Presidentja Osmani vazhdon të përfaqësojë Kosovën në skenën ndërkombëtare.
Ajo së fundi, mori pjesë në ceremoninë e veçantë të rihapjes së Katedrales së famshme ‘Notre Dame’ në Paris, Francë.
Gjatë kësaj, ceremonie Osmani u takua me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, me të cilin kishte edhe një bisedë të shkurtër.
Në një postim në platformën X, presidentja tha se në emër të popullit të Kosovës e ka përgëzuar Trumpin për fitoren e tij.
“Rikonfirmova gjithashtu angazhimin tonë për të forcuar aleancën tonë. Ne mbështetemi në udhëheqjen e fortë të SHBA-së ndërsa punojmë së bashku për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”, u shpreh Osmani.
E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.
Si fillim, ai potencoi faktin se takimi i Osmanit me Trumpin ishte i shkurtër, por që me domethënie të madhe.
Kjo pasi, vlereson se dha një mesazh të qartë se, Trump dëshiron që konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë ta zgjidhë me presidenten.
“Takimi i presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me presidentin e sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ishte simbolik. Mundësitë nuk lejonin që të ishte i gjatë, sepse të dy palët qenë pjesë e një ceremonie domethënëse europiane e më gjerë. Pra ishte takim i shkurtët. Por për nga rëndësia duhet konsideruar se përshëndetja që zonja presidente Osmani me presidentin Trump duhet konsideruar unik. Mësë paku aty kemi një mesazh: Trump dëshiron që konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë ta zgjidhë me Vjosa Osmanin si partnere. Në kushtet që të dy janë presidentë të të dy vendeve, kjo duket dhe është normale”.
Gjithashtu, Bytyçi nuk e anashkaloi rëndësinë dhe rolin e qeverisë, derisa tha se situatën kështu mund ta ketë ‘servir’ Macroni, pasi ky i fundti është regjisor i takimeve të tilla.
“Kjo do të thotë se administrata e Trump nuk ka ndërmend të diktojë zgjedhjen politike të Kosovës, as liderët e saj. Por ndër dy liderët duket se preferon të flasë me presidenten, ndërkohë që roli i qeverisë nuk zbehet, sepse ai rol është kushtetues. Ndoshta një gjë të tillë e ka servir me pak dinakëri edhe Emmanuel Macron, si organizator dhe regjisor i takimeve të tilla politike e diplomatike. Macron është i njohur për të tilla simbolika. Ju kujtohet kur para gjashtë vitesh organizoi një event në Paris dhe “si rastësisht” e vendosi Hashim Thaçin afër presidentit rus, Vladimir Putin. Atëherë Putin i duhej zotit Thaçi për të garantuar njohjen e Kosovës pas ndarjes së saj. Tani Macron bëri të njëjtën gjë me Vjosa Osmanin, por duke e vendosur afër presidentit Donald Trump. Nuk e di nëse Macron beson se Vjosa është ndryshe nga Albini, kur është fjala për interesat e Kosovës. Por e di se nëse beson këtë, do të zhgënjehet”, theksoi ai.
Në vazhdim, profesori këtë takim të presidentes me Trump e cilësoi si një sinal shumë të mirë, pasi beson se ky i fundti do t’i japë fund konfilktit Kosovë-Serbi.
Po ashtu, ai pëmendi edhe një projekt që duhet ta ndërtojë Osmani për presidentin amerikan dhe bashkëpunëtorët e tij,
“Unë besoj se ky takim është ogur shumë i mirë. Është i tillë, se duket që presidenti Trump do ta marrë në dorë dhe do t’i japë fund konfliktit të Kosovës me Serbinë. Dhe me rolin vendimtar të Trump duket se është dakord edhe presidenti francez. Në këto rrethana presidentja e Kosovës duhet të ndërtojë një projekt informimi për zotin Trump dhe bashkëpunëtorët e tij. Duhet të informojë mirë e në detaje së paku tre persona kyç: Sekretarin e ri të Shtetit, Drejtorin e Përgjithshëm të CIA-s dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare të zotit Trump. Këta janë njerëzit që kanë rol në vendimmarrjen e presidentit. Me qëllim që kjo vendimmarrje të jetë solide, e drejtë dhe mos cënojë territorin e Kosovës, ka nevojë fillimisht për informacione në detaje”, theksoi Bytyçi.
