Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar listën e saj me kandidatët për deputetë për legjislaturën e ardhshme.
Në këtë listë dallohen se ka ndryshime, derisa janë renditur kandidatë të ri, ndërsa mungojnë disa nga kandidatët e vjetër. LDK ka dalë e para me listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi ka mbajtur Këshillin e Përgjithshëm.
Këtë listë e ka komentuar edhe njëra ndër kandidatët për deputete, që aktualisht është këshilltare Komunale në Kuvendin e Prishtinës, Fiknete Bejta.
Në një prononcim për ‘Bota sot’, Bejta thotë se lista është përzgjedhur nga strukturat e degëve, që do të thotë se propozimet janë bërë nga degët e LDK-së.
“Ndërkohë, sipas Statutit, aprovimi i listës finale është bërë me unanimitet të plotë nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Besoj se lista e kandidatëve për deputetë e LDK-së paraqet listën më të pasur të deputetëve të legjislaturës së ardhshme, për përfaqësim shembullor të votuesve”, thekson ajo.
Tutje, Bejta thotë se këta kandidaë përfaqësojnë konceptin rugovian, në favor të qytetarëve dhe në partneritet me miqtë që bashkëthemeluan shtetin.
“Kandidatët e kësaj liste përfaqësojnë më së miri konceptin rugovian për një Kuvend dhe Qeveri me politika zhvillimore, në favor të qytetarëve dhe në partneritet me miqtë me të cilët kemi bashkëthemeluar shtetin tone”, thotë Bejta për ‘Bota sot’.