“Ndalimi i gjuhës shqipe nuk është cenim vetëm për shqiptarët në Maqedoni, por fyerje e dinjitetit…”

Politika

“Ndalimi i gjuhës shqipe nuk është cenim vetëm për shqiptarët në Maqedoni, por fyerje e dinjitetit…”

Hava Orana -Xhukolli Nga Hava Orana -Xhukolli Më 10 dhjetor 2024 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Në Maqedoninë e Veriut mbi 250 intelektualë shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe tre rektorët e universiteteve shqiptare, kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese të mos e abrogojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Edhe kryesia e ngushtë e BDI-së ka thirrur për të hënën organin më të lartë të partisë, për të shqyrtuar zhvillimet e fundit, pasi më 11 dhjetor pritet që Kushtetuesja ta hedhë poshtë ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Në mesin e personave që nënshkruajtën letrën janë rektorët e tre universiteteve në gjuhën shqipe: Prof. Dr. Abdulmenaf Bexheti – UEJL, Prof. Dr. Jusuf Zejneli – UT, Prof. Dr. Izet Zeqiri – UNT. Po ashtu, në mesin e të nënshkruarve dallohen profesorë të njohur e dekanë aktualë të shumë fakulteteve, në mesin e tyre po veçojmë gjuhëtarin e njohur Prof.dr Agim Vinca, pastaj profesorët: Agni Dika, Nuri Bexheti, Abdulla Aliu, Asllan Bilalli, Safet Emruli, Qebir Avziu, Jeton Shasivari, Fatmire Lumani, Mersim Maksuti, Arta Bilalli, Fadil Zendeli, Bashkim Ziberi, Muamet Shehabi, Kenan Ferati, Etem Iseni, Ruzhdi Matoshi, Fati Iseini.

“Duke pasur parasysh pozitën dhe rolin kushtetues që keni Ju si përfaqësues të institucionit më të lartë juridik, i cili sipas Kushtetutës është i pavarur dhe pa ndikime politike, vazhdojmë të shpresojmë se nuk do të lejoni realizimin e skenarëve të tillë, të cilët cenojnë ndjenjat e çdo qytetari shqiptar. Një veprim i tillë do të fundoste besimin e qytetarëve, veçanërisht të atyre shqiptarë, në funksionimin e institucionit që ju përfaqësoni dhe që pritet të marrë vendime në mënyrë të pavarur, sipas bindjeve tuaja, bazuar në Kushtetutë dhe ligj, e jo sipas ndikimeve politike ngado që të vijnë ato”, thuhet në një pjesë të kësaj letre.

Mirëpo, cili pritet të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 11 dhjetor në lidhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve? Cfarë do të bëjnë tutje shqiptarët nëse ky ligj hidhet poshtë nga kushtetusja?

Mehazi: Tre rektorët dhe mbi 250 intelektualë shqiptarë janë nën ndikimin e BDI-së opozitare

Lidhur me këtë ҫështje ka folur në një prononcim profesori shqiptar nga Maqedonia, Sulejman Mehazi.

Ai thekson se, vërehet hapur s'e kërkesat e tre rektorëve të universiteteve dhe 250 intelektualëve shqiptarë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të RMV-s janë të kurdisura nën urdhërin e partisë opozitare të BDI-së, themi kështu për shkak se më 11 dhjetor gjuha shqipe nga Gjykata Kushtetuese e RMV-s do të mbetet "zyrtare" aq sa e lejon Marrëvëshja e Ohrit më 2002, as më pak e as më shumë, kështu që kërkesat e 350 intelektualëve, tre rektorëve të universiteteve shqiptare tog me BDI-në më shumë janë formale vetëm për të zhurmosur opinionin e asgjë më shumë.

Image
Sulejman Mehazi.

“Mund ta kuptojmë pakënaqësinë e BDI-së opozitare për veprimet e Gjykatës Kushtetuese më 11 dhjetor për gjoja "hedhjen dhe eliminimin" e ligjit për përdorimin e gjuhëve, por nuk mund të kuptojmë dobësitë e 250 intelektualëvë dhe tre rektorëve të cilët janë të kënaqur me gjuhën momentale të zyrtarizimit të zbehtë të gjuhës shqipe në kornizën e 20 %. Rektorët dhe intelektualët shqiptarë në vend që të jenë të pakënaqur me stutin inferior të shqipes në RMV, ata lusin Gjykatën Kushtetuese që shqipja jonë e gjorë të mbetet e njëllojshme sipas statutit të zbehtë të qeverisjes 22 vjeçare të BDI-së”, thekson ai.

Tutje, ai thotë se e gjithë kjo tregon se tre rektorët dhe mbi 250 intelektualë shqiptarë janë nën ndikimin e BDI-së opozitare, lirisht mund të themi se rektorët dhe shumica e intelektualëve shqiptarë politikisht, mendërisht e shkencërisht janë prodhime 22 vjeçare BDI-ste, intelektualët e kurdisur të BDI-s.

“Shkurt e qartë Gjykata Kushtetuese nuk guxon të veprojë ndryshe përveç garancës gjysmake të zyrtarizimit të gjuhës shqipes nga BE, SHBA dhe nënshkruesit, Lupçe Georgievskit, Arbër Xhaferit dhe Ymer Ymerit në Ohër. Të gjitha veprimet tjera janë pallavra politike të rektorëve dhe intelektualëve nën patronazhin e BDI-s opozitare, pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-s nuk guxon kurrsesi të hedh poshtë ligjin e gjuhëve 20% të Marrëveshjes së Ohrit”, vlerëson ai.

Zogaj: Ka kaluar koha kur diktaturat ua kanë ndaluar popujve të flasin gjuhën e tyre

Gjithashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe analisti politik, Skender Zogaj. Për ‘Bota sot’, ai vlerëson se, në Maqedoninë e Veriut, maqedonasit ndonëse e dinë se janë komuniteti më i brishtë dhe më i vogël e i parëndësishëm në rajon, përpiqen të luajnë rolin e të fortit.

“Në fakt, s'janë veçse një pakicë nacionale më brumosje primitive nacionaliste, që sillet banalisht, sepse kështu tradicionalisht ka shfrytëzuar krizat historike dhe ka përfituar mbi kurrizin e popujve fqinj, kur ata janë ndodhur nën zrusninë e okupimit serbosllav. Kështu ka ndodhur në të kaluarën, e për fat të keq po vazhdohet të veprohet edhe sot”, thotë Zogaj.

Image
Skender Zogaj.

Ai thekson se, iniciativa për mos lejimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, është dëshmi e shëmtuar që tregon verbërinë maqedonase e cila harron se shqiptarët janë autokton në trevat e tyre etnike e historike dhe se, nuk ka zot që mund t'ua mohoj gjuhën amtare.

“Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë nuk besoj se më 11 dhjetor guxon të cënojë ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe! Por nëse eventualisht "ia pi sorra mendjen" dhe merr një vendim të tillë, më shumë se sa shqiptarëve, do të dëmtoj interesat e maqedonëve duke u shkaktuar dëme të pariparueshme. BDI-ja jo rastësisht ka paralajmëruar se do ta kundërshtoj me të gjitha mënyrat dhe mjetet! Unë jam thellësisht i bindur se kësaj radhe do të veprojnë të gjitha partitë politike, shoqëria civile, diaspora dhe gjithë shqiptarët kudo që janë. Ndalimi i gjuhës shqipe nuk është cënim vetëm për shqiptarët në Maqedoni, por fyerje e dinjitetit gjithëshqiptar. Ka kaluar koha kur diktaturat ua kanë ndaluar popujve të flasin gjuhën e tyre”, thekson Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat