Bashkimi Evropian (BE) nuk ka bërë të ditur nëse do të zhvillohet takimi i caktuar më 17 dhjetor, në nivel kryenegociatorësh, pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit.
Por, se si pritet të ndikojë ky sulm terrorist në mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi, për “Bota sot” foli publicisti Emin Azemi.
Së pari, ai u shpreh se Kosova duhet të dalë me një dosje dhe të tentojë ta bindë BE-në që ta ndërroj qasjen e saj ndaj Serbisë.
Po ashtu, në këtë pikë kërkoi edhe largimin e sanksioneve.
“Kosova duhet të jetë më aktive dhe më këmbëngulëse që të del me një dosje më të kompletuar inkriminuese kundër Serbisë, duke kërkuar me ngulm që BE-ja të ndryshojë kursin ndaj Beogradit, përfshi edhe sanksionet si mjet për ta detyruar Beogradin të heqë Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë dhe të mbyll mosmarrëveshjet sipas modeleve të njohura në Evropën e pas Luftës së dytë Botërore.
Diplomacia kosovare, jo si deri më tani, por me një dinamikë më të fuqishme duhet të dërgojë emisarët e vet në Europë e Amerikë për të lobuar në mbrojtje të interesave nacionale dhe në demaskimin e politikave të “botës serbe” që po i promovon Beogradi zyrtar”, theksoi publicisti.
Krahas kësaj, kërkoi që të Kosova së bashku me ndërkombëtarët të bëjnë hetim për sulmet terroriste në Ibër-Lepenc e Banjskë.
Gjtiahshtu, tha se pa zbardhjen e këtij akti terrorist nuk duhet ketë kurrfarë bisedimesh polititike me Beogradin.
“Përpos hetimit ndërkombëtar, Kosova, patjetër, siç e thashë më lartë, duhet ta bëjë bashkë këtë akt terrorist që ndodhi në Ibër –Lepenc me sulmi terrorist që ndodhi në Banjskë vitin e kaluar, në mënyrë që Beogradi zyrtar të nxirret para dilemës: të pranojë bisedime të barabarta për një zgjidhje parimore të problemeve të hapura, apo t’ nënshtrohet sanksioneve. Kuptohet që pa zbardhje këtij akti terrorist, përpos bisedimeve teknike, me Beogradin nuk duhet të ketë kurrfarë bisedimesh politike.
Dy sulmet terroriste në Ibër-Lepenc dhe në Banjskë duhet të jenë pjesë e pandashme e valixhes diplomatike të Kosovës në aktivitetet lobuese, ku Serbia do të nxirrej nga perceptimi i rrejshëm se gjoja është partnere konstruktive në raport me Kosovën në bisedimet që po ndodhin herë pas herë në Bruksel dhe gjetiu”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.