjykata e Speciales.
“Askush nuk ka nevojë të frikësohet nga kjo gjykatë, nëse nuk ka bërë ndonjë vepër penale të paraparë për ndjekje të kësaj gjykate, sipas ligjit në fuqi.
Në të kundërtën, jo vetëm kjo gjykatë, por të gjitha gjykatat duhet të sigurojnë procesin pa ndërhyrje”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.