Takimi i ri në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është caktuar për më 17 dhjetor në Bruksel, ka konfirmuar Bashkimi Evropian.
Në atë takim, përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, do të bisedojë me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Zv.kryeministri Bislimi në një intervistë tha se nuk pret rezultate nga takimi i 17 dhjetorit.
E në lidhje me situatën momentale që është Kosova dhe prishmëritë nga ky takim i radhës në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV, Milazim Salijaj.
Ai thotë se Kosova ka qenë e përcjellur me një mori ngjarjesh mirëpo ka arritur që me punën dhe përgjegjësinë e saj të ketë një situatë në kontroll.
“Është e vërtetë që vendi ka qenë i përcjellë me zhvillime të shumta dhe të rëndësishme, në mesin e të cilave edhe sulmi terrorist në Banjskë e tani edhe ky në kanalin e ujit Ibër - Lepenc dhe përkundër këtyre zhvillimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë, për ta destabilizuar Kosovën nëpërmjet të akteve terroriste, situata politike në Kosovë vazhdon të jetë e mire”, u shpreh ai.
Ndërsa sa i përket prishtmërive deputeti thotë që Serbia nuk është e gatshme për Marrëveshje.
Sipas tij, rezultate pozitive nuk mund të kemi derisa Serbia vazhdon të sillet ndaj Kosovës me veprime të tilla destabilizuese e sulme terroriste.
“Edhe shumë takime do të ndodhin sikurse edhe takimi i radhës më 17 dhjetor dhe as që presim të ketë rezultate pozitive, derisa Serbia vazhdon të sillet ndaj Kosovës me veprime të tilla destabilizuese e sulme terroriste.
Derisa Serbia nuk është e gatshme ta njohë realitetin e ri të krijuar më 12 qershor 1999 dhe 17 shkurt 2008, po aq larg do të jetë edhe marrëveshja në mes të dy palëve”, përfundoi deputeti Salijaj për “Bota sot”.