Kërkesa e Hotit për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit - Analistët flasin për qëllimin e saj

Politika

Kërkesa e Hotit për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit - Analistët flasin për qëllimin e saj

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 dhjetor 2024 Në ora: 14:24
Avdullah Hoti

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.

Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor.

E kësaj marrëveshje i është rikthyer deputeti nga LDK, Avdullah Hoti, njëherit edhe nënshkrues i saj për Kosovën.

Ai së fundmi tha se zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit do të krijonte klimë më të mirë ekonomike për Kosovën, më pas edhe politike, duke çuar drejt marrëveshjes përfundimtare me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, thotë ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ai thotë se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet ta marrë seriozisht këtë dokument.

Ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit është një dakordim për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë – arritur në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020 nën presidencën e atëhershme të Donald Trump.

Nuk dihet nëse kjo çështje do të marrë sërish vëmendjen e administratës amerikane, pasi Trump të betohet si president i ri i Shteteve të Bashkuara në fillim të vitit të ardhshëm.

Por Avdullah Hoti, i cili atëbotë e nënshkroi marrëveshjen si shef i ekzekutivit, thotë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të punojë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

 Sa pozitive është zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit për Kosovën?

Burjani: Unë mendoj se varet sa dhe qysh do të zgjerohet zhvillimi dhe lehtësimi i marrëdhënieve

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai thotë se do ajo që do të ishte pozitive nga kjo Marrëveshje e Uashingtonit është rruga ekonomike.

“Po do të kishte efektiv pozitive, rruga ekonomike e zhvillimit të dy shteteve mund të përafrojë interesat ekonomike edhe pse kur të shikohen dhe analizohen statistikat Kosova ka qenë importues me i madhë i mallrave serbe, dy here kishte ndalë mallrat serbe përmes taksave apo mbylljes së tërësishme të importit”, u shpreh ai.

Juristi më tej përmend raportet jo të mira mes dy vendeve duke thënë se varet sa dhe qysh do të zgjerohet zhvillimi dhe lehtësimi i marrëdhënieve.

Siç dihet relacionet e këqija ndër vende janë historia e përgjakshme, vrasje dhe dëbimi i shqiptarëve dhe politika dhe lufta gjenocidiale ndaj shqiptarëve. Unë mendoj se varet sa dhe qysh do të zgjerohet zhvillimi dhe lehtësimi i marrëdhënieve”, foli Burjani për “Bota sot”.

Ahmeti: Kosova nuk ka komoditetin të bëjë koncesione me pasuritë e saj

Ndërsa analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ka disa pika që dëmtojnë sovranitetin e Kosovës dhe kjo nuk është pozitive për vendin tonë.

Image
Hidajet Ahmeti

Marrëveshja e Uashingtonit brenda vetës ka disa pika të cilat e dëmtojnë sovranitetin të shtetit të Kosovës, pasi koncesionet janë në dëm të Republikës së Kosovës. Konsesusi nuk e ka kuptimin kur dëmtohet njëra palë apo tjetra përfiton”, thotë ai.

Në fund, analisti nënvizon që çdo marrëveshje në thelb duhet të ketë parimin e sovranitetit të shtetësisë e jo duke i zbehur koncesionet në disa çështje që nuk kanë vlerë në raport me dëmet që i bëhen shtetit.

Kosova nuk ka komoditetin të bëjë koncesione me pasuritë e saj. Çdo marrëveshje në thelb duhet të ketë parimin e sovranitetit të shtetësisë e jo duke i zbehur koncesionet në disa çështje që nuk kanë vlerë në raport me dëmet që i bëhen shtetit. Përfaqësuesit e Kosovës nuk duhet të bëjnë marrëveshje që tejkalojmë kushtetushmërinë dhe ligjshmërinë e saj”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat