Në vitin 2015, ishte mbështetësi kryesor për themelimin e Gjykatës Speciale, aq sa kundërshtarët e saj i quante "armiq të Kosovës", por kur kuptoi se mund të ishte ndër të akuzuarit, ndërroi mendim. Në vitin 2017, u tentua të shfuqizohej Specialja, me Thaçin që ishte shprehur i bindur se një vendim i Kuvendit nuk do ta cenonte miqësinë e Kosovës me ndërkombëtarët, dhe sidomos me SHBA-në.
Ndonëse propozimi në fjalë kishte ngjallur reagime të ashpra nga ambasadorët e vendeve të Quintit, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, e kishte cilësuar këtë veprim si “ngulje të thikës pas shpinës ndaj Amerikës”.
Ndërkaq, ish-ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, e kishte quajtur mbrëmjen e 22 dhjetorit të 2017, si “natën më të rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”.
Gjithashtu, Hashim Thaçi ia kishte dërguar letër ish-Sekretarit të Shtetit në SHBA, Mike Pompeo, më 29 nëntor 2019, ku shprehte shqetësimin e thellë për Gjykatën Speciale. Kjo, sipas pretendimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, tregonte se Thaçi po tentonte të krijonte mbështetje për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Tani që Thaçi po përballet me aktakuzën e re në Hagë lidhur me tentativën për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës, janë shtuar zërat për zhbërjen e saj.
Të kujtojmë se Gjykata Speciale është një institucion i Republikës së Kosovës, e krijuar me një ligj të votuar nga Kuvendi i Kosovës. Gjithçka që është bërë me ligj mund të zhbëhet me ligj.
Kjo është vështirë të ndodhë me SHBA dhe të tjerët që janë sponsorizuesit kryesorë të saj, aq më tepër që SHBA nuk e mbështet një gjë të tillë. Gjithashtu, personat që janë duke u gjykuar në Hagë mund të lirohen si rezultat i procedurës penale nëse gjykata vlerëson se nuk ka pasur përgjegjësi penale, por nuk mund të lirohen, as nuk mund të përfundojë puna e kësaj gjykate me vendime politike.