Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë paralajmëruar se Rusia, përmes Serbisë, po tenton ta destabilizojë Kosovën, por edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, është pohuar se Rusia është e “përfshirë” në kriza të shumta në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli në lidhje me ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor dhe sa e rrezikon kjo gjë Ballkanin.
Sipas tij, qëllimi i Putinit është të destabilizojë demokracitë dhe të shtyjë për axhendën e tij imperialiste, autokratike, ku kjo gjë e rrezikon edhe rajonin e Ballkanit.
“Mendoj se fushatat elektorale të viteve të fundit, në Evropë, por për shembull edhe në SHBA, kanë treguar se Rusia po ushtron ndikimin e saj globalisht. Kjo përfshin Ballkanin Perëndimor, ku Rusia synon mediat tradicionale dhe sociale, si dhe zgjedhjet dhe politikanët. Kjo ndërhyrje është shumë e rrezikshme pasi qëllimi i Putinit është të destabilizojë demokracitë dhe të shtyjë për axhendën e tij imperialiste, autokratike”.
Në këtë pikë, eurodeputeti theksoi edhe lidhjet e Serbisë me Putinin.
Madje, përmendi edhe shkëmbimin e territoreve, që sipas tij kjo mund të nxis destabilizim.
“Unë mendoj se veçanërisht qeveria e Serbisë duhet të ndalojë së uluri mes dy karrigeve dhe të angazhohet plotësisht për procesin e saj të zgjerimit të BE-së dhe stabilitetin rajonal. Sidomos në Ballkanin Perëndimor, provokimi i tensioneve etnike dhe mbështetja për ide të tilla si shkëmbimi i tokës nxisin destabilizimin. Kjo është arsyeja pse ne duhet të kundërshtojmë narrativat e rreme të Rusisë dhe të mbështesim shoqërinë civile demokratike”, përfundoi Thomas Waitz për “Bota sot”.