“Ky është një takim premtues se për herë të parë u lanë pas kuintave dy udhëheqësit e preferuar të Macron, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama”
Në këtë pikë, parashikoi se gjera pozitive mund të ndodhin me ardhjen e Kallas në Bruksel dhe administratën Trump në Uashington.
Më tej, ai shtjelloi edhe takimet e tjera gjatë ceremonisë së hapjes së Notre Dame, me theks përmendi Vuçiqin dhe Ramën.
“Përshëndetja Osmani-Trump është preludi i një procesi, të cilin ne nuk e dimë se si do të jetë, si ai i Sirisë, por me mjete paqësore i kufizuar në një javë, apo një proces i gjatë. Mundet të ketë dy angazhime paralele, ky ekzistuesi, me zonjën Kallas në Bruksel, dhe një proces tjetër me administratën Trump në Uashington. Sido të jetë besoj se ajo që ndodhi në Siri, na bën të besojmë se Rusia nuk do të ketë më asnjë ndikim në Ballkan. Nëse i përmbahemi këtij principi, atëherë duhet të besojmë se do të ketë zgjidhje të qëndrueshme me ndikim afatgjatë. Thjesht do të duhet që Brukseli dhe Uashingtoni të pajtohen së bashku se çfarë duan në rajonin tonë.
Ky është një takim premtues se për herë të parë u lanë pas kuintave dy udhëheqësit e preferuar të Macron, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Macron krijoi distancë edhe me Ramën, megjithëse i pranishëm në ceremoninë e hapjes së Notre Dame. Nuk ia dha mundësinë kreut të ekzekutivit shqiptar për t’i dhënë dorën zotit Trump, qoftë dhe “nga matanë gardhit”! Ndërsa Vuçiq duket se nuk qe i ftuar! Kjo distancë politike e diplomatike nuk është e rastit. Macron nuk dëshiron që të etiketohet si lideri europian e francez që mbështet krerët e narco-shteteve ballkanike. Ndërkohë që nuk ka guxuar që këtë t’ia lejojë numrit një të shtetit më të fuqishëm të botës”.
E për këtë, profesroi beson që Rama dhe Vuçiq nuk do jenë më pjesë e zgjedhijve rajonale, pasi ata janë ‘shpërfaqur’ me fytyrën e vëretë, siç janë përgjimet dhe përfshirja në akte terroriste.
“Në këtë aspekt nuk do të jenë këta të dy më pjesë e skenës së zgjidhjeve rajonale e as nacionale. Tashmë ata trajtohen si vetë problemi. Dhe kush është problemi i një konflikti ose një krize, nuk mund të jetë edhe zgjidhja. Ky është rregulli i demokracisë. Demokracia është modeli më i mitë, sepse i zgjidh konfliktet dhe krizat brenda sistemit, pa patur nevojë për thellimin e tyre e luftë civile. Të shohim deri ku do të shkojnë këta autokratë ballkanikë që krijuan urën lidhëse midis tyre bazuar në kontributet e mafies dhe grupeve kriminale.
Rama është demantuar nga mediet dhe përgjimet europiane. Ndërsa Vuçiq përmes dy akteve terroriste në veri të vendit. Është meritë e shtetit të Kosovës që Vuçiq tashmë është zbuluar si njeriu i dy fytyrave me potencial destruktiviteti shpërthyes për rajonin. Në këtë aspekt ka shumë rëndësi që zgjedhjet e 9 shkurtit të zhvillohen në mënyrë demokratike dhe qeveria legjitime e këtyre zgjedhjeve të marrë përsipër pjesën më të rëndësishme të përgjegjësisë për ta çiuar Kosovën drejt ulëses në OKB!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.