“Operacioni” i frikës: Kërkesa për “zhbërjen” e Gjykatës Speciale, një përpjekje e dështuar për pengimin e drejtësisë

Politika

“Operacioni” i frikës: Kërkesa për “zhbërjen” e Gjykatës Speciale, një përpjekje e dështuar për pengimin e drejtësisë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 10 dhjetor 2024 Në ora: 10:02
Gjykata Speciale

Aktakuza e re nga Gjykata Speciale ndaj ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për pengim të drejtësisë dhe ndikim tek dëshmitarët ka nxitur rikthimin e kërkesës për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ani pse kjo gjykatë po vazhdon gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët ndër tjerash po akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të LDK-së.

Madje disa analistë dhe njerëz të afërt të të akuzuarve po shpresojnë se një gjë e tillë të ndodhë me ardhjen në pushtet në SHBA të presidentit të sapo zgjedhur, Donald Trump.

Propagandë kundër Speciales

Por një gjë të tillë po e kundërshton ashpër avokati, Gazmend Halilaj. Madje sipas tij, pikërisht nën administratës Trump edhe u ngritën aktakuzat e para nga Gjykata Speciale.

“Shumë njerëz kanë konfuzion mes realitetit dhe fantazisë, tentativë shterp, pa sens logjik. Veprime krejtësisht qyqare që seriozisht na bënë të kuptojmë që disa njerëz e kanë humb aftësinë e gjykimit të drejtë... E sa i përket çështjes lidhur me ardhjen në krye të SHBA-së të z. Trump, i’ u rikujtoj se pikërisht në mandatin e Trump janë ngrit dhe konfirmuar aktakuzat e para dhe janë arrestuar të apostrofuarit. Tani po ashtu patëm aktakuze të re me (11) dispozitave”, shprehet Halilaj për “Bota sot”.

Image
Gazmend Halilaj.

Sipas tij, kjo është vetëm një propagandë e radhës që po bëhet ndaj Gjykatës Speciale.

“Amerika njihet si vend që promovon demokraci dhe sundim të ligjit, e jo që mbyll Gjykata dhe riviktimizon viktimat. Tutje, asnjëherë z Trump, nuk e ka premtuar një gjë të tillë as gjatë fushatës, dhe ardhja e tij në krye të SHBA, nuk ka ndodh për të mbyll Gjykata  kudo në botë, por për të promovuar demokraci, paqe, ekonomi të qëndrueshme për vet Amerikën dhe aleatët e saj. Andaj propaganda të tilla i bëjnë vetëm ata që vërtetë kanë gjynahe aq të mëdha sa që edhe ata pak arsye që kanë, mund ta kenë më humbur. Ata duhet ta rikujtojnë shprehjen e vjetër që nëse keni hipur në trenin e gabuar, aq më larg që shkoni, kostoja e kthimit do të jetë më e lartë”, nënvizon Halilaj.

Më tej, Halilaj thotë se kjo po i kushton rëndë buxhetit të Kosovës, kur dihet se Kosova paguan avokatët mbrojtjes të të akuzuarve të Speciales.

“Këta njerëz, në vend që të mendojnë për zgjidhjen e problemeve, këta po krijojnë situata te reja, ku veprimet e tyre detyrimisht po e vënë Prokurorinë të ndërmarr veprime të tjera dhe arrestoi edhe persona të tjerë siç ndodhi ditët e fundit. Gabimet më të mëdha të tyre po ndodhin kur pa zgjedhur metoda po mundohen mu nxjerr, e kjo po u kthehet bumerang vet atyre, e fatkeqësisht edhe buxhetit të Kosovës”, përfundon avokati Gazmend Halilaj.

Frika nga Specialja

Kurse Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit të kombit Sali Çekaj, thotë se kërkesa për zhbërjen e Speciales nuk është një risi, por vjen pikërisht nga ata që ndihen të frikësuar nga Specialja.

Image
Saim Tahiraj

“Kjo kërkesë nuk është risi, është përsëritur disa herë nga persona dhe grupe që ndihen të frikësuar nga ndonjë arrestim i ri. Gjithashtu duhet ta kuptojmë se jemi në fushatë elektorale dhe partitë e caktuara politike dhe eksponent të tyre e përdorin për përfitim nga një pjesë e elektoratit”, thekson Tahiraj.

Ai thotë se Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet assesi për pëlqimin e Bashkimit Evropian.

“Sado që kjo retorikë mund të shtohet në ditët dhe javët në vijim, janë shumë të vetëdijshëm edhe ata që e përdorin se kjo është e pamundur. Këtë e kanë konfirmuar edhe drejtuesit e kësaj Gjykate se nuk kanë fuqi ta zhbëjnë institucionet e Kosovës, pa pëlqimin e Bashkimit Evropian”.

“Mendoj se është në interes të shtetit, po edhe për vet të dyshuarve të lihet e qetë kjo gjykatë, në zhvillimin punës së sajë pa këto presione. Arrestimet e fundit e dëshmuan se sa të dëmshme janë këto veprime për vet të dyshuarit në Hagë ,në radhë të parë e pastaj edhe për ata që po veprojnë në pengimin e punës së kësaj gjykate”, përfundon Saim Tahiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat