Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje diplomacisë perëndimore të mbajë përgjegjëse Serbinë për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës, duke theksuar se sulme të tilla janë kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në Evropë.
Ky sulm terrorist, është dënuar ashpër edhe nga ndërkombëtarët.
Theksojmë se, shpërthim në Ibër-Lepenc të Zubin Potokut dëmtoi infrastrukturën më kritike në Republikën e Kosovës, konkretisht një kanal ujësjellësi jetik për furnizimin me ujë të pijshëm për rreth 700,000 qytetarë.
Kjo ngjarje pritet të ketë ndikim edhe tek procesi i përgjithshëm i negociatave Kosovë-Serbi, ndonëse ende Bashkimi Evropian nuk ka bërë të ditur nëse do të zhvillohet takimi i caktuar më 17 dhjetor, në nivel kryenegociatorësh, pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit.
Megjithatë, pas këtyre sulmeve të vazhdueshme terroriste, ka ardhur thirrja për ndërprerje të bisedimeve me Serbinë.
Nuk po vlerësohet më e duhur, vazhdimësia e bisedimeve, kur ka refuzim të qartë nga ana e Serbisë për marrëveshje, paqe dhe stabilitet mes dy shteteve.
Koci: Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas sulmeve terroriste në Banjskë dhe Ibër - Lepenc ka humbur çdo kuptim
E në lidhje me këtë, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, foli ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci.
Si fillim, ai tha pas sulmeve të fundit në veri, dialogu Kosovë-Serbi, e ka humbur kuptimin.
Madje, vlerësoi se, pas Banjskës, Kosova do duhej të ishte larguar nga këto negociata dhe të e kishte bërë propozimin që presidentja Osmani, e bëri së fundi.
“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas sulmeve terroriste në Banjskë dhe Ibër - Lepenc ka humbur çdo kuptim. Pas Banjskës dhe letrës së Ana Bërnabiq (dhjetor i vitit të kaluar) me të cilën Serbia hodhi poshtë elementet kyçe të Marrëveshjes franko - gjermane, Kosova është dashur të largohet nga ky dialog dhe të kërkojë nga aleatët dhe sidomos SHBA-në, vazhdimin e bisedimeve me bashkësinë ndërkombëtare për jetësim të njëanshëm të Marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit, kuptohet krahas garancave të sigurisë. Pra të bëjë pikërisht atë që propozon presidentja Vjosa Osmani, që në esencë është fund i dialogut me Serbinë. Mjerisht, propozimi i presidentes Osmani mbase është i vonuar, sepse tash në Uashington ka vakum pushteti dhe është pak e besueshme që kjo çështje mund të aktualizohet në këtë moment”.
Po ashtu, Koci konsideron se vendi ynë do duhej ta kishte edhe një plan B, me ardhjen e Trump në pushtet, derisa tregoi se si mund të bëhet jetësimi i njëanshëm i Marrëveshjes franko – gjermane.
“Pavarësisht nga kjo rrethanë, Kosova duhet të ketë të gatshëm planin B edhe për administratën Trump. Ky plan do të konsistonte në heqjen dorë nga kërkesa për njohje nga Serbia (de jure dhe de facto) dhe në insistimin për jetësim të Marrëveshjes franko - gjermane në bashkëpunim me Uashingtonin dhe Brukselin. Nëse ekuivalent i jetësimit të Asociacionit (pa kompetenca ekzekutive) ka qenë njohja nga Serbia, tani kjo duhet të zëvendësohet me përfshirje të Kosovës në organizatat ndërkombëtare me theks të veçant në NATO. Jetësimi i njëanshëm i Marrëveshjes franko - gjermane në dialog me Uashingtonin dhe Brukselin mund të realizohet vetëm nëse këto do të jenë procese paralele dhe të njëkohshme. Poenta duhet të jetë anëtarësimi në NATO (komponenta kryesore e garancave të sigurisë) dhe assesi organizatat tjera siç është Këshilli i Evropës.
Ky do të ishte plani B i Kosovës, që do t'i jepte fund dialogut me Serbinë dhe do ta defaktorizonte Beogradin”, tha ndër të tjera ai.
Në fund, shtoi se sulmi në Ibër=-Lepenc, ishte goditje serbo - ruse, që synon mbajtjen e veriut në gjendje të tensionuar.
Madje, nënvizoi faktin se është më se e nevojshme zëvendësimi i dialogut me Serbinë, me dialog me bashkësinë ndërkombëtare.
“Dialogu tash e 12 vite ka qenë “blerje kohe” nga ana e Serbisë. Beogradi përmes dialogut ka ndalur procesin e njohjeve dhe të përfshirjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Serbia ka pritur dhe është në pritje të rrethanave të reja më të volitshme për të aneksuar veriun. Në këtë kontekst duhet vështruar edhe sulmin e fundit terrorist ndaj Ibër Lepencit. Kemi të bëjmë me goditje serbo - ruse, që synon mbajtjen e veriut në gjendje të tensionuar. Përmes tensioneve në veri, Beogradi dhe Moska synojnë që çështja e Kosovës të përfshihet në tryezat ndërkombëtare. Qëllimi i fundit është që çështja e Kosovës të përfshihet në bisedimet më të gjera dhe të vihet në tryezën e bisedimeve që do të bëhen për Ukrainën, Bosnjën, Lindjen e Mesme....Rusia synon që çështjen e Kosovës ta prezantoj rrejshëm si gjoja precedent mbi të cilin do të "legjitimonte" aneksimin e Krimesë dhe Donbasit.
Në këto rrethana, dialogu me Serbinë nuk ka asnjë kuptim. Është koha e fundit që ai të zëvendësohet me dialogun e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare”, përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.
Shabani: Gjëja e parë që duhej bërë në këtë rast është hetimi ndërkombëtar
Kurse, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani potencoi se sulmi terrorist në Ibër-Lepenc pritet të bllokojë dialogun Kosovë-Serbi.
Madje, ai potencoi se sulmet e tilla janë të veprime terroriste dhe që duhet të kemi një hetim ndërkombëtar dhe ndryshim të qasjes ndaj Serbisë.
“Sulmi terrorist në Ibër-Lepenc padyshim se ndikon negativisht dhe me bllokim sa i përket negociatave Kosovë-Serbi. Gjëja e parë që duhej bërë në këtë rast është hetimi ndërkombëtar dhe qartësimi i qëndrimeve të ndërkombëtarëve pas zbardhjes së plotë të rastit.
Sulmi i tillë dhe ai i 24 shtatorit nga Serbia, janë veprime të qarta terroriste të shkaktuara ndaj Kosovës për të cilat duhet të jepet llogari para organeve ligjore, pasiqë qasja e tillë në konflikt nga Serbia është metodologji e kopjuar nga Rusia, aleati i saj”.
Krahas kësaj, potencoi se më mirë do ishte ndërprerja e çdo lloj dialogu të Kosovës me Serbinë, derisa të qartësohen këton sulme terroriste.
“Ndërkombëtarët përveç që e dijnë këtë fakt, ata duhet të ndërmarrin veprim duke sanksionuar Serbinë dhe të kërkojë falje për gabimet e bëra. Kështu që, sa për tani, mendoj se mirë do ishte ndërprerja e çdo lloj dialogu të Kosovës me Serbinë derisa nuk qartësohen dhe nuk dalin para drejtësisë aktorët e akteve të tilla terroriste”, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.