Ish presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tani e disa vite po mbahet i arrestuar dhe vazhdon procesi i gjykimit kundër tij në Gjykatën Speciale në Hagë, por ditëve të fundit, nga Gjykata Speciale u konfirmua se kundër Thaçit është ngritur edhe një aktakuzë e re-shtesë,
Aktakuza e re ndaj Thaçit është ngritur nën dyshimin e bazuar se midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, ish shefit të AKI-së dhe këshilltarit të vet Bashkim Smakaj, ish ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçit, ish kryetarit të komunës së Malishevës Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut gjatë vizitave që ata i kanë bërë Thaçit në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u ka dhënë informacione konfidenciale mbi dëshmitarët e ZPS-së dhe udhëzime me hollësi se si duhej të vepronin kundër tyre.
E lidhur me këtë, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri thotë se kjo është edhe një dëshmi pse Gjykata Speciale është vendosur në Hagë.
“Ç’është e vërteta, e siç dëshmohet edhe nga komunikata e lëshuar qysh më 2016, duke pasur parasysh se Gjykata Speciale do të merrej me trajtimin e çështjeve shumë të ndjeshme dhe disa nga të dyshuarit kishin vendosur ligjin e vet mbi gjykatat e nënshtruara vendore, ku mbrojtja e dëshmitarëve, ishte sfidë e papërballueshme për Gjykatën Speciale të Kosovës, mosbesimi i madh ndaj të ashtuquajturës "drejtësi" të kapur dhe të diktuar nga politika e inkriminuar në Kosovë dhe droja e bazuar nga frikësimi i dëshmitarëve, që siç po dëshmohet kohëve të fundit, po ndodhë edhe nga Haga, u bënë shkaku dhe arsyeja kryesore, që Gjykata Speciale të mos vendosej në Kosovë, dhe as të mos përbëhej nga personeli vendor por nga gjykatës e prokuror ndërkombëtar dhe të vendoset në Hagë, siç edhe ndodhi realisht!”, shprehet Qarri për “Bota sot”.
Sipas tij, veprimet e Thaçit janë me qëllim të pengimit të drejtësisë dhe punës së Gjykatës Speciale.
“Andaj as nuk habit fakti se siç thuhet në njoftimin për media, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës përveç Hashim Thaçit, edhe ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut, janë ngritur aktakuza nga Gjykata Speciale, dhe derisa Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu u arrestuan nga policia, që me 5 dhjetor e një ditë më vonë, me 6 dhjetor ata u dërguan në paraburgim në Hagë, Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza me fletëthirrjen për t’u paraqitur, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për pengim të drejtësisë, para gjykatëses së procedurës paraprake, të Dhomave të Specializuara, akte që përveç mosbesimit të madh, vërtet i qesin edhe hije shumë të zezë drejtësisë së kalbur dhe ish ministrave famoz të saj në Kosovë. Aktakuzat në fjalë u bënë publike, vetëm një ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi të enjten me 5 dhjetor, se kjo prokurori në vijimësi është duke zhvilluar operacione në lidhje me hetimet që është duke i kryer Gjykata Speciale për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë në Kosovë, kurse në padinë më të re z. Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë, të pengimit të personave zyrtarë për kryerjen e detyrave të tyre, me pjesëmarrje dhe veprim të përbashkët të një grupi, si dhe katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj Gjykatës Speciale, gjë që e ngarkon jashtëzakonisht shumë padinë penale të Dhomave të Specializuara ndaj tij dhe jo vetëm, për të cilat personat e akuzuar, duhet ta mendojnë mirë, se a ja vlen ti luhet loja pas shpine edhe Gjykatës Speciale si dhe ti zihet fryma drejtësisë, siç është vepruar në vijimësi me drejtësinë e kalbur dhe kurrë të pa-reformuar të Kosovës”, shton Qarri.
Për fund, Qarri deklaron se më shokuesja është aktakuza kundër ish Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
“Në fakt Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, Ish-drejtuesit e organizatës së veteranëve të ish-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u dënuan të mërkurën. Ky është dënimi i parë i shqiptuar nga Gjykata Speciale. edhe para dy vitesh kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë ndaj dy ish-figurave kryesore të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, ish kryetarit Hysni Gucati dhe zëvendësit të tij Nasim Haradinaj, të cilët siç dihet edhe janë dënuar me 18 Maj të vitit 2022 me nga katër vjet e gjysmë burgim, për pengimin e drejtësisë por mjerim i pashembullt që shokon mbarë opinionin vendor e ndërkombëtar, përveç padive kundër ish shefit të AKI-së dhe këshilltarit të Hashim Thaçit- Bashkim Smakajt, Isni Kilajt e Fadil Fazliut të cilët akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, si dhe për mosbindje ndaj Gjykatës Speciale, kulmin e turpit për vet atë dhe mbarë sistemin e drejtësisë së kalbur kosovare, e përbënë aktakuzua e ngritur kundër ish ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe profesorit i cili thuhej se kishte zaptuar 6-7 vendpunime, "ajnshtajnit" të pa dëshmuar të “tu”-Kosovës Hajredin Kuqi, ish ministër i drejtësisë së "pa marre"- për mosbindje ndaj Gjykatës Speciale”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.