Ditë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë me të cilët do të garojë në zgjedhjet e parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Ndonëse, kandidatët, kryesisht janë të deleguar nga degët e LDK-së nëpër Kosovë e diasporë, jo të gjithë mbetën të kënaqur me emrat e përfshirë në listë.
Publikisht pakënaqësitë i shfaqën deputeti Agim Veliu e ish-deputeti Faton Bislimi.
Megjithatë, kishte edhe nga ata që jo publikisht shprehën “revoltën” me anashkalimin që iu bë, duke zgjedhur heshtjen për të mirën e partisë.
Për këtë çështje, “Bota sot” ka biseduar me z. Saim Tahiraj, veprimtar i LDK-së në Zvicër.
Ai ka shprehur zhgënjimin e tij për listën e kandidatëve të partisë në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se ajo nuk reflekton unitetin e duhur dhe mund të dëmtojë partinë në procesin zgjedhor.
Sipas Tahirajt, lista aktuale nuk ka përfshirë figura të rëndësishme dhe autoritative, të cilët mund të kishin kontribuar për forcimin dhe zhvillimin e LDK-së.
"Pasi lexova me kujdes listën e kandidatëve, u zhgënjeva sepse edhe kësaj radhe ajo nuk është gjithpërfshirëse, e cila do të reflektonte unitet në anëtarësinë e gjerë dhe do të mblidhte të gjitha votat e LDK-së. Fatkeqësisht, edhe në këto zgjedhje, që janë jetike për fatet e shtetit tonë, LDK-ja nuk pati forcën t’i kalojë interesat grupore dhe personale, inatet dhe përjashtoi shumë figura të rëndësishme që meritonin të ishin pjesë e listës", tha ai.
Sipas Tahirajt, ky vendim mund të ketë pasoja negative për LDK-në në zgjedhje, ndërkohë që ai ka bërë të ditur se disa anëtarë të partisë janë shprehur se nuk do të votojnë fare për shkak të këtij zhgënjimi.
"LDK pati një mundësi historike për t'u ngjitur në vendin e parë në këto zgjedhje, për dy arsye: gabimet fatale të qeverisë dhe zhgënjimi i popullit ndaj saj, dhe rikthimin e anëtarësisë së LDK-së nga VV përmes Listës Guxo. Por, me keqardhje po e them se LDK e humbi këtë mundësi me këtë listë përjashtuese", shtoi ai.
Gjithashtu, Tahiraj apeloi për një dialog të menjëhershëm me të gjithë ata që kanë kontribuar dhe i kanë qëndruar besnikë LDK-së gjatë periudhave të ndryshme, duke theksuar se është e nevojshme të largohen inatet dhe të arrihet një zgjidhje që të përfshijë të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e partisë.
"Është urgjente të hapet një dialog me ata që kanë kontribuar dhe kanë qëndruar besnikë LDK-së. Duhet të largohen inatet dhe të bisedohet në mënyrë konstruktive, që të gjendet një zgjidhje dhe të gjithë të futen në organizimin e LDK-së. Kjo është e vetmja mundësi që të përfshihen të gjithë në procesin e votimit", tha ai.
Ai gjithashtu theksoi se mënyra e përjashtimit dhe anashkalimit i ka kushtuar shumë LDK-së, dhe ka bërë thirrje për reflektim të menjëhershëm, duke shtuar se, përndryshe, partia mund të mbetet prapa dhe të luftojë për vendin e dytë ose të tretë.
"Liderët e vërtetë njihen në momente të vështira dhe në vendime të mëdha unifikuese. Ata nuk janë të prekur nga inatet, por tregojnë zemërgjerësinë e duhur. Interesat personale dhe grupore duhet të shkrijnë në shërbim të LDK-së dhe shtetit", përfundoi Tahiraj.